Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ministritë e granteve

Ilustrimi: Big Eye

Ministritë e granteve

Në Kosovë grante për përkrahje të NVM-ve, duke mos përfshirë sektorin e bujqësisë, japin Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Inovacionit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencionit për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë,  Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, dhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Numri i madh i institucioneve që japin grante të njëjta për të njëjtin qëllim tregon se sa i përhapur është koncepti i dhënies së granteve në institucionet e Kosovës dhe sa josistemore është përkrahja që i bëhet NVM-ve.

Logjika e qeverisë, lidhur me zhvillimin e ndërmarrësisë dhe punësimin, qëndron në trajtimin e ndërmarrjeve dhe vendeve të punës si mallra që blihen përmes granteve dhe jo si produkte të zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik. Kjo qeveri ka mbi 5 ministri që japin grante, por nuk ndihmojnë ambientin e biznesit, tregun e lirë, konkurrencën, zhvillimin e fuqisë punëtore, mbrojtjen e konsumatorit, zvogëlimin e informalitetit, lehtësimin e procedurave, sistemin tatimor dhe doganor etj. Me këtë logjikë të gabuar ekonomike, jo vetëm që çdo ministri u shndërrua në fond për dhënien e granteve, por u krijuan edhe dy ministri të reja, ajo e Zhvillimit Rajonal dhe Ministria e Inovacionit, dhe që të dyja këto ministri  nuk kanë asnjë funksion tjetër përveç dhënies së granteve.

Pas luftës, pra pas vitit 1999 financimi i biznesit ishe problem i madh dhe kjo kryesisht ishte ndikuar nga fakti që ekonomia e Kosovës kishte pësuar shkatërrim total dhe kishte mungesë të kapitalit të akumuluar, ato pak para që kishin njerëzit kryesisht u përdorën për rindërtim dhe kështu limitohej qasja në financa për ndërmarrje. Një tjetër faktor me rëndësi që pengonte financimin ishte qasja e vështirë në kredi bankare, normat e interesit që zbatoheshin nga bankat në Kosovë silleshin deri në 20 %. Për një kohë të gjatë ka mbizotërues bindja që kredia është opsion i keq i financimit të biznesit dhe se bizneset nuk duhet të bazohen në kredi për të siguruar financim.

Tani, qasja në financa për ndërmarrje është përmirësuar dukshëm dhe ekziston një potencial më i madh i financimit të biznesit. Në rast se ambienti i biznesit do të ishte më i favorshëm, investimet në ndërmarrje nuk do të mungonin; mendoni vetëm sikur ato para që sot të rinjtë janë të gatshëm t’i shpenzojnë për t’u larguar nga Kosova, do të ishin investuar për hapjen e bizneseve! Diaspora është po ashtu një burim i pashfrytëzuar i financimit të bizneseve në Kosovë, në vend të blerjes së banesave ose shpenzimeve tjera të konsumit, këto para do të mund të investoheshin në hapjen dhe zgjerimin e bizneseve!

Normat e interesit kanë shënuar rënie. Në vitin 2016 është themeluar edhe një institucion i rëndësishëm, “Fondi Kosovar për Garanci Kreditore” i cili po ashtu luan rol me rëndësi për sektorin privat në sigurim të qasjes më të lehtë në financim. Kredia duhet kuptuar si formë standarde e financimit të biznesit, nëse një biznes nuk mund ta kthejë kredinë ose nuk mund të bindë një bankë apo investitor, që të investojë në biznesin e tij, atëherë ndoshta ai biznes edhe nuk e meriton që të zhvillohet. Në përgjithësi gjendja e ndërmarrjeve sot nuk është në fazën emergjente siç ishte pas luftës dhe qasja në financim është larguar nga top lista e pengesave e të bërit biznes në Kosovë, dhe nuk e arsyeton dhënien e granteve të shumta nga shumë ministri.

Kur qeveria e ka qëllim kryesor vetëm mbulimin me “letra” dhe jo krijimin e efekteve afatgjate në treg, atëherë grantet janë mundësi e mirë për “rezultate”, p. sh. një skemë e granteve për bujqit kishte kërkuar që për të aplikuar për grante, ata duhej të regjistronin aktivitetin e tyre si biznes privat, ashtu si çdo bujk do të obligohej të regjistrohej si biznes vetëm për të aplikuar dhe kështu kjo ndikoi në rritjen e numrit të  bizneseve të regjistruara. Një tjetër skemë e granteve kërkonte nga bizneset që të regjistrojnë një punëtor më shumë për ta përfituar grantin, dhe shumica “sa për letra” regjistruan gruan, motrën, vëllain ose ndonjë familjar tjetër si punëtor, dhe nga kalkulimet doli se tatimet dhe pensionet e paguara për këta punëtorë për 1 ose 2 vjet ishin shumë më të të ulëta në krahasim me grantin e fituar. Asnjëherë nuk u mbikëqyren këto biznese për efektin afatgjatë të këtyre granteve në rritje të biznesit ose rritje të punësimit.

Dhënia e granteve përveç që është instrument për të lehtësuar qasjen në financa për ndërmarrje, ka edhe efekte negative dhe jo gjithmonë ndikon pozitivisht në zhvillim të biznesit; po i përmend vetëm disa:

 Shumë biznese duke ndjekur grantet, fokusohen vetëm në fitimin e grantit dhe  harrojnë të fokusohen në arritje të suksesit.

 Procedurat për grante janë të stërzgjatura, ku ka përsëritje të konkurseve për aplikim, vonesa në dhënien e grantit, etj. saqë bizneset duke pritur në periudha të gjata i shkatërrojnë idetë  dhe ato bëhen pastaj jorelevante për tregun.

 Grantet mundësojnë poashtu hapjen e bizneseve që nuk janë profitabile, ku disa biznese hapen dhe operojnë vetëm pasi përfitojnë financime falas, dhe sapo t’i shpenzojnë këto grante, menjëherë mbyllen pasi që nuk arrijnë të mbesin profitabile në  treg.

 Përfituesit e grantit që janë zakonisht pa përvojë i bëjnë konkurrencë bizneseve ekzistuese duke krijuar kështu konkurrencë jolojale.

 Ka raste kur bizneset paguajnë kosto të panevojshme për të konkurruar për grante, për shërbime si mbushje të dokumentacionit, plan të biznesit etj.

Grantet paraqesin mundësi “fenomenale” për keqpërdorime, pasi që bizneset përfituese të granteve vlerësohen subjektivisht nga anëtarët e komisioneve mbi idenë e biznesit ose planin e biznesit, dhe poashtu vlerësimi bëhet nga persona jokompetentë dhe politikisht të zgjedhur. Mundësia për keqpërdorime është tejet e madhe dhe nuk ka dyshime që grantet sot përdoren për qëllime politike ose korruptive.

Kosova ka një ekonomi kryesisht të ndryshme nga ajo e pasluftës prandaj edhe intervenimet për përkrahjen e NVM-ve duhet të ndryshojnë format dhe të bazohen më shumë në përmirësim të ambientit të biznesit dhe forcim të mekanizmave rregullues të tregut, sesa në dhënien e granteve financiare.

Të gjithë ata ndërmarrës që dëshirojnë të hapin biznese të reja ose të zgjerojnë biznesin ekzistues në Kosovë, këshillohen që të startojnë me forca të tyre, të mos vrapojnë pas granteve, e të mos humbin kohë, sepse programet e qeverisë vetëm do t’ua ngadalësojnë këtë proces, do t’i dëshpërojnë dhe do t’u humbasin fokusin, sepse ato janë krijuar për militantë partiakë dhe keqpërdorime, dhe jo për ndërmarrës të vërtetë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.