Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ontologjizimi i Kinemasë

Nëse bota do të ishte e qartë,
arti nuk do të ekzistonte.

Albert Camus

 

Një ndër format më të lashta dhe njëherit më të rëndësishme që e përbën jetën tonë është po ashtu edhe arti. Edhe pse nga shumë teori të ndryshme, duke filluar që në antikitet me Platonin, arti është kritikuar si një formë e të shprehurit që na lajthit, që nuk i jep aq sa duhet kuptim gjërave që na rrethojnë, madje arti vetëm se na e pamundëson mundësinë e të njohurit të botës që na rrethon. Duke e vënë në dilemë mundësinë që nëpërmes artit ta kuptojmë të vërtetën, Platoni pohon se arti hyn në radhën e opinioneve, d.m.th., ai nuuk është dhe nuk na dërgon kah e vërteta. Prandaj, Platoni shprehet se ‘arti është kopja e kopjes’, për faktin se na largon dy herë nga e vërteta. Mirëpo këtij linçi që i bëhet artit, më vonë Nietzsche do t’i përgjigjet në këtë mënyrë: “(…) arti është pra një nevojshmëri sublime, edhe për faktin se ai gënjen”. Me këtë Nietzsche dëshiron që të na paraqesë formën e vërtetë që arti e shpreh. Sepse, sipas teorisë platoniste ne arrijmë të njohim botën vetëm nëpërmjet mendjes. Kurse Nietzsche këtë të ‘vërtetë’ platoniane e konsideron si një nga të metat më të mëdha dhe më të rrezikshme në Historinë e Filozofisë. Për Nietzsche-n forma e parë, më e lartë dhe më sublime e jetës njerëzore, ku njeriu mund ta realizojë vetën e tij, është arti.

Nga kjo që është cekur më lart vërehet se mospajtimet për rëndësinë dhe ndikimin e artit në jetën tonë janë sa të hershme, po aq edhe të thella. Mirëpo, e vërteta është se; si Platoni ashtu dhe Nietzsche, paradoksalisht pajtohen në një pikë kur thonë se; ‘arti gënjen’, dhe po në këtë pikë nisë edhe ndarja më e thellë mes tyre. Platoni mendon se arti na largon nga e vërteta, ndërsa Nietzsche mendon se ideja mbi të vërtetën është iluzion dhe se arti është forma më e mirë për t’ia hapur dyert jetës. Andaj, thuajse me nuancime terciare mund të shprehemi se, arti jetën e vet e zhvillon në mes të këtyre dy kundërthënive. Mbase një kundërthënie e tillë e ndjek edhe artin kinematografik. Mirëpo, ne në vazhdim do të mundohemi të argumentojmë se pse kinemaja si shprehje e veçantë artistike anon kah dimensioni nietzsche-an.

Duhet ta kemi parasysh që kinemaja është një ndër dimensionet më të rëndësishme të artit dhe që ushtron një ndikim shumë të fuqishëm në shoqërinë bashkëkohore. Ajo në ditët e sotme është një nga mediumet shumë të rëndësishme dhe të pandashme të shoqërisë. Fuqia e saj përveçqë njihet në rrafshin artistik, estetik etj., ajo është edhe një medium shumë i rëndësishëm në shpërndarjen e informacionit. Pra, me ndikimet e saja, kinemaja tanimë është shëndrruar në një paradigmë kulturore mbarë globale. Madje Bela Balazs pohon se: “Kinemaja tek njerëzit ka ngritur edhe sensin estetik, dhe ka zgjeruar horizontin e shijes”. Estetika, shija dhe domethënia e një filmi në njëfarë forme u bënë tri shtyllat të cilat e konstituuan edhe vetë fundamentin filozofik të kinemasë. Arti filmik u bë një nga pikat më referente në momente të caktuara. Nëpërmes artit filmik u bënë kritika shumë të ashpra, u thyen tabu, u kontestuan të vërtetat që merreshin si të mirëqena, u ndërtuan dhe u shembën histori të ndryshme. Për këtë Gilles Deleuze në librin e tij Cinema 1 – The Movement Image shprehet: ‘…e vërteta nuk mësohet nga leximet filozofike apo nga diskutimet miqësore, por ajo na bëhet e njohur nga shenjat që ne perceptojmë në dhimbjen e dashurisë apo në mbresat misterioze që na lënë veprat e artit’. Pra, fuqia e artit është pikërisht në ndjeshmërinë që ai krijon dhe përcjell tek ne.

Andaj, ontologjizimi i kinemansë qëndron pikërisht në këtë ndjenjë, në fuqinë transmetuese që ajo prodhon. Kur fotografët e parë bënin fotografitë e tyre ata kishin një dëshirë, që personazhet e tyre t’i bënin të lëviznin. Prandaj A. Bazin-i mendonte se kjo ide e tyre, kjo ëndërr që personazhet statike në fotografi që ‘u mungon lëvizja për t’u kthyer në imazhe jete dhe kopje besnike të natyrës’,  është diçka që nuk e kanë parë fotografët diku më herët, por kjo ide gëlonte në kokat e tyre. Paraqitjen e një momenti natyralizues tanimë fotografia e kishte arritur, atë siç pohon Bazin-i, piktura nuk mund ta transmetonte. Mirëpo, ky fiksim, kjo shpërfaqje momentale e personazhit kishte krijuar nevojën që të kalohej nga imazhi fiksues në imazhin lëvizës. Dhe kush më mirë e bën këtë lëvizje sesa filmi.

Në film imazhet marrin karakter natyralizues; lëvizjet e personazheve në film, janë lëvizjet tona në jetën reale. Kjo formë e qenësimit për Bazin-in është ontologjizim i imazhit. Pra, për Bazin-in kinemaja është ontologjike, edhe pse kjo përmban një paradoks – ajo na e ofron realitetin në totalitet, na e shpërfaq realitetin ashtu siç është, transparent, por që njëkohësisht na shpërfaq edhe një fantazi totale. Këtë shpërfaqje imazhiste, ku filmi procedon realitetin si totalitet kinematografik mund ta cilësojmë si dimensioni kreativ ontologjik imazhologjik. Andaj, filmi sot është një nga veprat artistike, me të cilin njerëzimi ecën paralel. Jo më kot thuhet se: po aq sa jeta është film, po aq edhe filmi është jetë. Kjo shprehje që krijon kinema nëpërmes imazheve filmike është shprehja gjuhësore e saj. Andaj Bazin-i pohon se: ‘kinemaja është gjuhë’, dhe që kjo gjuhë vihet në pah nëpërmes flmit.

_____________

Foto: Weegeboreed / Flickr Creative Commons [CC by 2.0]

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.