Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Nga konflikti i ngrirë deri te marrëveshjet e nxehta

Procesi i shtetformimit të Kosovës, ashtu si edhe në rastin e Bosnjës dhe të Maqedonisë, është rezultat i një marrëveshje të negociuar nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Ne rastin tone, i njohur edhe si plani i Ahtisaarit, ndërsa në atë të Bosnjës me Dejtonin dhe të Maqedonisë me marrëveshjen e Ohrit. Përkundër dallimeve, që të tre shtete janë të dizajnuara sipas modelit të demokracisë konsocionale, që parasheh ndarjen e pushtetit jo vetëm në baze të fuqisë së votës, por edhe të përfaqësimit sipas përkatësisë etnike. Synimi i thelbësor i së cilës ishte që palët e konfliktit t’i ofronte përmes bashkëqeverisjes me qëllim që pastaj gradualisht të mundësonte edhe paqësimin dhe pajtimin e tyre.

Mirëpo, derisa në rastet tjera (duke filluar nga të lartpërmendurat e deri te Libani e Irlanda e Veriut) palët në konflikt kishin nënshkruar marrëveshje dhe ishin zotuar në zbatim të saj, në rastin e Kosovës, palë negociuese nuk ishin serbët e Kosovës por ishte Beogradi. Dhe, së dyti, ata nuk nënshkruan apo pranuan formalisht marrëveshjen e dalë nga negociatat e Vjenës për statusin final të Kosovës, pra pakon e Ahtisaarit. Megjithatë, në mënyrë të heshtur dhe selektive filluan ta zbatojnë atë në pikat ku kishin përfitime, duke filluar nga vendet e rezervuara në parlament dhe në qeveri, e deri te decentralizmi dhe krijimi i komunave te reja me shumicë serbe. Por, jo edhe në ato pjesë ku kishin obligime ndaj institucioneve të vendit. Dhe së fundi, absurditeti vazhdon kur pala serbe nuk e pranon fare shtetin, brenda institucioneve e sistemit të së cilit do të duhej të integrohej.

Nga ana tjetër, Kosova që nga paslufta nuk kishte pushtet ne pjesën veriore të vendit, e cila konsiderohej dhe trajtohej si konflikt i ngrirë. Përpjekjet e dështuara të qeverisë së Kosovës nga viti 2011, që të marrin nën kontroll pikët kufitare, duket se filluan të e shkrijnë gjendjen në atë pjese. Negociatat me ndërmjetësim ndërkombëtar filluan më pas në Bruksel, synimi i së cilave ishte që përmes dialogut dhe në mënyrë paqësore të zgjidhen çështjet e kontestuara.

Tash, pas sa vitesh negociata dhe një varg marrëveshjesh te arritura, çështja si ajo e formimit te Asociacionit duket se e do të jetë nyja gordiane dhe dilema e radhës, se çka do të sjelle kjo në te vërtetë për të përmirësuar gjendjen. Derisa pushteti e opozita, në të dyja vendet, herë e interpretojnë si tradhti kombëtare e herë si triumf diplomatik, ajo çka mbetet të vlerësohet është se a do të rregullohen marrëdhëniet për qytetaret e rëndomtë, dhe, a do të jetë kjo fillimi i fundit të skizofrenisë politike, ku serbet e Kosovës të jetojnë e punojnë në një shtet te cilën parimisht as që e pranojnë?!

Prandaj, marrëveshjet nuk janë për konsum politik ditor e as të trumbetohen si tradhti e triumf kombëtar, por duhet të çojnë në zgjidhje reale të problemeve e në pajtim ndëretnik. Dhe kjo mund të arrihet vetëm atëherë kur marrëveshjet të jenë në shërbim të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm socio-ekonomik sikurse edhe kur arsyeja e shëndoshë mbizotëron karshi inateve meskine. Përndryshe, marrëveshjet do të ngrihen dhe konfliktet do të nxehen.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.