Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndikimi turk në Kosovë përmes fuqisë së butë

Ballkani Perëndimor është cak i ndikimit nga fuqitë botërore dhe rajonale. Përveç ndikimit në kuptimin klasik të fjalës (ekonomik dhe politik), në Kosovë është evidentuar një rritje e ndikimit të fuqisë së butë, veçanërisht nga Turqia, e cila shfrytëzon aspektet kulturore dhe fetare për të projektuar fuqinë e saj në Kosovë.

Ky ndikim ushtrohet përmes “diplomacisë kulturore”, e cila nënkupton referimin e “faktorëve kulturorë dhe fetarë si mjete për të projektuar fuqinë e butë në një gjeografi imagjinare osmane”.

Fuqia e butë është një term i shpikur nga profesori amerikan Joseph S. Nye, që shënjon “aftësinë për të arritur rezultate të parapëlqyera përmes tërheqjes dhe jo me anë të detyrimit”.

Për shembull, ShBA-ja njihet në botë përmes filmave të Hollywood-it, produkteve të Apple-it, ligës së basketbollit NBA dhe universiteteve prestigjioze si Harvard, gjë që bën ShBA-në një vend të dëshirueshëm për shumë individë. Në këtë kontekst, ShBA-ja mund t’i shfrytëzojë këto tipare për të ndikuar te vendet e tjera në mënyrë që t’i arrijë objektivat e saj politikë.

Ngjashëm, Turqia ndikon në Kosovë përmes mekanizmave kulturorë dhe fetarë, siç janë restaurimi i xhamive dhe prania e madhe e serive dhe telenovelave turke.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka bërë një mori investimesh në Kosovë. Ndërhyrjet e TIKA-s në Kosovë, me arsyetimin e restaurimit, shpeshherë kanë pasur prirje revizioniste, në përpjekje për t’i ridizajnuar objektet, duke u shtuar atyre elemente osmane.

Shumica dërmuese e televizioneve në Kosovë kanë transmetuar dhjetëra seri turke përgjatë viteve. Transmetimi i serive dhe telenovelave turke ka krijuar një pasqyrë kulturore mes shqiptarëve dhe turqve, duke ushqyer afinitet më të madh ndaj Turqisë.

Ky sukses i telenovelave turke ka vazhduar të interpretohet me argumentin e një “përputhshmërie kulturore”, të supozuar në vendet e synuara.

Pedagogu Alban Tartari, në punimin e tij të doktoratës, ka theksuar se, pas Maqedonisë, “Kosova është shteti i dytë me radhë në Ballkan që i transmeton seritë turke.” Kjo tregon që gjithë ky popullaritet i serive turke ka ndikuar në ndryshimin e paragjykimeve negative për Turqinë dhe kulturën turke.

Turqia e konsideron Ballkanin Perëndimor prioritet për shkak të lidhjeve historike, kulturore e fetare me rajonin. Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kosovës manifestohen në forma të ndryshme, duke filluar nga ajo politike, ekonomike, sociale e kulturore.

Megjithatë, ky bashkëpunim dhe ndikim i fuqisë së butë krijon hapësirë për t’i arritur qëllimet e shtetit turk, të cilat nuk janë gjithnjë në favor të Kosovës. Kjo është evidentuar në raste të ndryshme, siç qe arrestimi i “gylenistëve” dhe tentativat për t’i rishkruar librat e historisë për të paraqitur një narracion alternativ dhe më miqësor ndaj perandorisë osmane.

Kërkesa për rishkrim të historisë

Me ndryshimin gradual të ndikimit, Turqia filloi të ketë më shumë vetëbesim në raport me Kosovën. Në vitin 2011, Turqia i kërkoi Kosovës t’i rishikojë edhe tekstet shkollore të historisë, për t’i larguar termat të cilët i referoheshin Perandorisë Osmane si pushtuese.

”Turqia nuk është e lumtur që kosovarët mësojnë historinë siç interpretohet nga Josip Broz Tito apo Enver Hoxha”, ishte shprehur ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu. E njëjta kërkesë kishte ardhur edhe nga ministri i Arsimit i Turqisë, Omer Dinçer, në takimin me homologun kosovar, Ramë Buja.

Për pasojë dhe në funksion të përmbushjes së kërkesës turke, ministri Buja pati themeluar një komision për t’i trajtuar vërejtjet e Turqisë. Ky vendim skandaloz i ministrit shpërfaq prirjen turke për të ndikuar në Kosovë për qëllime pozitive.

Ndryshime në librat e historisë së klasave fillore e të mesme u miratuan për vitin shkollor 2013-2014, duke i vendosur në nivelin fillor dhe të mesëm. Autoritetet e Kosovës mohuan të ketë pasur ndryshime të mëdha, duke thënë se “synimi ka qenë të heqim aty-këtu gjuhë të urrejtjes, të një fjalori pak a shumë agresiv”.

Një hulumtim i Gazetës JNK gjeti se në librin e klasës së pestë fjalët “dhunë dhe vrasje” ishin zëvendësuar me “pushtim dhe burgosje”. Në një rast tjetër, fjalia “osmanët vranë shumë shqiptarë” është larguar nga teksti, ndërsa fjala ”ashpërsi” është zëvendësuar me “ndërhyrje ushtarake”.

Kërkesa për deportim të gylenistëve

FETO-ja konsiderohet një organizatë terroriste nga presidenti Erdogan dhe ajo fajësohet për grusht-shtetin e dështuar në vitin 2016. Në vitin 1999, Fetullah Gülen u shpërngul në shtetin amerikan të Pensilvanisë, ku vazhdon të banojë ende. Pavarësisht kërkesës së Erdoganit, SHBA-ja deri tash ka refuzuar t’ia dorëzojë Gülenin Turqisë.

Ndikimi turk shkoi aq larg sa Kosova rrezikoi edhe përkeqësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Europian, për ta përmbushur kërkesën e presidentit Erdogan për arrestimin e gylenistëve.

Më 29 mars 2018, Kosova ia dorëzoi Turqisë gjashtë shtetas turq të cilët akuzoheshin nga Ankaraja se ishin anëtarë të rrjetit të Fetullah Gülen-it. Kuvendi i Kosovës formoi Komision hetimor parlamentar për operacionin e dëbimit, i cili konstatoi 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit. Ndërsa për shkeljet më të mëdha akuzat ishin në drejtim të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Policisë së Kosovës.

Ndërsa, sa i përket kësaj shkeljeje të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës, askush nuk mori përgjegjësi.

Erdogan u kishte bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i mbyllin të gjitha shkollat të cilat ishin hapur pas luftës me mbështetjen e Gulenit, mirëpo kjo kërkesë i ishte refuzuar.

Turqia, përmes mekanizmave të tillë, përpiqet të krijojë një diskurs të fuqisë së butë në agjendën e saj politike, me qëllimin për të rritur më tepër ndikimin e saj në nivelin global. Kjo diplomaci e re turke ka për qëllim ekspansionin në vende të tjera dhe synon ndërtimin e një identiteti të ri për veten.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.