Për Deharin si qenie njerëzore
***
Dhe ja më në fund nëse na kanë mbetur edhe pak mend pa na i pirë macja idhnake e historisë që po e krijojmë, u turpëruam nga vetja jonë. Në të vërtetë e gjithë historia jonë e re, është pasqyra e shndritshme e turpit. Dhe ne shohim portretet tona në secilin mëngjes, duke u kënaqur me shëmtinë që e kemi dhe me shëmtinë që e presim. Epoka jonë e revolucionit të marrëzisë është e lavdishme dhe ne të gjithë në kokë mbajmë kurorën e inatit. Poeti amerikan Archibald R. Ammons, ka një poezi të mrekullueshme mbi pasqyrimin, që ne, të gjithë, pa asnjë përjashtim e kemi kaq të nevojshëm në shekullin e vagabondëve politik. Trupmadhi A. R. Ammons gjeti një barishte të keqe, që kishte një pasqyrë në të dhe kjo pasqyrë shihej tek një pasqyrë brenda trupit të Ammons-it. Dhe ky burrë i mençur brenda vetes së tij, pa barishten e keqe. Më vjen keq ta them ngase nuk është se kënaqem kur e them por me gjasë çdo ditë e më shumë bindem se brenda sistemit tonë politik, administrativ, ligjor e qeverisës zhvillohet kjo barishte e keqe. Dhe ne të gjithë si pengje të një ndëshkimi të pakuptueshëm, po e ujisim. Dhe po presim të ndodhin tragjedi të tjera. Dikush në heshtje. Dikush duke protestuar. Dikush si puna ime duke dërdëllitur. Dikush në krye të shtetit. Dikush kacavjerrur në supet e pushtetit. Dikush duke synuar atë. Por ama të gjithë ne, në mes fragmenteve të tilla, mbesim hutaq para një kohe të ashpër dinake. Dhe përballë një atdheu të sakatuar e të pajetueshëm. Gjithnjë duke hapur varre për përgjegjësitë që na takojnë.
***
Fatkeqësia jonë më e madhe qëndron tek mënyra se si jetojmë. Vdekja futet në listën e gjërave fatkeqe të përcaktuara nga një autoritet tjetër. Dhe aty nuk kemi as dorë dhe as mendje. Sado që fut zhgënjimin në sytë tanë. Humbja tragjike e A. Deharit në rend të parë për mua është humbje njerëzore dhe nuk ka të bëjë me asnjë subjekt politik. Futja e tij në burg është diçka tjetër dhe diçkaja tjetër, është burimi i të gjithë problemeve lidhur me fatin e tij. Fati i tij u përcaktua nga njëra ideologji mes disa të tjerash. Të gjitha vrasëse. Në atdheun e tij të mbushur me fëlliqësira politike të kudoanshme. Më vjen të qaj kur e them por kam përshtypjen se shteti ynë nuk është rezultat i procesit historik e sociologjik. Shteti ynë pakëndshëm del të jetë kafshë që ha bijtë e vet. E pastaj fërkon barkun. Shtet fund e krye barbar. Që si i tillë nuk është aspak në shërbim të qytetarëve të vet por në shërbimin e liderëve primitiv.
Ta kemi të qartë. Njëherë e përgjithmonë. Nuk qëndron asnjë ideologji mbi gjakun njerëzor. Asnjë besim nuk qëndron mbi vdekjen e një qenie të ngratë njerëzore. Asnjë parti politike. Asnjë shenjtor. Asnjë institucion. Asnjë kryetar shteti. Asnjë dreq. Asnjë kryetar partie. As një kryetar komune. Asnjë pamflet politik. Asnjë prijës shpirtëror. Asnjë nëpunës. Ma ka ënda gjithmonë që fajin të mos e shoh si diçka të vetëm, strukur në kafehanet e pretendentëve që duan ta shpjegojnë. Humbja tragjike e Deharit është humbje e të gjitha partive politike në vend. Është humbja ime. Është turpi dhe njëkohësisht paturpësia e tyre. Është humbje dhe disfatë e Republikës. Marrëzia e radhës që vjen nga ky atdhe misterioz.
***
Ne nuk i kemi të nevojshëm heronjtë. Nuk e kemi të nevojshme të jemi viktimat e rendeve të reja shoqërore e mos të flasim për ato të moçmet. Ne të mjerët e anës tjetër, kemi nevojë ta dimë se kush po na vret. Shkaqet dhe arsyet. Kemi nevojë ta dimë të vërtetën e vdekjes sonë. Dhe nuk e di a ka nevojë më trishtuese. Dhe njëkohësisht më qytetare. Meqë dikush deshi që të vjimë deri në këtë pikë të pamëshirshme njerëzore.