Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pasojat e (miteve të) leximit!

 

Në vlugun e luftës në Kosovë një gazetar i televizionit suedez kishte bërë një reportazh nga Beogradi për të marrë opinionin e qytetarëve serb rreth luftës në Kosovë. Ajo çka më pat lanë përshtypje ishte komenti dhe pyetjet që i bënte një qytetar serb gazetarit suedez. Ai u mundonte me arsyetue dhunën që e bënin ushtarët, paramilitarët dhe policia serbe në Kosovë duke thënë se shqiptarët nuk duhet të jenë pjesë e Europës për shkak se janë të paditur, të pashkolluar dhe të pakulturuar. Si argument për me vërtetue pohimin e tij e përdorte një observim të tij që e kishte bërë duke i shikuar refugjatët shqiptarë nëpër reportazhet e televizioneve të huaja. Ai nuk kishte vërejtur se në mesin e refugjatëve kishte njerëz që bartnin syze dhe sipas logjikës së tij, ai kishte ardhë në përfundim “gjenial” se shqiptarët nuk lexonin se po të lexonin, ata rrjedhimisht do bartnin syze. Nuk e harroj kurrë habinë e gazetarit suedez se si është e mundur që në fundin e e shekullit XX njerëzit besonin në këso gjëra se syzet ishin indikacion se njerëzit i kanë “prishë” sytë duke lexuar.

A nuk është kjo e “vërtetë” e njohur edhe tek ne? Po, për fat të keq në shoqërinë tonë ekzistojnë disa të “vërteta” të etablueme të cilat janë krejt të gabuara. Njëra nga këto është se për shembull, shikimi nga afër i televizionit ua prishë sytë fëmijve dhe fëmijët të cilët kur fillojnë shkollimin, shpejt e vërejnë se distanca nga banka e klases deri tek dërrasa e zezë është tepër e madhe për me pa se çka ka shkruar mësuesi në dërrasën e zezë.

Mësuesi, por edhe fëmija, raportojnë prindërit se fëmija nuk sheh mirë dhe se ndoshta ka nevojë për bartjen e syzeve. Prindërit shpejt vijnë në konkludim se fëmija i tyre i ka “prishë” sytë duke qëndruar afër televizorit duke shikuar programe për fëmijë. Në fakt, fëmija, për me pa televizorin, është dashur që të afrohet më afër televizorit se sa normalja.

Një e “vërtetë tjetër është edhe domosdoshmëria e bartjes së syzeve nga njerëz të cilët lexojnë shumë. Ekziston një e “vërtetë” fallco se të pamurit dëmtohet nga të lexuarit gjë që nuk është fare e vërtetë. Nga të lexuarit e tepërt mundësisht mundet muskujt e syrit të cilët kanë për detyrë akomodimin e bebzës të lodhën pak, por muskujt si të gjithë muskujt tjerë, nga puna vetëm sa bëhen më të qëndrueshëm.

Përgjatë historisë, shumë shkrimtar, shkencëtarë dhe intelektualë kanë qenë te detyruar t’i përdorin syzet në kryemjen e punëve të tyre pasi që e kanë pasë të pamundur me punue pa to për shkak te pengesave në refrakcionim te drites nga syri, dhe iu është dashtë ta korrigjojnë driten për me mujtë me i krye punet e tyre. Pra, sikurse në rastin e televizorit, ashtu edhe në rastet e të lexuarit të librave, nuk ka ardhë deri tek dëmtimi i të pamurit nga vet procesi. Për me mujtë me pa televizorin, gjegjësisht me lexue libra, është dashtë me u afrue afër televizorit, gjegjësisht me bartë syze. Pra, syzet nuk janë rezultat i te lexuarit të tepërt por janë domosdoshmëri me mujtë me lexue. Syzet nuk janë indikacion se ke lexue shumë, por vetëm se syri yt nuk e përthen dritën ashtu siç duhet.

Përkundër kësaj, tek ne është një trend i cili si duket është bërë modë të përdorën syze me qëllim t’ua mbushin mendjen njerëzve se janë njerëz të cilët lexojnë. Kjo dukuri vërehet më tepër tek politikanët si dhe disa njerëz apo fytyra publike. Si njeri i cili në punën mbi 20 vjeçare me pacientë me të meta në të pamur, nuk e kam vështirë të vërej se sa dhe cilët njerëz bartin syze mu për këtë arsye. Kjo vërehet zakonisht kur “bartësit e syzeve janë në profil, por natyrisht edhe kur i shikon drejt.

Syzet sferë (dioptri) pozitive, apo qelqa zmadhues zakonisht e rrisin pjesën prapa qelqit, kurse ata me sferë negative apo dioptri minus, e zvogëlojnë objektin prapa qelqit. Pak ka, sy të cilët gjatë matjes me ndonjë refraktometer apo edhe mbajtjes me xhama të rëndomtë kanë dioptri plus/minus zero. Pothuajse është normale që të ketë një variacion në mes plus/minus 0.25 dioptria.

Roli i syzeve është që t’i ndihmojë syrit me përthye dritën drejt në mënyrë që fokusi të bie mu në njollën e verdhë (macula lutea) të retinës. Syzet si instrument ndihmës në shoqëri kanë fillue të përdorën vonë. Ato në fillim janë përdorë nga njerëzit që kanë pasë kushte për t’i blerë ato, por edhe nga njerëzit që me të vërtetë kanë pasë nevojë për to.

Një shembull i freskët janë syzet e sekanit të fakultetit filozofik, njëkohësisht ish ministrit dhe politikanit Bujar Dugolli.

Syzet e Dugollit, ose janë pa dioptri fare, (gjë që është vështirë të besohet) ose kanë një dioptri krejt të vogël, (më e besueshme), gjegjësisht të panevojshme, max 0.25 minus ose plus gjë që hyn në dioptri normale. Nëse shikohet me vëmendje njëra nga fotot e publikuara të profilit të tij, mund ta vëreni vijën në cepin e majtë të syrit të majtë, ku qelqi del jashtë vijës së fytyrës. Vija e fytyres fare nuk shtyhet as brenda e as jashtë aty ku fillon qelqi. Po të ishin syzet me një dioptri ma të theksueme minus, atëhere vija e fytyrës aty ke qelqi do futej pak brenda, varsisht nga madhësia e dioptrisë. Po të ishin syzet me dioptri më të madhe plus, atëherë vija e fytyrës do të dukej më jashtë në pjesën e xhamit.

Njerëz sikur Bujar Dugolli, të cilët duket se janë të shumtë, rrënjësisht e kanë keqkuptue nocionin e intelektualit. Për mendimin tim, nëse dikush tenton me tregue se asht intelektual përmes bartjes së syzeve për të cilat nuk ka nevojë, nuk tregon tjetër gjë pos idiotësisë. Intelektual, për mua, në mos gjë tjetër, është ai njeri i cili ka bindje dhe qëndrime të veta të pavaruna, është në gjendje t’i argumentoj dhe t’i mbrojë ato me argumente të qëndrueshme, të bazuara në njohuri, të cilën ai gjithmonë duhet të jetë i gatshëm ta përtërijë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.