Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kundërligjshmëria e Udhëzimit Administrativ për largimin e kryetarëve të komunave veriore

Dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 pasoi me shpalljen e zgjedhjeve për kryetarë të komunave veriore në Kosovë. Serbët bojkotuan zgjedhjet dhe kjo ua mundësoi fitoren partive shqiptare, që fituan zgjedhjet me më pak se 4% të votave totale.

Kundërshtimi i kryetarëve të rinj u përcoll me tensione nga serbët lokalë, ndërsa BE-ja fajësoi Kosovën për përshkallëzimin e situatës, me ç’rast u vendosën edhe sanksione ndaj Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 10 korrik 2023, arriti marrëveshje me pёrfaqёsuesin e lartё tё Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri.

Ndër pikat kryesore të marrëveshjes ishin reduktimi i Policisë së Kosovës nga objektet komunale në veri dhe krijimi i mundësive ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në komunat veriore.

Ndonëse hapi i parë për largimin e Policisë nga objektet komunale u implementua nga Qeveria e Kosovës, duke reduktuar 25% të pranisë së tyre, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme ende mbetet e papërcaktuar.

Kryeministri Kurti u deklarua në një prononcim për media se forma më e mirë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme është përmes peticionit, ku inicimi i tij bëhet me 20% të votuesve në komunën përkatëse, ashtu siç e përcakton Neni 72 i Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale.

Ky qëndrim i kryeministrit u manifestua me një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), i cili hyri në fuqi më 5 shtator 2023.

Megjithatë, Udhëzimi Administrativ për Iniciativën e Qytetarëve për Largimin e Kryetarit të Komunës nga Funksioni, si akt nënligjor, ka tejkaluar autorizimet që parashohin ligjet për zgjedhje në Kosovë.

Respektimi i hierarkisë juridike është një nga parimet thelbësore në drejtësi. Aktet me fuqi më të ulët duhet të jenë në pajtueshmëri me aktet me fuqi më të lartë juridike.

Aktet nënligjore, si në këtë rast, udhëzimet administrative, që kryesisht nxirren nga ministritë, hartohen për të vetmin qëllim, që është konkretizimi i ligjit në mënyrë që të bëhet i mundshëm zbatimi i tij praktikisht, në kuadër të kornizave që i parasheh ligji.

Ky udhëzim administrativ parasheh fillimisht inicimin e një peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse dhe nënshkrimin e tij nga 20% të votuesve të asaj komune.

Më pas, peticioni me nënshkrime do t’i dërgohej kryesuesit të kuvendit komunal dhe ai do ta dërgonte atë për verifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Nëse KQZ-ja vlerëson se janë ndjekur hapat e duhur, ajo organizon votimet për largimin e kryetarit nga funksioni.

Ky udhëzim administrativ, i nxjerrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), krijon obligime për KQZ-në, i cili është institucion i pavarur kushtetues, ku për mandatin dhe obligimet e saj vendos vetëm Kushtetuta dhe ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës.

Me fjalë të tjera, MAPL, një dikaster nga pushteti ekzekutiv, po përcakton detyrime për KQZ-në, kur dihet mirë që kompetencat për institucione i përcakton vetëm ligji dhe jo institucionet për njëra-tjetrën.

Andaj, vështruar në rrafshin juridik, MAPL, përmes këtij udhëzimi administrativ, ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Kosovës, sepse për çështje të tilla nuk mund të vendoset me akte nënligjore, por vetëm me ligj, andaj nëse i njëjti kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, ka gjasa të mëdha që të shpallet kundërkushtetues.

Gjithashtu, mbetet të shihet se a do të pajtohet KQZ-ja që të zbatojë udhëzimin administrativ i cili i jep kompetenca dhe detyra shtesë, që i tejkalojnë ato që parashohin ligjet në fuqi.

Komplikime të panevojshme

Ndonëse dorëheqja e kryetarëve nga komunat veriore do të ishte mundësia më e lehtë edhe në aspektin ligjor që të procedohet tutje me zgjedhjet e parakohshme, kryeministri Kurti ka treguar se preferon peticionin apo shkarkimin e kryetarëve ekzistues dhe jo dorëheqjet e tyre.

Opsionin e dorëheqjes e ka përkrahur publikisht kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, metodë e cila logjikisht me gjasa të mëdha do të preferohej më shumë edhe nga kryetarët e tjerë, sesa shkarkimi përmes peticionit.

Gjithashtu, qëndrimi i të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është i pajtimit se dorëheqja do të ishte rruga më efikase.

Megjithatë, forma e zgjedhur nga Qeveria Kurti për të shkuar në zgjedhje nxjerr në pah dëshirën e Kurtit për ta zvarritur këtë proces, sepse edhe nëse ekziston vullneti politik nga serbët për peticion (që është mjaft dyshuese), për largimin e kryetarëve dhe shpalljen e zgjedhjeve, duke llogaritur afatet me udhëzim administrativ, do të duheshin mesatarisht rreth tre muaj.

Në anën tjetër, metoda përmes dorëheqjes do të ishte më adekuate për të shkuar proceduralisht më afër zgjedhjeve të parakohshme në komunat veriore, sepse pas dorëheqjeve, brenda 45 ditëve, presidentja do t’i shpallte zgjedhjet e reja.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.