Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Provimi i Ministrisë së “Drejtësisë” në gjuhën turke

Edhe pse Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton pjesëmarrjen e komuniteteve joshumicë në gjyqësor, jo te gjitha komunitetet e Kosovës mund ta paraqsin provimin e jurisprudencës ne gjuhën e tyre amtare. Kjo e drejtë i mohohet komunitetit turk në Kosovë.

Barazia para ligjit është e rregulluar në nenin 3 të Kushtetutës: “Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.”

Kapitulli III i Kushtetutës gjithashtu përmban paragafet mbi parimet dhe përgjegjësitë e shtetit për të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Krahas këtyre rregulave, ndoshta më e rëndësishmja është garantimi i përfaqësimit në legjislativ (parlament), ekzekutiv (qeveritare) dhe gjyqësor, të cilat konsiderohen si organet kryesore të shtetit. Por, si është situata në gjyqësor? Në këtë drejtim është i rëndësishëm edhe neni 103 (Organizimi dhe Jurisdiksioni i Gjykatave) i Kushtetutës, i cili ka sjellë edhe garanci për përfaqësimin.

“3. Të paktën pesëmbëdhjetë përqind (15%) e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, por jo më pak se tre (3) gjyqtarë, do të jenë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë…6. Të paktën pesëmbëdhjetë përqind (15%) e gjyqtarëve nga cilado gjykatë tjetër, e themeluar me jurisdiksionin e apelit, por jo më pak se dy (2) gjyqtarë do të jenë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë”.

Ashtu si në kontestet e tjera juridike, fjalën e fundit për mbrojtjen e të drejtave te njeriut e ka gjyqësori. Kushtetuta parashikon gjithashtu garanci përfaqësimi për komunitetet që nuk përbëjnë shumicën në organet gjyqësore. Mirëpo, a vlen kjo edhe për aplikim? Me fjalë të tjera, sa gjyqtarë, prokurorë apo avokatë ka komuniteti turk?

Përkundër kërkimeve, unë nuk kam gjetur dot një statistikë zyrtare në lidhje me gjyqtarët, prokurorët apo avokatët e komuniteteve jo shumicë. Por pavarësisht garancive kushtetuese, në mesin e komunitetit turk nuk është evidente nese ka ndonjë jurist që kryen detyrën si gjyqtar, prokuror apo avokat.

Një ndër arysjet themelore është se provimi shtetëror (jurisprudenca) i aplikuar për hyrje në profesionet juridike mbahet vetëm në gjuhën shqipe dhe serbe. Kjo krijon një diskriminim të komuniteteve të tjera joshumicë në përgjithësi, e komunitetit turk në veçanti. Sepse anëtarët e komunitetit boshnjak dhe goran mund t’i nënshtrohen provimin në gjuhen serbe për shkak të afinitetit gjuhësor.

Në anën tjetër, pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian mund t’i nënshtrohen provimit në gjuhën shqipe apo serbe, pasi kryesisht janë të arsimuar në ato gjuhë, dhe nëse janë të suksesshëm, e kanë më të lehtë të ushtrojnë profesionet e tyre.

Është praktikë shumë pozitive që provimi pranues në Universitetin e Prishtinës (Hasan Prishtina) të zhvillohet në gjuhën turke për studentët që e kërkojnë. Mirëpo, në mënyrë të përmbledhur, sipas praktikës aktuale në Kosovë, një student mund të hyjë në Fakultetin Juridik me provim të gjuhës turke, por nuk mund të hyjë në njërin nga profesionet juridike në po te njëjtën gjuhë.

Për shkak të kësaj situate kontradiktore, kam bërë një kërkesë me shkrim në Ministrinë e Drejtësisë (MD) me një peticion në muajin prill për korrigjimin e këtij problemi, në mënyrë që MD-ja t’i lejojë provimet e pranimit në gjuhën turke.

Në përgjigjen zyrtare që kam marrë së fundi, në mënyrë të përmbledhur, kërkesa ime është refuzuar me arsyetimin se provimi është administruar në gjuhët zyrtare. Siç argumentova më lart, jam i bindur se kjo situatë krijon diskriminim dhe si rezultat e apelova vendimin. Procesi vazhdon.

Është e rëndësishme të mbrohen dhe të zbatohen të drejtat kushtetuese. Ata që do t’i mbrojnë këto të drejta në radhë të parë janë juristët që do të shërbejnë në drejtësi. Kush do t’i mbrojë të drejtat e komunitetit turk, nëse askush nga komuniteti nuk punon në gjyqësor? Do të jetë në interesin e publikut që të gjithë personat dhe institucionet e interesuara për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit turk të tregojnë interes për këtë çështje dhe të përpiqen të ndihmojnë në zgjidhjen e saj.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.