Shërbyesit civilë në Ministrinë e Drejtësisë (MD), që nuk bëjnë pjesë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe nuk u përshtaten politikave të tyre, përballen me presion, shantazh e hakmarrje, dhe vendosen në komisione disiplinore e sanksionohen me masa të ndryshme, deri te suspendimet e shkarkimet.
Një pjesë e tyre vendosin të heshtin para pushtetit arbitrar, ndërsa pjesa më e madhe ofrojnë dorëheqje.
Vetëm në Zyrën e Kryeministrit Kurti, përgjatë këtyre dy viteve, kanë dhënë dorëheqje 27 zyrtarë, numër i cili tregon se keqtrajtimi ndaj zyrtarëve jopolitikë brenda Qeverisë është evident.
Ndërsa një pjesë e vogël e zyrtarëve vendosin të fillojnë beteja ligjore për t’i kundërshtuar vendimet e kundërligjshme ndaj tyre, që zakonisht cenojnë të drejtën në punë.
Ministrja Albulena Haxhiu, vetëm gjatë vitit 2023, ka marrë disa vendime që sanksionojnë vartësit e saj: dënime në pagë, shkarkime dhe suspendime. Megjithatë, të gjitha këto vendime u kthyen mbrapa si të kundërligjshme nga organet më të larta, përkatësisht Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbyesit Civilë të Kosovës (tutje KPMShCK).
Në vijim do të elaborohen tri raste kyçe të cilat vërtetojnë tendencën për hakmarrje të ministres Haxhiu ndaj stafit civil të MD-së.
Rasti 1: Elbasan Devishaj, Udhëheqës i Departamentit për Profesione të Lira në MD
Elbasan Dervishaj është përballur në dy beteja ligjore me stafin politik të udhëhequr nga Albulena Haxhiu.
Më 31 maj 2022, zv. Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, kërkoi auditim të brendshëm për ta verifikuar vijueshmërinë në punë vetëm për zyrtarin në fjalë dhe jo edhe për divizionet e tjera.
Raporti i Auditorit të Brendshëm kishte të meta ligjore, megjithatë ky nuk ishte problem për shqiptimin e masës disiplinore. Si rezultat i këtij raporti, atij iu shqiptua vërejtje disiplinore.
Këtë masë, Elbasan Dervishaj e kundërshtoi me ankesë në KPMShCK, organ i cili më 11.08.2023, shqiptimin e kësaj mase e përcaktoi si vendim të kundërligjshëm.
KPMShCK konstatoi se kërkesa për auditim ndaj një udhëheqësi specifik përmban elemente të diskriminimit dhe zv. Ministri nuk ka kompetencë të autorizojë auditim të tillë, i cili në rastin konkret ka tejkaluar autorizimet ligjore.
Por, beteja ligjore ndaj Elbasan Dervishaj nuk përfundoi këtu, sepse MD e dërgoi në komision disiplinor atë për shkak të një postimi në Facebook, përmes të cilit shprehu gëzimin për betejën e fituar dhe kritikoi VV-në e qasjen e saj.
Më 9 shkurt 2023. Komisioni Disiplinor vendosi që Elbasan Dervishaj të dënohej me heqje prej 20% të pagës për dy muaj, për shkak të shkeljes së profesionalizmit dhe etikës nga zyrtari. Por, KPMShCK e rrëzoi edhe këtë vendim, duke konstatuar se ka pasur shkelje dhe vendimi i marrë është i kundërligjshëm.
Rasti 2: Ylber Topalli, ish-Kryeinspektor në MD, dhe Destan Zogaj, ish-Ushtrues i detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit, Prizren
Ylber Topalli dhe Destan Zogaj u akuzuan nga MD se kishin bërë shkelje të mëdha disiplinore, ku në një reagim të MD-së thuhet se: “Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit”.
Gjithashtu edhe Destan Zogaj u akuzua për shkelje të rëndë disiplinore në rastin e Astrit Deharit.
Zogaj dhe Topalli u shkarkuan në shkurt dhe maj. Por, pas ankesës së tyre ndaj këtyre shkarkimeve, KPMShCK në mbledhjet e mbajtura më 22 dhe 29 qershor vendosi t’i kthente në punë.
Këto shkarkime erdhën si rezultat i kauzës së VV-së për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, gjë që e kishin premtuar në vazhdimësi në kohën sa ishin në opozitë. Madje, ministrja Haxhiu, në ditën e parë si ministre, vizitoi burgun e Prizrenit (ku vdiq Astrit Dehari) dhe premtoi se me ardhjen e saj do të zbardhej ky rast.
Ministrja Haxhiu si duket ende nuk e ka të qartë se kompetencë për zbardhje të rasteve të tilla ka vetëm Prokuroria si organ i pavarur dhe jo organet e pushtetit ekzekutiv, në këtë rast MD-ja.
Por, për ta “përmbushur” premtimin e vet, zgjodhi që përmes shkarkimeve t’i adresojë fajtorët për rastin konkret, që rezultuan të jenë të kundërligjshme.
Rasti 3: Irfan Kërçagu, përmbarues privat në Prishtinë
Më 19 Maj 2023, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu mori vendim për suspendimin e përmbaruesit Irfan Kërçagu, duke paralajmruar që nuk do të tolerohet asnjë shkelje.
Në vendimin e publikuar nga ministrja Haxhiu thuhet se suspendimi ka ardhur pasi ajo ka pranuar raportin dhe procesverbalin për kryerjen e mbikëqyrjes së ligjshmërisë të punës së përmbaruesit privat, andaj i njëjti është propozuar për komision disiplinor dhe në mënyrë që procedura para komisionit të zhvillohet e papenguar, ajo vendosi që ta suspendojë përmbaruesin Irfan Kërçagu.
Por, dy javë më pas, Komisioni Disiplinor vendosi se raporti për inicim të procedurës diciplinore ndaj përmbaruesit në fjalë është i pabazë, rrjedhimisht suspendimi ishte i kundërligjshëm.
Vendimi i Komisionit Disiplinor anuloi suspendimin dhe përmbaruesi Irfan Kërçagu u kthye në punë persëri.
Sikurse në MD, edhe në shumë ministri të tjera që udhëhiqen nga kabineti i Kurtit, fatkeqësisht gjendja është e njejtë sa u përket padrejtësive.
Presioni, shantazhi dhe hakmarrja si taktika politike të Qeverisë Kurti, burimin e kanë në totalitarizëm, ku qëllimi është i qartë: disiplinimi i vartësve të tyre.