Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbi njollat dhe zogjtë

Mbi njollat dhe zogjtë

Kur e pastrojmë një objekt nga patina, (ajo shtresa e hollë që formohet në sipërfaqe të bakrit, bronzit, ose gurëve të caktuar, dhe mobiljeve prej druri, nga mosha dhe oksidimi,) e i themi restaurim, ose kur e zëvendësojmë me një lëndë të re një tra të nxirë nga polimerizimi, e i themi investim, ose kur vrimat e krimbave të drurit i lexojmë si problem strukturor, e jo si bukurshkrim, të gjitha këto ma kujtojnë dijetarin, John Ruskin, që “pisllëkun” e ndërtesave historike të Anglisë e quante, “njollë të kohës”, ndërsa pastrimin e tyre, “fshirje blasfemike dhe shkatërruese.”
Premisa që heqja e njollave është e barabartë me shkatërrim bazohet në idenë që vetë objekti është kjo njollosje kohore. Që koha rrjedh nga objekti, siç rrjedh uji nga gurra, dhe që objektet nuk janë në luftë me kohën. (Kujto perlën moderniste, Rilindjen, që nuk u la e qetë në harmoni me kontinuitetin kohor dhe sot duket si Hotel Baci.) Ose stelën e gruas në nekropolin verior të Ulpianës antike, e cila duket si suvenir i lirë allçie, tash që i jane hequr pa mëshirë, likenet mijëvjeçare që rriten nga 0,5 mm në vit.
Kohët e fundit u fol shumë për objektin e Gërmisë, ish-shtëpinë e mallrave nga koha e ish-Jugosllavisë, e asnjë fjalë për zogjtë që jetojnë në fasadën e tij. Debati plastik, “muze arti bashkëkohor vs. sallë koncertale,” i tëri u zhvillua në trininë: investim kapital, ekspertizë vlerësuese, industri e ndërtimtarisë. Rrjedhimisht, rezistenca e komunitetit kundër neoliberalizmit postkolonial të AKP-së, u sos në një vetkënaqësi të hegjemonisë mbi status quo-në.
Hapësira publike nuk është hapësirë fizike, por marrëdhënie intime me të përbashkëtën. E përbashkëta nuk është superioritet i subjekteve njerëzore mbi objektet jo-njerëzore, por ndërlidhje ekologjike. Prona e shtetit nuk mund të jetë përnjemend pronë publike për faktin që është pronë. E përbashkta humbet në momentin që bëhet pronë. Pra, fraza “pronë publike” është një kontradiktë termash, ndersa Gërmia, një pronë private e një komune anakronike ku zogjtë nuk mund të pronësojnë.
Fluturimet lozonjare dhe cicërrimat territoriale, zgjatin e zërojnë nga gushat romboide të fasadës ikonike. E përbëjnë një teatralitet natyror që s’mund të ndahet nga teatri njerëzor. Një eksplozivitet magjepsës që është shprehja e gjeneve të dizajnit arkitekturor. Poashtu, një barometër të antropocentrizmit tonë, sepse çka bëjmë me zogjtë – gjatë adaptimit japonez – e përcakton kulturën tonë.
Nëse hapësirat publike nuk janë realisht hapësira, por materie lidhëse midis eksperiencave (njerëzore dhe jonjerëzore,) të shtrira në kohë, fjala hapësirë bëhet e padobishëme për ta menduar të përbashktën. Nëse publike janë vetëm ngatërresat private, njollat e kohës dhe ekosistemet simbiotike, publikja dhe privatja duhet të rimendohen.
Ashtu si njollat e kohës që janë vetë objekti, zogjtë e fasadës janë vetë fasada. T’i mbrosh këta zogj është t’i lexosh si përbërës formalist të arkitekturës së objektit të Gërmisë. Dhe pastaj, jo vetëm të ofrosh precedent ekologjik, por edhe një shembull aktual si duhet mbrojtur trashëgimia e kryeqytetit tonë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.