Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Politikat (e munguara) për qeverisje të e-mësimit në Kosovë

Ilustrimi: Big Eye

Edhe pse mësimi online (e-learning) zuri titujt kryesorë të mediave kohëve të fundit, përpjekjet për të ofruar një strategji rreth kësaj forme të mësimit në Kosovë kanë qenë të pranishme për më se një dekadë. Megjithatë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka shtuar përpjekjet e saj si përgjigje ndaj situatës së krijuar nga pandemia. Mirëpo, masat e ndërmarra deri tash kanë dështuar të sigurojnë qasje të barabartë për të gjithë nxënësit në procesin mësimor.

Në Draft-strategjinë për e-mësim të vitit 2010-2015 fokusi qëndronte në ndërtimin e infrastrukturës dhe në identifikimin e lëndëve/klasave që mund të përfitonin nga mësimi online (e-learning). Palët e interesit kishin kuptuar që strategjia e re kombëtare për e-mësimin do t’i shtronte rrugë fillimit të sektorit të mësimit në distancë. Edhe pse deri atëherë pa strategji të mirëfilltë, vetë njohja e rëndësisë së mësimit online ishte një hap pozitiv. Profesionistët dhe përfaqësuesit e tjerë të ekipit punues kishin theksuar se krijimi i një kornize ligjore do ta garantonte integrimin e mësimit online në nivele të ndryshme të arsimit në vendin tonë.

Draft-strategjia e e-mësimit 2010-2015 parashihte “një edukim cilësor dhe konkurrues, për një shoqëri të bazuar në dije, me një sistem të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të e-mësimit, i cili do të lehtësonte zhvillimin socio-ekonomik dhe do t’i rriste mundësitë e të mësuarit gjatë gjithë jetës (Lifelong Learning)”.

Krijimi i një kornize të tillë ligjore do të ishte vendimtar në zgjerimin e disponueshmërisë së e-mësimit, si dhe në inkurajimin e mësimdhënësve në të gjithë vendin për të shprehur interesim për trajnime në mësimin online. Për më tepër, studime të ndryshme tregojnë se për nxënësit të cilët kanë qasje në teknologji, të mësuarit online (digjital) mund të jetë më efektiv sesa thjesht të mësuarit tradicional. Kjo u mundëson atyre të “mësojnë me ritmin e tyre, duke lexuar, rilexuar ose duke kaluar kohë me konceptet që ata dëshirojnë”. Shikuar nga perspektiva e politikëbërjes, është e qartë se sigurimi i përfshirjes digjitale është po aq i rëndësishëm sa ndërtimi i aftësive praktike kur bëhet fjalë për zgjerimin e mundësive përmes “mësimit online”. Të vetmet dokumente politikëbërëse janë manualet/udhëzimet, të cilat janë miratuar nga MASHTI për përdorim në shkollat që kanë qenë të detyruara të përshtaten me pandeminë, ndërkaq paralelisht është ngritur një grup punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore të Digjitalizimit të Arsimit.

Shikuar në kontekstin aktual, grupi punues i sapoformuar ka për qëllim të ndikojë në ndryshimin e politikave në këtë sektor. Megjithatë, a i kemi ne (Kosova) kapacitetet për t’i bërë realitet këto reforma? A kemi ofertues të përshtatshëm që mund t’i akomodojnë kërkesat për regjistrim online? Më e rëndësishmja, a janë mësimdhënësit e klasave dhe administratorët e shkollave të gatshëm për ta përqafuar integrimin e teknologjisë në arsim formal?

Një mënyrë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve është të fillojmë t’i njoftojmë mësimdhënësit me mësimin online. Nëse arrijmë t’i bindim këta të fundit se mund të mësojnë në këtë formë, atëherë nuk është e vështirë për ta që të besojnë se nxënësit mund të kenë sukses në mësim online.

Pra, ata të cilët besojnë se mënyra e vetme për të mësuar është mes katër mureve të shkollës janë mësimdhënësit, e jo nxënësit apo prindërit. Por, nëse arrijmë ta ndryshojmë këtë bindje për ta personalisht, ndoshta mund të kemi ndryshime pozitive. Në momentin që kemi personel të gatshëm për t’i eksploruar mundësitë e ofruara nëpërmjet e-mësimit, atëherë do të mundësohet që kjo formë e mësimdhënies të institucionalizohet.

Duke u bazuar në një të ardhme “pas-COVID”, mësimi online apo e-mësimi në Kosovë kërkon investime të konsiderueshme në infrastrukturë ligjore dhe teknologji. Për më tepër, kërkon edhe krijimin e përmbajtjes digjitale si dhe përshtatjen e kurrikulave për të mundësuar përdorimin e teknologjisë në arsim. Përfundimisht, e gjithë kjo varet nga një mbështetje e gjerë e komunitetit në vend. Kosova Center for Distance Education (KCDE) është duke krijuar një rrjetë bashkëpunimi me politikëbërësit për të fuqizuar zbatimin e e-mësimit, duke ndarë ekspertizën me ta për të siguruar që zgjidhjet e ofruara adresojnë nevojat e të gjithë nxënësve. Tutje, KCDE është në proces të themelimit të një komiteti për e-mësim, i cili do t’i identifikojë hapat që duhet të ndërmarrim në ngritjen e këtij sektori. Për më shumë, komiteti i e-mësimit do të shërbejë si një mekanizëm mbikëqyrës dhe monitorues për zbatimin e Strategjisë Shtetërore të Digjitalizimit të Arsimit.

Përderisa pandemia ka ngjallur interes për këtë temë, politikëbërësit duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u angazhuar me palët e interesuara në të gjithë sektorin e arsimit. Në rast të hartimit dhe miratimit të politikave e dokumenteve qeverisëse në lidhje me mësimin elektronik: administratorët e shkollave, mësimdhënësit, këshilltarët, mentorët, prindërit dhe nxënësit në Kosovë, kanë nevojë për përfaqësim dhe informacione të sakta rreth ndryshimeve në politikën arsimore, të cilat ua mundësojnë nxënësve tanë të ndjekin kurse online.

*Editor: Aaron Spitler – Hulumtues – KCDE [email protected]

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.