Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pak më shumë Hessel në psikoterapi

Sa herë që reflektoj për metodat psikoterapeutike që derivojnë nga rrymat e ndryshme të psikologjisë, nuk mund të mos mendoj në autorin francez Stephen Hessel dhe esenë e tij disa-faqëshe të quajtur Indignez-vous! (në shqip: indinjohuni).

Hessel e publikoi këtë ese në vitin 2010 (edhe pse kjo formë e të menduarit i ka rrënjët në frymën sartriane) gjatë periudhës kur qeveriste e djatha e Sarkozisë në Francë. Qeveria e atëhershme kritikohej ashpër për politikat e saja sociale dhe ekonomike, që po krijonin hendek të madh klasash duke i favorizuar të pasurit dhe i dobësuar të varfërit. Së paku, kështu shihej nga kritikët dhe shoqëria civile në atë kohë.

Hessel, si i indinjuar vet që ishte, u bënte thirrje qytetarëve që të mos rrinin indiferent ndaj padrejtësive që po bëheshin ndaj imigrantëve, ndaj varfërimit të të varfërve, ndaj keqtrajtimit të ambientit etj. Në fakt, kjo ese jo rastësisht u publikua në ditën kur parlamenti francez votoi ligjin përmes së cilit u shtye mosha e pensionistëve. Njohës të çështjeve sociale këtë publikim e quajtën edhe si një thirrje për “Zgjim publik” të një populli i cili qëndronte pasiv dhe po bënte perditshmërinë e vet.

Nga prizma ime e një psikologeje, pas secilës seancë me klientët e mi, më bie të meditoj për efektin terapeutik që mund të ketë interventimi im në rrafshin personal, por edhe te ambienti ku ai/ajo jeton dhe vepron.

Nga bisedat që kam pasur me kolegët e mi psikoterapistë, del në pah se psikoterapia perëndimore ka formën e një veshi që dëgjon, afirmon, kupton, konfirmon dhe fuqizon klientin, pa e gjykuar, kushtëzuar, trazuar apo tundur.

Kjo më ka shtyer shpesh të jem kritike ndaj limiteve të psikologjisë individualiste, kur vie te rrafshi social, ekonomik e politik. Ndoshta edhe mu për këtë dashuria ime e vërtetë, si dhe fascinimi im mbetet në observimet e sjelljeve shoqërore, të grupeve dhe sistemeve pertej elementit individ.

Psikologjia moderne (e cila kryekëput ështe zhvilluar duke u bazuar në njeriun e bardhë nga bota oksidentale) e fokusuar në personin, kryesisht përdorë metodat të cilat ndihmojnë individin ta kuptojë të kaluarën apo të tashmen (varësisht prej qasjes), dhe tenton të ndihmojë individin të perballet me to, në një formë apo një tjetër. Në një kuptim metaforik e të thjeshtësuar, psikoterapia ndihmon individin të pajiset me vegla të cilat do ta ndihmojnë të përballet me situata qofshin ato reale apo të perceptuara, dhe t’i mbijetojë ato, kryesisht duke pranuar situatat e caktuara dhe duke u adaptuar në to. Pra, pranimi dhe adaptimi janë dy koncepte kyçe në fjalorin e psikologjise sonë moderne, dhe kapaciteti për të pranuar e për t’u adaptuar në ambientin e vet bëhet një atout i madh për individin.

Dhe prandaj pyetja është, si i kontribuon psikogjia individualiste, moderne dhe perendimore ndryshimeve sociale, kur jeta e individit është plotësisht e rrëmbyer nga faktorët e jashtëm socio-ekonomik?

Jeta personale shtrihet plotësisht në domenin shoqëror dhe shpesh e gjejmë atë të ngulfatur nga rrjetet sociale dhe ndërkomunikimi me të tjerët. Nga politikat globale dhe rajonale ekonomike e shoqërore. Të dominuar nga hierarkia e klasave, nga tregu që udhëhiqet nga kërkesa, nga trendet e mënyrës së jetuarit, prototipet e formuara per rolet shoqërore si ai i të qenit nënë, baba, koleg, punëtor, etj. Cili do të duhej të ishte roli i psikoterapisë në rrafshin ekstraindividual, pra, në atë shoqëror?

A duhet psikologjia t’i kontribuojë edhe më tutje ndërtimit të asaj që quhet reziliencë (kapaciteti për të mbijetuar, për t’u rimëkëmbur e ripërtërirë) e individit, dhe rrjedhimisht të bëhet bashkëpunëtore e faktorit jashtë individit ? Apo e kundërta, ajo duhet ta shtyejë individin drejt një kuptimi të dukurive, të shkaktarëve të mosmirëqenies dhe mbi të gjitha drejt zhvillimit të një forme të rezistencës dhe përpjekjes së tij (në nivelin e tij)? Në këtë rast, qëllimi do të ishte ndryshimi i vetë faktorëve të jashtëm, siç janë mënyra e të jetuarit, rrethi, politikat, mendësitë, stereotipet, padrejtësitë etj., të cilat janë shpesh në radhë të parë shkaktarët e mosmirëqenies së individit.

A është detyra e psikologjisë së përqendruar në individin të na mësojë metoda të adaptimit dhe pranimit të situatave, dhe rrjedhimisht të transformimit tonë në një segment të ekosistemit? Apo është e kundërta detyrë e psikologjisë, pra të na shtyejë drejt një reflektimi, analizimi, dhe indinjimi i cili mund ta trazojë ekosistemin dhe si rrjedhojë, të prodhojë ndryshim.

Hapësira midis vetes dhe të tjerëve nuk ka qenë asnjëherë më e ngushtë. E përveçmja tjetërsohet dhe bëhet e pandashme nga e përgjithshmja sepse jeta personale ndërtohet dhe zhvillohet në botën shoqërore e globale e cila vepron pastaj në individin dhe në këte mishmash, ato janë të lidhura ngushtë dhe ndikohen reciprokisht.

Në këtë rrafsh, kontestimi i rrymave terapeutike siç janë “mendimi pozitiv”, “menaxhimi i hidhërimit” dhe të tjerave të ngjashme, për mua është i paevitueshem, dhe atë jo vetëm në aspektin e efektit të tyre por edhe në atë të qëllimit të tyre. Të mendosh pozitivisht, dhe ta menaxhosh hidhërimin do të thotë të pranosh konteksin si të pakorrigjueshëm, dhe po aq më dhimbshëm – është sikur të nisesh nga ajo se individi nuk ka asnjë forcë vepruese apo ndryshuese. Asnjë forcë, shkurt.

Psikologjia në përgjithësi dhe psikoterapia në veçanti do të duhej ta shtrinin influencën dhe nxitjet për ndryshim përmes individit, por jo (vetëm) duke e mbështetur atë përmes metodave të pranimit dhe adaptimit në një shoqëri, por duke mbështetur atë për të kuptuar dhe vetëdijesuar, përmes reflektimit e zhvillimit të kritikës, dhe sidomos të bindjeve, për të bërë ndryshim në të mirën e vetës së tij dhe të së përgjithshmes. Dhe kështu, në psikoterapi, do të kishte pak më shumë Hessel dhe pak më pak mendim pozitiv.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.