Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Opinioni i mungesës së opinionit

Është me rëndësi që alarmimet e rrezikut të armiqësisë ndaj Amerikës të përkthehen në gjuhën e situatës. Ngritja e një vullneti të lirë kundër një despotizmi të ndritur është asgjë tjetër përveç armiqësi ndaj jobarazisë. Pra, armiqësia e pyetjes: a jemi ne si Kosovë dhe popull kosovar të barabartë me Amerikën dhe popullin amerikan?

E dëgjuam priftin jurist në akord me magjistarin mbret dhe nuk u desht shumë për të kuptuar që ishim duke e dëgjuar opinionin e propagandës, i cili nuk është opinioni mendjeservil, apo ai i luftes për pushtet, por opinioni i ndrydhjes së opinionit. Gjithashtu kuptuam se kjo armiqësi, që në fakt ishte miqësi me gjithçka që është në kundërshtim me parimet themeltare te Amerikës, nuk dërgon askë në vetizolim që tashmë nuk është vetizoluar. Logjika e priftit jurist ishte e njejta logjikë që u lehtësoi ardhjen në pushtet atyre që ambasadori – duke i sjell mesazhet e një presidenti koincidentalisht të blerë nga një grusht njerëzish në maje të kombit të vet – i qortoi për korrupsion dhe i akuzoi për dhunë.

Peticioni për largimin e ambasadorit amerikan në Kosovë që ka mbi 1300 nënshkrues nuk është për t’u injoruar, siç nuk është për t’u harruar deklarata policore e Atifetes, se “këta nënshkrues janë njerëz margjinal që duhet injoruar”, pra, persona inferior që ajo, përfaqësuese e vullnetit tonë, nuk i numëron. Nuk duhet injoruar as fakti që nga pozita e deri te opozita, duke përshkuar studiues dhe ekspertë dhe OJQ-istë, njëzëshëm u deklaruan, kush më ashpër e kush më butë, se “kjo është një fyerje ndaj popullit të Kosovës”, apo se “ky peticion është i pavlerë.”
Por çfarë thoshte ky peticion margjinal? – i përpiluar nga një i huaj që thuhet të ketë “dosje kriminele”, i huaj sikurse përpiluesi kredibil i kushtetutës sonë, “me dosje të drejtë dhe të bekuar”, në të cilën i ka rrënjet RKS-ja e dialogut të pasigurisë etnike, bashkë me Asociacionin e Sërbisë, karshi RKS-së së dështimit të sundit të ligjit, krimit të organizuar nën petkun e qeverisë, provincializmit agresiv dhe degradimit të vazhdueshëm të mirëqenies në çdo cep.
“Craig Delawie e përkrah një pushtet që ka humbur përkrahjen e popullatës. Ai është më shumë i brengosur që kompanitë Amerikane të marrin kontrata fitimprurëse nga pushteti, përderisa politikanët e opozitës arrestohen. Largimi i Craig Delawie do të ishte sinjal ndaj gjithkujt që qeveria e SHBA përkujdeset për demokraci, liri dhe respektim të drejtave të njeriut.”

Unë nuk besoj që ka një qytetar të Kosovës, pak të informuar, dhe që jeton në të njejtën botë, që në thellësinë e ndërgjegjes së vet nuk e beson këtë. Le ta ketë përpiluar edhe dreqi me veshë sepse të vërtetën e këtij peticioni nuk mund ta mohoj askush. Gjithashtu, po i lexuam komentet e disa nga ata që e kishin nënshkruar, shohim se janë qytetarë të shkolluar që kanë filluar të mendojnë me mendje të lirë për të ardhmen e vendit të vet.
Distancimi automatik i opozitës nga peticioni dhe kritikat ndaj ambasadorit, bashkë me përshembull, Vjosa Osmanin e partisë në pushtet, një politikane e vogël me ambicie të mëdha, e cila me t’i dalë në mbrojtje taktike Albulena Haxhiut, na kujtoi se po të mos kishte qenë Amerika, ne do të ishim “shfarosur” nga faqja e dheut, tregon qartë se themelet e opinionit të mungesës së opinionit janë të rrënjosura në ëndërrën e “investitorit të madh”. Siç realisht pohojnë realistët, të pavetëdijshëm që me këtë po e pohojnë edhe faktin që shqipfolësit e Kosovës nuk ishin të zot ndaj përndjekjes dhe vdekjes, që rezistenca e tyre e armatosur apo/dhe paqësore ishin të pa sukses, që ky pasukses ishte instrumentalizim konsensual i bombardimeve fitimprurëse dhe i zhvatjeve që do t’i pasonin ato. Që e gjithë epopeja ishte një kurban diplomatik. Që vetë historia jonë e afërt është një histori kukull. Që mbase kjo histori e afert është yrneku aktual i gjithë historisë tonë.

Çfarë ta shpif ne fund nuk është sjellja mospërfillëse e ambasadorit hektik nga i cili nuk duhet pritur që interesat ekonomike të Amerikës t’i vendos pas sundit të ligjit dhe lirive qytetare në Kosovë. Dhe, nuk duhet të habitemi që për një marionetë si Atifetja, edhe 15000 protestues janë vetëm margjinalë dhe joekzistentë. Çfarë ta shpif është thellësia e rrënjosjes së përkuljes absolute që intervenimit ushtarak humanitar i mvesh një magjistar Ozi dhe që me anë të një shantazhi emocional e shndërron të ashtuquajturin aleat në një zaptues legjitim shembullor.
Agonia e mbrojtjes së ambasadorit kundër atyre që kërkuan tërheqjen e tij, çfarëdo që të kenë qenë arsyet, e zbuluan robin nga zotëria, fytyrën sistemike të korrupsionit politik dhe zërin e atyre që mbase mund të jenë duke përfaqësuar një kompani private, apo një aset korporatash, por asesi një shtet të pavarur.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.