Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Opozitë e dobët karshi Qeverisë Kurti

Ilustrimi: Big Eye

Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin, tashmë është në vitin e tretë të mandatit qeveritar. Me gjithë problemet dhe sfidat e shumta që kanë kapluar vendin, opozita politike në Kosovë nuk po ofron një kritikë të mirëfilltë në Kuvend dhe kështu po dështon të ofrojë një alternativë për qytetarët.

Në anën tjetër, orientimi i Kurtit kryesisht në dialogun Kosovë-Serbi dhe politika populiste (lidhur me veriun e Kosovës), kanë drejtuar opinionin publik drejt temave madhore nacionale e sovraniste. Kujtojmë se Albin Kurti kishte deklaruar se dialogu nuk do të jetë prioritet gjatë mandatit të tij.

Mirëpo, problemet ditore me të cilat ballafaqohen qytetarët, siç janë papunësia, inflacioni, shëndetësia e arsimi, mes të tjerash, po cenojnë mirëqenien e qytetarëve. Ndërsa sa u përket sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit e korrupsionit, Qeveria Kurti ka bërë regres duke bërë ndërhyrje direkte në sistemin e drejtësisë. Madje, kryeministri Kurti vendosi t’i vërsulet kryeprokurorisë për të mbrojtur bashkëpartiakun e tij, ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili po akuzohet për korrupsion.

Por, pavarësisht dështimeve të Qeverisë Kurti, opozita ka dështuar që në mënyrë aktive ta mbajë atë përgjegjëse.

Liderët opozitarë, Memli Krasniqi nga PDK-ja dhe Lumir Abdixhiku nga LDK-ja, shpeshherë heshtin para zhvillimeve me shumë rëndësi për vendin. Mungesa e qëndrimit politik, apo frika e deklarimit, janë tipare të politikanëve të papërgatitur dhe frikacakë, në kuptimin se si do të reflektohet pozicioni i tyre tek elektorati.

Andaj, i gjithë ky jostabilitet në qëndrime nga partitë opozitare e ka forcuar ende më shumë Kurtin, sepse të njëjtat kanë dështuar të ofrojnë alternativë, ashtu siç vepron opozita në çdo shtet demokratik.

Përveç opozitarizmit të dobët në Kuvend dhe media, partitë opozitare nuk janë të dukshme askund tjetër. Protestat, aksionet në rrugë dhe tubimet publike nuk i shohin fare si mundësi. Kjo ka ndikuar që të krijohet një hendek mes tyre dhe qytetarëve.

Ku është opozita aktualisht?

Gjatë javëve të fundit, si rezultat i zhvillimeve në veri dhe sanksioneve nga Perëndimi, partitë politike opozitare (PDK, LDK dhe AAK) kanë filluar të jenë më aktive.

Lideri i AAK-së, edhe pse përfaqëson partinë më të vogël opozitare në Kuvendin e Kosovës, ka qenë më i zëshmi. AAK-ja kërkoi edhe mbështetje nga partitë opozitare për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, megjithatë PDK-ja dhe LDK-ja shprehën rezervat e tyre, duke pasur parasysh numrat në Kuvend.

Ndërsa, LDK-ja muajin e fundit ka filluar me një strategji opozitare “për artikulimin e një mendimi të përbashkët shoqëror” kundër politikave të Kurtit që e izoluan Kosovën nga aleatët ndërkombëtarë. Në kuadër të nismës “Rruga e tretë”, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur disa takime konsultative me gazetarë, shoqërinë civile, akademikë dhe biznese.

Edhe pse e vonuar si iniciativë, LDK-ja me anë të saj po tenton të ofrojë alternativë politike në vend.

Ndërsa partia më e madhe opozitare, PDK-ja, së cilës i takon përgjegjësia më e madhe për kritikë dhe krijim të një uniteti apo fronti opozitar, është shumë pasive.

Aktualisht, PDK-ja si metodë opozitare është duke përdorur bojkotimin e votimit në seanca parlamentare dhe në komisione. Metoda të tilla në kohën kur pushteti e ka shumicën parlamentare nuk është që krijojnë efektin e duhur.

Metoda tjetër e PDK-së, që është thirrja e konferencave për media pas skandaleve të Qeverisë, nuk është që ka dhënë ndonjë efekt, pasi eksponentët e PDK-së zakonisht shpërfaqin skandalet që janë zbuluar nga mediat, dhe informacionet e shpalosura janë tashmë të dëgjuara nga pjesa më e madhe e qytetarëve. Për këtë arsye, kjo formë e opozitëbërjes, përveçqë nuk ka origjinalitet, nuk është efikase.

Përfundimisht, koha do ta tregojë nëse iniciativa e re e LDK-së do t’i sjellë frutat e saj dhe nëse PDK-ja do të ndryshojë strategji. Megjithatë, mungesa e kauzës politike dhe personave të kualifikuar, si dhe padituria për të zgjedhur metoda më efektive opozitare për t’i pasqyruar dështimet e Kurtit, po tregojnë që opozita nuk po arrin dot të krijojë një alternativë të mirëfilltë për qytetarët.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.