Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Negociatat si bllokuese të demokratizimit

Ilustrimi: Big Eye

Historia e shtetformimit të Kosovës është e lidhur ngushtë me negociata të shumta, sidomos mes Prishtinës e Beogradit, të cilat mbesin ende procese të rënda dhe të kompromiseve të vështira. Duke filluar që nga negociatat e Rambujesë dhe të vazhduara më pas shkurt në Paris, kur për shkak të refuzimit të palës serbe ato dështuan, e deri te negociatat e Vjenës, ku fati i vendit u vendos në tavolinë, Kosova vazhdimisht është ballafaquar me ‘momente historike’, duke e lënë peng zhvillimin e brendshëm politik e socio-ekonomik. Zgjidhja përfundimtare e statusit juridik e politik të Kosovës, duket se nuk mori fund me shpalljen e pavarësisë, ashtu siç krijohej përshtypja dhe siç u proklamonte nga paria politike. Madje as opinioni afirmativ i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës (shpallur më 2010), nuk e përmbylli ciklin e negociatave. Së shpejti në Bruksel filluan negociatat të reja të quajtura me eufemizëm diplomatik ‘bisedimet teknike’, duke çuar një vit më vonë te takimi i parë mes kryeministrave të dy vendeve Thaçi dhe Da?i? dhe më 19 Prill 2013 në arritjen  e marrëveshjes 15 pikëshe mes tyre, e njohur si “Marrëveshja e parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve”.

Ndërkohë që udhëheqësit politikë dhe njëkohësisht negociatorët e Kosovës në këto 16 vite të fundit mbesin pothuajse të njëjtit, procesi i demokratizimit ka mbetur peng i këtyre negociatave. Nëse kësaj i shtohen edhe çështjet e ndjeshme si decentralizimi, gjykata speciale dhe së fundmi çështja e Asociacionit, duket e qartë se reformat e nevojshme administrative, përmirësimi në shëndetësi e arsim, mirëqenia sociale, njohjet ndërkombëtare, pastaj zhvillimi ekonomik e luftimi i korrupsionit mbeten tërësisht nën hije të negociatave dhe marrëveshjeve të dala nga këto. Ndërsa opozita (si ato të mëhershmet edhe kjo aktuale) vazhdon të harxhojë energji të tepruar, duke u fokusuar vazhdimisht në kundërshtimin e marrëveshjeve, qytetarët gjithnjë e më shumë po humbin besimin në institucione por edhe shpresat për një alternativë më të mirë qeverisëse.

Derisa në sondazhet e bëra nga European Value Study më 2008 qytetaret e Kosovës me afro 90% ishin ndër popujt më krenarë me vendin e tyre, ata sot nga matjet e ndryshme të opinionit publik dalin më të zhgënjyerit krahasuar me të gjitha vendet e rajonit dhe të Evropës. Rënia drastike e besueshmërisë dhe rritja e frustrimit të qytetarëve nuk duhet lexuar vetëm si zhgënjim nga mosangazhimi dhe mosadresimi i duhur i brengave dhe i nevojave të tyre nga ana e institucioneve qeveritare, por edhe si mungesë e një opsioni më bindës politik, i cili do të mund t’i zgjidhte këto probleme. Për më tepër duket se krizat e shpeshta e të ashpra të skenës politike vijnë më shumë si rrjedhoje e përplasjes së pozitës e opozitës rreth asaj se kush ka më shumë të drejtë e kush gabim në negociata, sesa kush qeveris popullin më mirë e kush më keq me vendin.

Në këtë lojë politike mes akuzave e kundërakuzave, qytetarët bëhen më shumë spektatorë të hutuar e të frikësuar sesa pjesëmarrës apo ndikues në demokracinë e vendit. Jo pse negociatat apo marrëveshjet e dala nga ato, nuk duhet të jenë pjesë e proceseve dhe e debateve politike, por kur ato janë temë kyçe e tyre dhe me vite të tëra bëhen mburoja e kësaj elite politike, atëherë ato dëmtojnë thellësisht konsolidimin e demokracisë në shoqërinë kosovare. Krizat e vazhdueshme politike të përcjella herë pas here me dhunë e konflikt politik, si pasojë e fokusimit të tepruar të negociatat, mund të përforcojnë vetëm sjelljet autoritare dhe polarizimin shoqëror, duke zbehur interesimin e shoqërisë për performancën e institucioneve dhe vendimmarrjen politike. Ndoshta është koha që të kërkohet nga qeveritarët më shumë llogari për punët e (pa)bëra, ndërsa nga opozita më shumë oferta e plane qeverisëse të bindshme, sesa të vazhdojmë të humbim më shumë kohë e energji me përplasjet e tyre rreth negociatave. Sepse vetëm kështu mund t’i hapim rrugën ndryshimeve politike, zhvillimit dhe demokratizimit të vendit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.