Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kriza pandemike dhe kriza politike

Le ta themi qysh në fillim: askush nuk e ka idenë se ç’po ndodh. As shkencëtarët nuk e njohin mirë prejardhjen dhe natyrën e këtij virusi dhe as qeveritë nuk i parashikojnë dot rezultatet dhe pasojat e politikave, që po ndjekin për të minimizuar përhapjen e saj. Kohët e çuditshme që po jetojmë vetëm se nxorën në pah atë që shpesh e anashkalojmë në debatin politik: qeveritë zakonisht nuk ia kanë idenë se ç’bëjnë. Kjo qasje shkon kundër pandehmës mbizotëruese mes nesh se politikanët janë mjeshtra të mëdhenj të zotërimit të situatave dhe se makinacionet e tyre të sofistikuara dhe zakonisht misterioze, shpesh sjellin rezultatet e pritshme prej tyre, ndonëse jo rrallë ato rezultate mund të mos u shërbejnë mirë vendeve të tyre. Kur sheh sot politikanë anembanë botës, që flasin kuturu për një krizë që nuk e kuptojnë nga dhe si u erdhi (dhe për përkeqësimin e së të cilës kontribuojnë çdo ditë), të vjen në mendje një shprehje që në anglisht tingëllon si “they don’t know what they are doing” dhe në shqip mund të thuhet si “nuk ia kanë idenë se ç’po bëjnë”. Padija e plotë e të gjithëve ne, manifestohet në parashikimet gjithandej të dështuara për formën e kurbës së infektimit dhe periudhën kur ajo do arrijë pikun dhe pastaj rënien. Këto parashikime deri tani janë bërë mbimodele, tashmë të njohur, për një virus të panjohur dhe kësisoj kanë qenë kryesisht të gabuara. Unë mendoj se problemet janë të dyfishta. Njëri problem lidhet me sëmundjen themelore të demokracisë, pikërisht me dështimin e saj për të tejkaluar racionalitetin afatshkurtër (më mirë një vezë sot) në favor të atij afatgjatë (sesa një pulë mot). Problemi i dytë lidhet me arrogancën e njerëzimit bashkëkohor, me bindjen e tij të nënkuptuar se ai është përmbi Natyrën, ndërkaq që ai është vetë brenda Natyrës.

Së pari, kjo është një krizë e thellë politike ndërkombëtare por fort e spikatur në demokracitë liberale (jo më kot disa nga vendet që po vuajnë më shumë për frymë banori janë ato që konsiderohen si më demokratiket). Në Kosovë kriza politike shpejt degjeneroi në krizë qeveritare e nxitur (ndonëse jo e shkaktuar) nga përplasja e institucioneve për kompetenca. Nën presionin dhe frikën se opozita do t’i përdorë dëmet e krizës në jetë njerëzish kundër qeverive, gjë çka mund të sjellë pasoja të rënda në kutinë e votimit, këto të fundit kanë ndërmarrë masa ekstreme me rezultate thellësisht të diskutueshme nga pikëpamja shëndetësore por krejt të qarta nga pikëpamja ekonomike: katastrofike. Gatishmëria për të përdorur dijen shkencore në cilëndo fushë, nga cilado qeveri, mbaron aty ku fillojnë përllogaritjet e pushtetit: të mos u japim mundësi atyre përballë të na sulmojnë. Në rastin e pandemisë aktuale, përpjekjet për të kufizuar kriticizmin nga opozita, morën formën e një reagimi skizofrenik dhe konfuz, shoqëruar edhe me gjenerimin e neologjizmave si manifestim tipik i kësaj sindrome (keqpërdorimi i termit distancë sociale kur në fakt kërkohet distancë fizike). Ajo çka më së shumti transmetohet sot nga media ka të bëjë me masa politike kundër pandemisë dhe jo me informacion shkencor për të. Kjo vjen sepse ajo çka po ndodh në fakt është thellësisht një krizë politike që buron nga sëmundja e pashërueshme e demokracisë liberale: ajo nuk mund të gjenerojë unitet përballë kërcënimeve të përbashkëta. Në këto kushte, qeveritë u detyruan të ndërkallen në betejën midis njeriu dhe virusit dhe ende nuk dihet se në cilën anë janë. Deri tani, viktima kryesore vazhdon të mbetet njeriu, i kërcënuar nga virusi, i burgosur nga qeveritë, i privuar nga puna dhe jeta e vet e përditshme dhe me krizën ekonomike në horizont (por që tani për tani është jashtë rrezes së shqetësimit të racionalitetit afatshkurtër të përllogaritjeve për pushtet).

Së dyti, kemi të bëjmë me arrogancën sientiste të njeriut bashkëkohor, me idenë e tij absurde të triumfit ndaj Natyrës (aktivistët mjedisorë po rrinë të strukur si pulat dhe nuk po iu dëgjohet zëri, sepse edhe ata tani po i tuten Natyrës kur ajo shfaqen në formën e virusit). Njeriut të sotëm i është mbushur mendja se është përmbi Natyrën dhe jo brenda saj. Metroseksualët e sotëm mendojnë se Natyrës mund t’i kundërvihen me mjete jashtënatyrore siç janë politika dhe jo me stilin e vjetër me të cilin Natyra i zgjidh punët e veta: përplasja mes gjahut (njeriut) dhe gjahtarit (virusit) dhe mundësisht përmbysja e roleve. Për afërsisht 800 mijë vjetët e shkuara ka funksionuar mirë (andaj jemi ne sot ende këtu), por tani së fundmi njeriu ka ftuar politikën në ndihmë në një strategji të re: t’i iki virusit. Kjo strategji ka gjasa se nuk do të funksionojë dhe ulja e kurbës së infektimit apo rrafshimi i saj në fakt do të ndodhë kur Natyra ta kryejë ciklin e vet: me izolim apo pa izolim, njeriu do përballet me virusin dhe do ta mundë atë ose me kura (të prodhuara brenda logjikës së Natyrës), ose me imunitetin e vet. Izolimi nuk do ta mundë virusin. Ai diku do vazhdojë të struket dhe të na kapë në befasi në të ardhmen. Ndërhyrja e politikës nuk mund ta ndalojë këtë, por sigurisht mund të shkaktojë pasoja të papara në ekonominë botërore. Por ato i takojnë përllogaritjeve afatgjata politike dhe me to do merremi më vonë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.