Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbi lumturinë e gurëve – Babit

Ilustrimi: Big Eye

Mbi lumturinë e gurëve – Babit

***

Po lexoja njërin ndër librat e vetmitarit Philip Roth, kur mora lajmin se babai im ishte nisur për në emergjencë. Në mes provave te shfaqjes që po e punoja, u ngrita me zemër të dridhur ngase ndjeva se diçka nuk ishte në rregull. Gjeta babain të shtrirë në njërën prej veturave të lodhura emergjente, pa ndjenja, nën mëshirën e dy njerzve të panjohur që po gufonin nga djersët, dhe nën puthjet e mia mbi krahët e tij të ftohtë. E ndjeva se më kishte ardhur çasti që të bëja diçka; dhe e kuptova se e tërë dija e këtij çasti përmblidhej në pamundësinë për të bërë diçka. Të dalim aty ku ishim nisur.

Për babain tim jeta ishte pak a shumë sikurse për poetin e njohur francez Arthur Rimbaud – një farsë e luajtur nga të gjithë. Kjo nënkuptonte në një formë se loja gjithnjë zhvillohej në mes ndershmërisë dhe pandershmërisë. Pak a shumë e kam idenë se çfarë saktësisht mendonte njeriu i cili dashuronte telefonin e shtëpisë. Të pandershmit gjithnjë mund të i’a dalin lehtë, ndërsa pala tjetër  do të mundohej të mbante frymën. Dhe i detyruar nga rregulli i hamamtë i mbijetesës babai im jo rrallë herë ka zënë në thua, kur më paralajmëronte se jeta nuk ishte një shtrat i butë për qeniet, që nuk bënin kompromise apo për ata që ishin kundër rendit ekzistues.

Në të vërtet jeta e tij gjithnjë ka ecur në majën e thikës politike; dhe rrëzë bregut të detit të gjakut. I persekutuar dhe i përbuzur gjatë kohës së luftës nga djelmosha të armatosur serb, ai do ta kishte fatin e keq ta shijonte majën e automatikut. I dhënë pas atdheut të tij, gjatë kohës së luftës nuk do ta linte në baltë. Është përgjegjësi e çuditshme një atdhe, i cili mbetet pas nesh. Më ngjan si gjyshe që ankohet e përjarget nga sëmundje të ndryshme, e nuk ke se çfarë dreqin t’i bësh. E për më shumë se kaq nuk ke pasur kurrë se çfarë dreqin të bësh. Por t’i lëmë gjepurat që më takojnë mua. Gjithsesi, teknikat e terrorit që ushtron jeta janë të llojllojshme.

Menjëherë pas luftës babai u gjend në fushën e pacifizmit dhe përfundimisht hoqi dorë nga zhytja e tij në detin e tërbuar politik, pas skandalit të karrigeve të hedhura dhe vdekjes së njeriut, i cili për babain tim ishte njëri ndër figurat më të shquara të kombit. I varur nga situata të rënda jetese, gjithnjë nën diktate të ndryshme sunduese, nuk arriti kurrë të shkëputej nga edicionet e lajmeve dhe diskutimet e zjarrta politike, me mysafirët që mbanin qëndrime të kundërta me të tij.

Disi në vitet e fundit mbeti i zhgënjyer nga krizat e pandalshme, që nuk po arrinte t’i kuptonte. Rruga në oborrin e secilit kishte humbur. Dhe në të gjithë ishim bërë të bajatshëm nën regjimin e një sistemi të poshtër, që mbahet mbi shtyllat e gjithçkajes që është e kundërta e së drejtës. Njeriu i cili në vitet e nëntëdhjeta kishte rrogën aq sa një pako cigare, kurrë nuk ja kishte dalur të rregullonte asgjë edhe pse hante e pinte tok me politikanët e këtij vendi, pa asnjë komunikim të ngushtë me ta. Invazioni që na kishin bërë nëpër shtëpitë tona të ngrohta, ishte mizor.

I preokupuar pafundësisht nga të bëmat e tyre dhe pa pasur asnjë lloj rëndësie për ta,  jetonte një jetë e cila ishte e përcaktuar nga qeverisjet idiote. Një jetë e cila e kishte hedhur jashtë çdo orbite të rëndësishme politike. Fatkeqësia është se vijmë dhe shkojmë nën diktatin e tyre fyes politik, e cila me çdo kusht kërkon ta rrënojë kultin e nderit nëse e posedojmë dhe kultin e dinjitetit nëse e kemi. Por ama barra e vetes sonë është njollë që nuk hiqet. Prandaj të ndëshkuar me këtë atdhe që e kemi dhe me këta njerëz që e qeverisin, nuk kemi rrugë tjetër pos të paguajmë çmime të ndryshme nën llogarinë tonë ekzistenciale. Fatkeqësia ka të drejtën e pamohueshme për të mbetur gjallë. Asnjë revoltë qytetare që lind nga vetëdija jonë duket se nuk është shpresëdhënëse. Ose nuk dimë të revoltohemi ose nuk kemi vetëdije në nivelin e kënaqshëm.

Fatkeqësisht vitet e shqetësimit, po e dëshmojnë gjithnjë e më shumë. Prandaj duket se e vetmja revoltë e njëmendtë, të paktën për mua, është ajo metafizike të cilën Albert Camus i absurdshëm, e përkufizon si impuls me anë të së cilës njeriu ngrihet kundër gjendjes së tij dhe kundër krejt krijimit. Çfarë e kisha të shpërndarë shkujdeshëm në tërë trupin, bash në çastin kur njëri prej mjekëve më tha sa babai im kishte vdekur nga një sulm i ashpër kardiak.

***

Duket se pas vdekjes së tij të gjitha fushat e interesit tim mbi gjërat ishin djegur. Letërsia ishte një kafshë e ngordhur. Politika, një gërdi e madhe qesharake ku idiot të llojllojshëm përçmojnë fate të mjera njerëzish. Të gjitha aktivitetet njerëzore më dukeshin të pakuptimta dhe gjendja jonë e përbashkët, një vepër e pakuptueshme. Kisha mbetur i hutuar. I habitur. Dhe gjithë çfarë kisha në mendje dhe gjithë çfarë nuk kisha në të, kishte të bënte pak a shumë me atë se për çfarë kishte klithur një herë e një kohë filozofi gjerman Max Scheler. Në botë nuk ka mjaft dashuri aq sa për ta harxhuar kot në ndonjë gjë tjetër pos qenies njerëzore; dhe sado që për mua ishte e nevojshme për ta mbytur pikëllimin, nuk e kisha lumturinë e gurëve*.

*sipas Epikurit, mungesa e dhimbjes.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.