Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pse gratë në Kosovë ende lihen pas dore?

Gratë në Kosovë kanë dëshmuar një përparim të shpejtë në shumë sfera të shoqërisë. Kjo është thelbësore për një shoqëri të pasluftës, e cila është thellësisht e rrënjosur në vlerat patriarkale dhe që përballet me sfidat e një ekonomie në zhvillim.

Gratë kosovare kanë bërë shumë hapa të rëndësishëm përpara. Dy gra kanë qenë presidente; gratë kosovare kanë fituar dy medalje të arta olimpike në xhudo dhe një kosovare ka drejtuar një film të nominuar për “Oscar”.

Megjithëkëtë, pavarësisht këtyre arritjeve, gruaja mesatare në Kosovë vazhdon të përballet me dhunë, diskriminim dhe kufizime.

Së fundmi, një tjetër rast i femicidit tronditi vendin. Liridona  Ademaj u vra në nëntor dhe bashkëshorti i saj është i dyshuari kryesor për vrasjen. Ajo është gruaja e 54-t e vrarë që nga viti 2010. Pavarësisht këtij numri të lartë vrasjesh, vetëm një burrë është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një gruaje.

Ligjërisht nuk ka arsye që një grua në Kosovë të mos jetë e mbrojtur. Sidoqoftë, zbatimi i atyre ligjeve është një çështje krejtësisht tjetër.

Vrasja e një gruaje shtatzënë vitin e kaluar, e cila ishte në prag të lindjes, pavarësisht se e njëjta kishte urdhër mbrojtës ndaj bashkëshortit të saj, nënvizon mungesën e përgjegjësisë, si brenda policisë, ashtu edhe gjyqësorit, dhe dështimin për t’i mbrojtur gratë.

Së fundmi, Kosova ka miratuar një ligj të ri për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, por që ende nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare, duke u vonuar kështu zbatimi i tij.

Kohëve të fundit kanë dalë gjithashtu edhe disa raporte që nënvizojnë çështjen e të drejtave të grave, përfshirë raportin e fundit të Këshillit të Europës, i cili vuri në dukje se dhuna ndaj grave jo vetëm që është rritur, por është bërë ende më dinamike dhe prore e më fatale.

Në tetor, nga Instituti Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Kosova u rendit si vendi i dytë më i keq në Europë për të jetuar për gratë. Në nivelin global, Kosova renditet e 100-ta nga gjithsej 177 shtete.

Gratë në Kosovë përballen me sfida të ashpra, përfshirë nivelet e larta të papunësisë, diskriminimit dhe ngacmimit seksual.

Sulmet seksuale prekin disproporcionalisht vajzat. Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, në vitin 2021, mbi 67% e rasteve të raportuara të sulmeve seksuale dhe përdhunimeve në Kosovë përfshinin vajza të moshës 11-16 vjeçe.

Gratë po ashtu përballen me sulme të dhunshme sistematike në rrjetet sociale. Hulumtimi nga OJQ-ja Demokracia për Zhvillim tregoi që në korrik të vitit 2023, mizogjinia dhe sulmet e tjera të dhunshme ndaj grave ishin të përhapura gjerësisht nëpër rrjetet sociale.

Një nga anomalitë e të drejtave të fituara rishtas ose ngritjes së zërit të çdo grupi të margjinalizuar është se gjithsesi do të ekzistojë një reagim kundër tyre.

Ndryshe nga Serbia dhe Kroacia, lëvizja e grave në Kosovë përparoi me një ritëm dukshëm më të ngadaltë. Shoqëria kosovare e pasluftës qartësisht e vuri re këtë gjë dhe shpejtoi ritmin me ndihmën e ligjeve të reja dhe mbështetjen nga komuniteti ndërkombëtar.

Kjo grave u dha mundësi të reja dhe u siguroi punë disa prej atyre që patën fatin të përfitonin. Në të njëjtën kohë, kjo gjithashtu nxiti zemërimin dhe reagimin e shumë njerëzve që forcimin e gruas e shohin si largim nga vlerat tradicionale.

Lëvizjet reaksionare janë të zakonshme dhe dikush mund të thotë të pashmangshme kur bie fjala për grupet e margjinalizuara që kërkojnë të drejtat e tyre.

Autorja Susan Faludi shkroi një libër të rëndësishëm e novator, të quajtur “Backlash”, që dokumenton lëvizjen reaksionare kundër lëvizjes feministe të viteve ’70 në ShBA dhe që, ndër të tjerash, nënvizon faktin se meqenëqë feministet “kanë fituar” (pra ligjërisht), nuk kishte nevojë që grave t’u jepeshin më shumë të drejta, veçanërisht për atë se barazia i bënte ato të mjerueshme.

Megjithëkëtë, në Kosovë ka zëra që ende pretendojnë se feminizmi është produkt i parave ndërkombëtare dhe janë po ata zëra që hedhin poshtë idenë e barazisë gjinore.

Dhe tashti shumë gra që ngrenë zërin akuzohen si anti-amerikane, komuniste dhe madje pro-ruse. Tekefundit, akuza drejtuar feministeve (sidomos feministeve shqiptare) se s’janë përfaqësuese të denja të komunitetit të tyre, sjell veç një shtresë më shumë nacionalizmi dhe politizimi ndaj grave.

Këto lloj akuzash shpesh venerohen në komunitetet anembanë botës ku grave u kërkohen të zgjedhin midis identitetit kombëtar ose etnik dhe të drejtave të tyre.

Pavarësisht asaj se a shihet si një reagim i ashpër apo një indikator i sfidave ekzistuese me të cilat ende përballen gratë e Kosovës, përgjigjet rrinë strukur në zërat e ndryshëm të grave të Kosovës të të gjitha komuniteteve.

Përfundimisht, avancimi i të drejtave të grave kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm në vija etnike, rritje të mbështetjes financiare për OJQ-të dhe strehimoret e grave, si dhe një përkushtim për t’i mbajtur institucionet përgjegjëse për mangësitë e tyre dhe zbatimin efektiv të ligjit.

Për më tepër, duhet të ndahen burime të konsiderueshme për edukimin e burrave dhe djemve lidhur me çështje kritike si pëlqimi, ngacmimi në rrugë, abuzimi dhe ndërtimi social i roleve gjinore. Programet e trajnimit për barazi gjinore duhet ta nënvizojnë rolin që luajnë burrat në vazhdimësinë e dhunës dhe diskriminimit.

Së fundi, orët e edukimit seksual duhet të jenë të detyrueshme për të dyja gjinitë qysh në shkollën fillore, pastaj atë të mesme dhe të lartë, duke pranuar se posterët, fushatat dhe marshimet nuk mjaftojnë për t’i bërë ndryshimet e nevojshme.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.