(Ky shkrim është shkruar në prag të ditës së ndërmarrësisë, e cila festohet me 6 nëntor).
Njerëzit janë të prirë të mbivlerësojnë rëndësinë e bamirësisë. Përderisa është e vërtetë që bamirësia ka ndihmuar në reduktimin e varfërisë në disa raste, bamirësit më të mëdhenj mendojnë që ndërmarrësia është mjet më i mirë për ta përmirësuar jetën e njerëzve.
Bill Gates, fondi bamirës i të cilit është mbi 20 herë sa buxheti i Kosovës, thotë se bamirësia nuk është e mjaftueshme. Shpenzimet e fondit të tij në kujdesin shëndetësor dhe uljen e varfërisë kanë zhvilluar një formë të re të ndërmarrësisë, e cila njihet si filantrokapitalizëm.
Një person tjetër i njohur për përpjekjet e tij bamirëse, vokalisti i U2, Bono, një herë kishte thënë se: “Ndihma është vetëm një masë e përkohshme. Tregtia dhe kapitalizmi ndërmarrësor nxjerrin më shumë njerëz nga varfëria sesa bamirësia.”
Bashkëthemeluesi i Google, Larry Page, është treguar më i gatshëm t’ia lërë pasurinë e tij $39.6 miliardëshe Elon Musk-ut sesa ndonjë organizate bamirëse. Musk është një ndërmarrës, inxhinier, shpikës dhe investitor, i cili në mesin e shumë bizneseve është duke u përpjekur të zhvillojë raketa që njerëzimi ta kolonizojë Marsin. Deklarata e Page-it dëshmon fuqishëm besimin e tij në ndërmarrësi si mjet për t’i fituar betejat ekonomike.
Këto kanë kuptim kur i mendoni, sepse ndërmarrësia i ka dy gjëra që ndoshta bamirësia nuk i ka: qëndrueshmërinë dhe llogaridhënien.
Bamirësia është e varur nga një fond i kufizuar i parave, i cili në çdo moment mund të shterret, kurse ndërmarrësia ia jep përfituesit mjetet për t’i krijuar të ardhurat e tij vetvetiu nëpërmjet profitit apo pagës. Për dallim nga ai që përfiton nga bamirësia, ndërmarrësi jeton nga një biznes që e udhëheq dhe nëpërmes të cilit fiton, kurse punëtorët jetojnë nga paga që e marrin. Bamirësia ta jep vetëm peshkun, kurse ndërmarrësia peshkimin.
Ndërmarrësia kërkon gjithashtu më shumë llogaridhënie sesa bamirësia. Një ndërmarrës është nën presion për të prodhuar mallra dhe shërbime që konsumatorëve i duhen, përndryshe nuk bën shitje dhe përballet me humbje. Por bamirësia nuk funksionon sipas këtij mekanizmi të ngurtë. Pothuajse çdokush mund të përfitojë nga ajo, pa marrë parasysh se a ka me të vërtetë nevojë për të.
Kjo është dëshmuar në Afrikë, për shembull, ku fondet e bamirësisë nuk i marrin të varfërit e uritur por ato vazhdimisht përfundojnë në duart e luftëtarëve cuba dhe politikanëve.
Vendet më shumë ndërmarrëse si Kanadaja, Australia, dhe Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu më shumë bamirëse. Që një vend të jetë bamirës duhet së pari të ketë para. E meqë ndërmarrësia i ka ndihmuar këto vende të pasurohen, ato janë gjithashtu në një pozitë më të mirë për të qenë bamirëse.
Edhe në Kosovë ekziston një dyshim i shpërfaqur në lidhje me efektivitetin e projekteve ndërkombëtare të bamirësisë. Renditja e ulët e Kosovës në disa lista të ndërmarrësisë, si për shembull ajo e Të Bërit Biznes, i bën gjërat më keq dhe kjo reflektohet në perfomancën e dobët ekonomike.
Është mirë që bamirësia e gëzon simpatinë e njerëzve, por mëkat që ndërmarrësia nganjëherë shihet gabimisht si tentim lakmitar për t’u pasuruar duke shfrytëzuar të tjerët. Bota do të ishte vend më i mirë për të gjithë po të kishte më shumë ndërmarrës.