Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Lufta, elitat dhe shtetndërtimi

Asnjëherë nuk do ta kisha menduar që diskursi i luftës do të ekzistonte aq gjatë e aq më parë të mbizotëronte skenën politike e shoqërore. Pas luftës erdhi në pushtet, ta quaj kushtimisht – ’elita e luftës’ – e cila deshi fizikisht ta ndajë kontributin për rrugëtimin shekullor të vendit për mëvetësi. U tentua me automatizëm që të fshihej kontributi intelektual e shoqëror sidomos i viteve ’70 e ’80 duke prentenduar se gjithçka filloi nga viti 1999. Dhe kjo bazuar në shabllone denigruese si: ’komunizmi’, ’Jugosllavia’ etj. (duke harruar për një moment që vetëdija shoqërore dhe mobilizimi u ngrit pikërisht në atë periudhë dhe mbi bazën e investimeve te atëhershme). Në fakt, njëjtë kishin vepruar edhe komunistët në shumicën e shteteve të lindjes, pas Luftës së Dytë Botërore. Ata përdorën referenca denigruese për pushtetet e mëhershme që në atë periudhë ishin kryesisht monarkitë. Sa për ironi, përgatitja shkollore e intelektuale e elitës komuniste të pasluftës nuk do të dallonte shumë nga ajo e pasluftës në Kosovë.  Dhe me të drejtë, gjendjen ekzistuese në Kosovë një mik i imi do ta krahasonte me gjendjen shoqërore të X shtetit të lindjes në vitet ’50 apo ’60.

Mirëpo, tashmë kur kemi hyrë në një fazë kritike të shtetndërtimit, elita e luftës vazhdon të fusë nën hije dështimet duke përdorur akoma narracionin e luftës, qoftë ai si pjesë e konfrontimeve të brendshme. Rëndom lufta përdoret si shkop për dekurajimin e të tjerëve, të cilët duan të mirën e këtij vendi. Simboli i luftës për liri, i cili me të drejtë do të duhej të përdorej si referencë e lavdishme për gjeneratat e ardhshme, tashmë jo vetëm që është bërë monoton por ka shkuar aq larg saqë ka degraduar. Për ta ilustruar, nëse e marrim p. sh. një oficer të FSK-së – që realisht përfaqëson një organ tradicional të aparatit të shtetit – dhe i cili e sheh që referenca e luftës ka degraduar deri në atë masë, atëherë edhe zhvillimi i institucionit do të jetë në pikëpyetje. E në natyrën e këtyre institucioneve, sidomos në vendet ku nuk ka tradita institucionale sikurse Kosova, referenca e vetme është ajo e lavdisë dhe e krenarisë (pra simboli), sado e kontestuar që të jetë ajo. Kjo sepse ne nuk kemi korrelacion institucional me institucionet e mëhershme të sigurisë.

Unë nuk jam ithtar i ndryshimeve drastike shoqërore për arsyen e vetme që ato nuk do të jenë funksionale. Aq më pak bazuar në veprimet e histerisë së pasluftës, qoftë ajo çlirimtare (lufta e vitit 1999) apo nacionalçlirimtare (1945). Ajo çka realisht pres është një lloj hibridizimi të elitave, ku do të fuzionoheshin elita e luftës dhe ajo e shtetndërtimit. Elita e shtetndërtimit, dhe këtë kushtimisht po e quaj kësisoj, është elita e përbërë nga një shtresë e re e popullatës e cila do të ngërthejë një spektër të diversifikuar të intelektualve, ndërmarrësve, zyrtarëve etj. Sigurisht që elitat e fundit do të duhej gradualisht të dominonin spektrin jo vetëm politik por edhe atë institucional. Hibridizimi aktual me disa figura të reja është kozmetik, të cilët madje në shumë raste veprojnë më militantë sesa militarët e luftës. Pra, trajektorja e re do të duhej të reflektojë ndryshime ku do të përfshiheshin shtresat e reja – të ’pangarkuara” – të cilat shtetndërtimin e njohin mbi premisat e zhvillimit e jo të epsheve e pseudotriumfalizmave. Për më shumë, këto elita, natyrisht, nuk do të duhej të ndiheshin inferiore ndaj pranive ndërkombëtare, thjesht sepse nuk e kanë memorien e ’dominimit’ dhe udhëheqjes nga palët e treta. Si rrjedhojë, ato parimisht nuk do të duhej të reflektonin varësi endemike ndaj të tjerëve në dëm të interesave shoqërore e shtetërore.

Vazhdimi i një gjendje të tillë apatie do të ketë për pasojë erozionin shoqëror, pra emigrimin e shtresave intelektuale. Madje implikimet nga kjo do të jenë shumë të mëdha, aq të mëdha saqë zhvillimi shoqëror e institucional thjesht do të shpallej i dështuar. Nuk duhet të kemi iluzione që kjo rrugë do të trasohet shumë shpejt sidomos në konstalacionin ekzistues politik e shoqëror. Mirëpo nuk jam as ithtar i një defetizmi aktual që reflekton pasivitet dhe dëshpërim. Sigurisht që ka shumë vend për dëshpërim, mirëpo ndryshimet shoqërore në funksion të shtetndërtimit fillojnë nga drejtime të ndryshme. Të gjithë duhet të kontribuojmë në këtë drejtim!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.