Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mësimet dhe pasojat e Afganistanit

Me tërheqjen e trupave perëndimorë nga Afganistani është diskutuar shumë për atë se çfarë do të thotë kjo tërheqje dhe dështimi i shtetit afgan për vetëm disa ditë. Edhe pse kjo ishte diçka e pritur, shpejtësia e zhvillimeve i zuri të gjithë të befasuar. Këtu do të flas për arsyet pse ndodhi ky dështim aq shpejt, si dhe për pasojat e tij.

Ngjashmëri me Kosovën? 

Së pari do ta trajtoj çështjen e ngjashmërive të Afganistanit me Kosovën, që është ngritur disa herë në mënyrë të gabuar. Ngjashmëritë ishin se regjimi i talebanëve edhe pse u mposht nuk u eliminua dhe ata u lejuan të mbanin institucione paralele, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij. Ngjashmë, regjimi i Millosheviqit ishte lejuar të mbante institucione paralele në Kosovë dhe jashtë saj.

Këto institucione paralele vazhdimisht kanë minuar shtetësinë e Kosovës dhe vazhdojnë të jenë problematike duke parandaluar integrimin ndëretnik dhe minuar integritetin e shtetit të Kosovës. Po ashtu, këto institucione ishin financuar nga jashtë vazhdimisht, nga Serbia dhe nga Pakistani në rastin e talebanëve. Përtej kësaj, Kosova më shumë u ngjason shteteve të tjera të pas-konfliktit si Bosnja, dhe shteteve në transformim në përgjithësi, sesa Afganistanit që ishte një rast ekstrem i moszhvillimit dhe dobësisë së shtetit.

Institucionet

Një nga problemet kryesore me shtetin afgan ishin institucionet joefektive dhe të paqëndrueshme. Në ushtri kishte “ushtarë fantazma” që ishin listuar aty në mënyrë që komandantët t’i vidhnin pagat e tyre. Policia ishte jo institucion që ndjek krimin, por mundësi për policët të pasurohen përmes krimeve si shantazhi e kidnapimet.

Institucionet nuk ishin efektive, sepse ishin të gërryera nga korrupsioni. Por problemi është edhe më i madh. Është tepër e vështirë të ndërtohen institucione efektive në shoqëri të paindustrializuar. Së pari çështje madhore janë të hyrat publike; për t’i ndërtuar institucionet e shtetit duhet financim. Problemi në Afganistan ishte se shteti varej nga ndihmat e jashtme për financim, ku gjysma e të hyrave ishin nga jashtë. Kjo ndërlidhet me çështjen tjetër tejet të rëndësishme, bazën tatimore.

Për të siguruar të hyra publike duhet të ekzistojë një bazë tatimore e mjaftueshme në ekonomi. Për këtë duhet nje nivel i caktuar i industrializimit, sepse ekonomia paraindustriale nuk mund të ofrojë të hyra të mjaftueshme. Në Afganistan shumica e të punësuarëve ishin në bujqësi dhe industria ishte e nivelit rudimentar, ku dominon prodhimi i qilimave dhe nuk ka sektor të prodhimit për të qenë. Në një ekonomi të tillë është pothuajse e pamundur të sigurohen të hyra publike të mjaftueshme për ta mirëmbajtur një shtet modern.

Pasojat ndërkombëtare

Sigurisht se përfitues kryesorë të tërheqjes së trupave perëndimorë nga Afganistani janë Pakistani, Kina dhe Rusia. Por asnjëri nga akterët ndërkombëtarë nuk do të ndahet i kënaqur me pritjet e veta. Përderisa Perëndimi shpreson në stabilitet, shenjat e para janë se edhe talebanët nuk do të sjellin pacifikim të plotë të Afganistanit, sidomos për shkak të Shtetit Islamik-Khorasan, por edhe grupeve të tjera. Jostabilitati i mundshëm paraqet rrezik të drejtëpërdrejtë për Pakistanin dhe Kinën. Kurse Rusia tashmë ka rritur ndikimin në Azinë Qendrore për shkak të frikës së shteteve të rajonit nga talebanët.

Frika për rënien e reputacionit të SHBA-së ose mosangazhimit në arenën ndërkombëtare është e tepruar. Tërheqja ishte bërë me vendimin e SHBA-së dhe në të njëjtën kohë i liron resurset për angazhime në zona të tjera më me interes. Kjo gjithashtu nënkupton se ka një kthim të garës mes fuqive të mëdha, ku secila u kushton vëmendjeve zonave me interes strategjik për të dhe asnjëra nuk provon të jetë polic i botës. Pyetja relevante për neve është si do të manifestohet kjo garë në Ballkanin Perëndimor? A do të ketë angazhim më të madh të SHBA-së dhe BE-së për t’i kundërshtuar depërtimet e Rusisë dhe Kinës?

Kapacitetet evropiane

E ndërlidhur me këtë është edhe çështja e Evropës. Tashmë ka thirrje për forcimin e autonomisë strategjike të Evropës dhe zvogëlimin e varësisë ndaj SHBA-së. Vetë tërheqja nga Afganistani i ka shpërfaqur mangësitë e Evropës sa i përket rolit të saj në botë, ku pa infrastrukturën amerikane evropianët nuk do të kishin qenë në gjendje t’i evakuonin qytetarët e tyre. Kjo do të duhej ishte alarmi i fundit për evropianët për t’i forcuar kapacitetet e tyre për veprim të jashtëm, pavarësisht SHBA-së.

Në fakt, tashmë ka precedent për këtë, sepse evropianët kanë marrë rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor. Për shembull, kur ka pasur nevojë për rritje të numrit të trupave në Kosovë, atë e kanë bërë shtetet evropiane në krye me Gjermaninë. Një NATO me dy krahë të fuqishëm, ku secili është në gjendje të veprojë pavarësisht nga tjetri, do ta fuqizonte pozitën e perëndimit në garën e re të fuqive të mëdha. Sa u përket Ballkanit dhe Evropës Lindore, kjo do ta mundësonte kundërvënien ndaj ndërhyrjeve të Rusisë dhe Kinës.

Mësimet 

Përvoja dydekadëshe e Afganistanit jep disa mësime për shtetet në tranzicion dhe ndihmat zhvillimore. Së pari duhet investuar në krijimin e industrisë vendore, në mënyrë që të ketë një bazë tatimore të mjaftueshme. Këtu duhet të ketë investime të brendshme, por në të njëjtën kohë u duhet bërë thirrje edhe donatorëve që investimet të ndihmojnë në këtë drejtim. Po ashtu, duhet forcuar efektiviteti i institucioneve përmes rritjes së profesionalizmit dhe meritokracisë, duke përfshirë ushtrinë. Për shtetet si Kosova, anëtarësimi në NATO dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse është imperative.

Siç vërehet te konflikti mes Greqisë dhe Turqisë, vetë anëtarësimi në NATO nuk është garancion se nuk do të ketë fërkime mes shteteve të anëtarëve. Mosmarrëveshjet mes këtyre dy shteteve janë shkaku pse të dyja kanë investuar të kenë ushtri të fortë. Pastaj, zhvillimet e fundit ku shtetet angazhohen në luftë hibride nënkuptojnë që edhe anëtarësimi në NATO nuk është i mjaftueshëm për siguri, sepse NATO aktivizon mbrojtjen kolektive (artikullin 5), vetëm në rast të sulmit klasik.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.