Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Nuk ka planifikim të mirëfilltë urban pa komunikuar me qytetarët

Qytetet dhe vendbanimet në Kosovë karakterizohen me një kaos urban. Përpos çështjeve tjera të natyrës teknike dhe ligjore, problem i theksuar mbetet mungesa e komunikimit të mirëfilltë në të gjitha hallkat e vendimmarrjes.

Qytetet në vendet me traditë të madhe të planifikimit, çdoherë e kanë për bazë këtë indikator të rëndësishëm, i cili është pjesë e pandarë gjatë gjithë procesit të planifikimit.

Hallka e komunikimit në procesin e planifikimit në shumicën e qyteteve të Kosovës pothuaj mungon tërësisht. Për këtë jam bindur, përpos hulumtimeve, edhe nga përvoja ime gati nëntë vjeçare në Kosovë. Dialogu pushtet-qytetarë pothuaj nuk ekziston fare. Edhe nëse organizohet ndonjë takim me qytetarë ai bëhet sa për sy e faqe, dhe qytetarët janë gjithmonë jashtë procesit. Të gjitha projektet në planifikimin fizik bëhen për interesat e ngushta qoftë politike, qoftë të grupit të interesit.

Kjo do të thotë që në një proces kaq të rëndësishëm, qytetarët nuk konsiderohen si palë me rëndësi. Kurse urbanisi suedez Jan Nyström, në librin e tij ”Planeringens grunder, 2012” (shqip: Bazat e planifikimit, 2012), i cilëson banorët si “…ekspertë të planifikimit për lagjet ku banojnë. Askush më mirë se ta nuk i din problemet e planifikimit fizik në lagjet e tyre”.

Pa pjesëmarrje të qytetarëve nuk ka ”qytete me zhvillim të qëndrueshëm”, dhe vetëm kur qytetarët janë aktivë, politikanët mund të marrin njohuri më të thella dhe të detajuara rreth vendbanimeve të caktuara dhe njihen gjithashtu me problemet që ballafaqohen ata qytetarë në ato vendbanime. Për qytetet me traditë të planifikimit, në këto dy dekadat e fundit, ai ka qenë çelës dhe faktor kryesor në rritjen e zhvillimit të qyteteve si dhe zgjidhjen e problemeve ekologjike.

Aplikimi i një dialogu të mirëfilltë ndërmjet institucioneve vendimmarrëse në Kosovë dhe komunitetit nuk kërkon shumë resurse apo ekspertizë. Duhet vetëm të ketë një vullnet politik dhe mos të bëhet vetëm sa për të plotësuar normat ligjore.

Në qytetin ku punoj, në Suedi, dialogun me qytetarë sa i përket planifikimit urban, e bëjmë në forma të ndryshme. Një formë shumë e lehtë që aplikohet, është komunikimi nëpërmjet mediave elektronike dhe rrjeteve sociale. Po ashtu me të gjitha grupet e interesit organizojmë shëtitje nëpër qytet ku i identifikojmë të gjitha mangësitë, por edhe cilësitë e qytetit. Si formë e komunikimit po ashtu përdorim edhe punëtoritë, ku qytetarët e të gjitha grupmoshave kanë mundësi të japin idetë, sugjerimet e veta, të skicojnë në hartat e qytetit, krijojnë modele etj. Rëndësi të veçantë i kushtohet grupmoshave të reja, fëmijëve, grave dhe grupit të qytetarëve me aftësi të kufizuara. Ky lloj komunikimi është shumë i rëndësishëm dhe një bazë e shëndoshë për përpilimin e planeve strategjike për zhvillimin e qyteteve dhe vendbanimeve të caktuara.

Një dialog i mirëfilltë është me rëndësi të madhe jo vetëm për pjesëmarrësit, por edhe për vetë shoqërinë. Me anë të dialogut rritet besueshmëria në raport ndërmjet pushtetit dhe qytetarit, pastaj bëhet shkëmbimi i drejtpërdrejtë i informatave si dhe mund të vijnë në pah zgjidhje inovative për problemet në planifikim, në përgjithësi. Komunikimi i mirëfilltë sjellë si pasojë informimin e drejtë, ofron shkëmbimin e informatave, i krijon mundësi qytetarëve që të jenë pjesëmarrës aktiv në procesin e vendimmarrjes dhe krijon një partnership ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve.

Mungesa e komunikimit në procesin e planifikimit, si në çdo fushë tjetër sjellë vetëm manipulim. Vendimet të cilat merren me anë të dialogut kanë një legjitimitet të plotë, ndikon dukshëm në marrjen e përgjegjësisë si nga ana e qytetarëve po ashtu edhe të institucioneve përkatëse
dhe krijohet një bagazh i madh i njohurive.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.