Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Prizmi i Komisionit Evropian mbi ekonominë e Kosovës

Ilustrimi: Big Eye

Prizmi i Komisionit Evropian mbi ekonominë e Kosovës

Këndvështrimi i Komisionit Evropian mbi ekonominë, në raportin për këtë vit, paraqet objektivisht distancën mes Kosovës dhe vendeve të BE-së. Të dhënat e këtij raporti nuk është se nuk i kemi ditur, por ato na rikujtojnë sa pak zhvillim kemi patur e sa larg integrimit mbetemi.

Raporti thotë se Kosova ka patur rritje reale ekonomike prej 3.9%, por në të njëjtën kohë thekson se Kosova ka nivelin më të ulët në rajon të Bruto Produktit Vendor për kokë banori. 1 qytetar i Kosovës ka mesatarisht pak më shumë se ¼ e mesatares së të ardhurave të një qytetari të BE-së dhe pak më pak se ¾ e mesatares së të ardhurave të një qytetari të rajonit.

Atëherë, pse kemi rritje ekonomike? Përveç investimit në asfalt, kryesisht, për shkak të rritjes së konsumit i cili financohet në masë të madhe nga remitencat, të cilat ishin mbi 800 milionë në 2018; dhe, për shkak të rritjes së eksportit në shërbime, i cili mbi 90% përbëhet nga shërbimet e udhëtimit që i blen mërgata, me ç’rast “zbutet” deficiti i lartë tregtar që kemi në mallra.

Pra, kemi rritje ekonomike kryesisht për shkak të mërgatës.

Po, përveç rritjes, a kemi prodhim? Deficiti tregtar në mallra për vitin 2018 ishte për gati 5 pikë përqindje më i lartë se në 2017-ën, duke arritur afër 3 miliardë euro. Pra, dallimi mes importeve dhe eksporteve në mallra është përafërsisht sa 43% e Bruto Produktit Vendor. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, kryesisht të importuara, ishte një ndër arsyet kryesore për inflacionin e 2018-ës. Ndërkohë, investimet e huaja direkte në vitin 2018 ishin për 16% apo rreth 42 milionë euro më pak se në vitin 2017.

Përveç rritjes, a kemi punësim? Përveç se Kosova ka nivelin e bruto produktit vendor për kokë banori më të ultin në rajon, pjesëmarrja në tregun e punës ka rënë. Për këtë kishim rënie të papunësisë për më pak se 1 pikë përqindje dhe, në të njëjtën kohë, rreth 12 mijë persona më pak të punësuar në krahasim me 2017-ën. Ndërkohë, siç thotë raporti, qeveria nuk ka as strategji as koherencë për subvencionimin e ndërmarrjeve publike.

Përderisa punësimi ka rënë e prodhimi s’po mund të ngritet, raporti na tregon që sektori që ende po shkëlqen është ai financiar. Bankat shënuan fitim me një kthim mesatar në kapital prej 18.8%, institucionet mikrofinanciare me 18.7%, dhe kompanitë e sigurimeve me 17%. Ato mbesin mirë të kapitalizuara. Banka Qendrore ua kërkon normën e rezervave prej 12%, ato e kishin 16.1%. Ndërkohë që norma e kredive në raport me depozitat u rrit nga 79% në 83.9%. Por, përkundër fitimit të madh, mjeteve të bollshme në dispozicion për kredi e rrezikut të vogël për dështim, normat e interesit u zvogëluan me shpejtësi të breshkës.

Cila është alternativa? Mospërsëritja e këtij raporti në 2020-ën. Ajo mund të bëhet me një qeveri dhe qeverisje të re e progresiste. Synimi i saj duhet të jetë ndryshimi paradigmatik i ekonomisë, ku: ndalet e hetohet procesi i privatizimit, Fondi Sovran koordinon ndërmarrjet publike me synim revitalizimin, Banka Zhvillimore financon projekte kapitale me synim punësimin, Banka Qendrore riorganizon dhe rregullon sektorin financiar, ristrukturohen skemat tatimore, ristrukturohen programet për mbrojtje sociale, rimëkëmbet Trepça, rimendohet energjia dhe ruhet ambienti.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.