Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mos të harrohen fshataret

Ilustrimi: Big Eye

Në revistën Kosovarja të vitit 1971, kur redaksia i ka pyetur gratë se çka presin nga revista, përveç dëshirës për të parë imazhe bashkëkohore dhe emancipuese të grave përtej amvisërisë, ishin dy lexuese që kërkuan nga revista që t’i kushtojë rëndësi emancipimit të grave në fshatra. Njëra nga to kishte pohuar: “të shkruhet për modën por mos të harrohen fshataret.”

Edhe sot gratë në zona rurale kanë më së paku qasje në resurse e mundësi përtej punëve të shtëpisë. Në pyetjen se me çka merresh, “Jam veç amvise” është përgjigjja e gati të gjitha grave të moshës rreth 30-60 në zona rurale në aktivitetet e mia në terren. Kur i pyes se cilat janë në fakt ato “punë amvisësh”, ato e përmendin gatimin, përkujdesjen e fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, pastrimin e shtëpisë, larjen dhe hekurosjen e rrobave. Disa ekonomiste feministe këtë e quajnë “ekonomi riprodhuese”, dhe e dallojnë nga ajo prodhuese që përfshinë punën e cila në fakt të sjellë të ardhura.

Pjesë e amvisërisë së këtyre grave është edhe puna në fushë që për shumë prej tyre është e përditshme. Por, prapë se prapë, kontributi mbetet në bazë vullnetare. Në këtë mënyrë, gratë kontribuojnë drejtpërdrejtë jo vetëm në aspektin praktik dhe emotiv përmes përkujdesjes, por edhe në ekonominë familjare përmes produkteve që shiten në kuadër të ndonjë biznesi familjar, apo që thjesht konsumohen brenda familjes.

Burrat në anën tjetër, kanë qëndrim tjetër sa i përket angazhimit të tyre vullnetar në komunitet. Këtë po e vërej çdo herë e më shumë në aktivitetet me kryetarët e Këshillave/Komiteteve të Fshatrave në disa komuna të Kosovës. Si strukturë joformale vendimmarrëse në nivel fshati, kryetari që e udhëheq Këshillin e fshatit të tij, e bën punën në bazë vullnetare dhe nuk paguhet nga niveli komunal për iniciativat që ndërmerr në fshat, si p.sh. për rregullimin e rrugëve, mbledhjen e mbeturinave, pajtimin e personave në konflikt familjar, dhe çështje të ngjashme.

Ata me të cilët jam takuar e kam ‘kuvenduar’ ankohen për mungesë kompensimi nga komuna për punën që e bëjnë, punë e cila sipas tyre është shumë e lodhshme. Këtë e thonë sidomos kur flitet për mundësinë e angazhimit të grave në Këshill. Ata e shohin të pamundur një grua jo vetëm në pozitën e kryetares së fshatit por edhe të anëtares të Këshillit (apo përfaqësueses së lagjes).

Pa dashur t’i mohoj të mirat që angazhimi i këtyre burrave u sjell fshatrave, është po ashtu e pamundur të mohohet fakti që një kryetar fshati gëzon respekt dhe privilegje jo vetëm për punën që kryen për të mirën e komunitet, po edhe thjesht për faktin se roli i tij në vendimmarrje nuk kontestohet nga normat shoqërore. Këto norma janë (sipas edhe vet kryetarëve të fshatrave) më të fuqishme sesa ligjet dhe rregulloret, dhe ato refuzojnë ta shohin gruan përtej oborrit të shtëpisë dhe assesi që ajo ta ketë fjalën e fundit në vendime të caktuara.

Pra, kontributi vullnetar në komunitet i një burri dallon shumë nga ai i një gruaje. Kontributi i burrave vlerësohet, ndërsa i grave nënvlerësohet, merret si i mirëqenë apo edhe nuk vlerësohet si kontribut fare. “Mundi i saj ishte sakrifikues, kurrë nuk u vlerësua për punë të vërtetë.” – shpjegoi bell hooks për nënën e saj në librin “Ku qëndrojmë; klasa shoqërore ka rëndësi”.

Ligji për Barazi Gjinore parasheh vlerësim për punën e papaguar për gratë e burrat që kontribuojnë në zhvillimin e familjes dhe shoqërisë duke ofruar mirëqenie, duke u përkujdesur për fëmijët dhe anëtarë të tjerë të familjes, si dhe duke u marrë me bujqësi dhe ekonomi familjare. Ligji në fjalë thotë që subjektet që bëjnë një kontribut të tillë përfitojnë nga shërbimet në komunitet, nga politikat e punësimit apo atyre të trajnimeve profesionale.

Por duke e marrë parasysh që familjet në shoqërinë tonë janë patrilokale (ku gruaja jeton me burrin dhe familjen e tij në shtëpinë e tyre), janë patriarkale (me role të ndara gjinore për gratë në shtëpi e burra jashtë saj), si dhe të dhënat për mungesë të grave në tregun e punës, kuptojmë që gratë janë ato që kontribuojnë falas përgjatë gjithë jetës së tyre. Kjo nënkupton që ato më shumë se kushdo tjetër duhet të përfitojnë nga perspektiva e kontributit të papaguar. Por deri më sot, nuk kam parë apo dëgjuar për masë afirmative nga politikat e punësimit për kontributin sakrifikues të grave dhe as ndonjë përfitim nga shërbimet komunitare.

Në shumë fshatra (përfshirë qytetet), gratë janë forcë shfrytëzuese punuese, prodhuese e riprodhuese. Edhe pse i ushqejnë e mirëmbajnë familjet dhe e rrisin kapitalin ekonomik në familje e komunitet, prapë kontributi i tyre mbetet sakrifikues, ‘vullnetar’ dhe i mirëqenë. I tillë konsiderohet nga institucionet dhe politikat e tyre përjashtuese në bazë gjinore, si dhe nga vet shoqëria që vazhdon t’i thur vargje e poezi figurës së gruas “si shtyllë e familjes” por vazhdon t’ia shkel të drejtat themelore të njeriut.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.