Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pushteti korrupton

Ilustrimi: Big Eye

Pushteti korrupton

Hannah Arendt, në njërin ndër shpjegimet për pushtetin, në librat e saj të shumtë, na shpjegon sesi pushteti ruan sferën publike dhe hapësirën e të shfaqurit dhe si i tillë është edhe lëngu jetësor i artefaktit njerëzor, i cili, nëse nuk është skenë e të vepruarit dhe e të folurit, e rrjetit të çështjeve dhe të marrëdhënieve njerëzore si dhe e historive që burojnë syresh, vuan nga mungesa e “raison d’etre”. Sipas filozofes së shquar politike, asgjë në historinë tonë nuk ka qenë më jetëshkurtër sesa besimi tek pushteti dhe asgjë më jetëgjatë sesa shkëlqimi që shoqëron hapësirën e shfaqjes së tij, si dhe në fund, më e zakonshmja për botën moderne, sipas Arendt, është se pushteti korrupton.

E nisa me këtë shpjegim të filozofes në fjalë, meqë së fundmi na ndjekin ngjarje që i vetorganizojnë grupet shoqërore, të përfaqësuara politikisht dhe të mbështjellura mbi petkun e organizatave politike që synojnë atë që mban në jetë sferën publike, si dhe duke treguar potencial mbi këtë. Nuk dua të hyj në analizimin e përfaqësimit të këtyre grupeve, për shkak se përveç radikalizmit sa i përket vlerave dhe parimeve, mund të rrëshqas edhe në banalizim, sa i përket mbarëvajtjes dhe kalkulimit politik.

Ajo që dua të them ka të bëjë me subjektet që legjitimojnë këto grupe, të cilat me ose pa vetëdije ndaj potencialit të dhënë, bëhen të pafuqishme karshi tyre. Në këtë kontribuon shpërndarja e fuqisë së tyre, pasi që nuk ka rezistencë të bashkuar dhe si për pasojë, pushteti shihet si entitet i pandryshueshëm. Githçka ndryshon pra, vetëm pushteti mbetet i pandryshueshëm, përderisa subjekti që e legjitimon gjendet në lloj primitivizmi politik, që nuk e koncepton si duhet shtetin, i cili si rregullim i mirëfilltë politik është i domosdoshëm për jetën publike.

Pafuqia ndaj pushtetit, natyrisht së do të shndërrohet në mekanizëm korruptues të pushtetit. Korruptimi, që këtu nuk nënkupton vetëm entitetin ekonomik, në mes tjerash, ka të bëjë me paaftësinë e përballjes politike, vlerës dhe mungesës së përfaqësimit ideologjik.

Jemi të vetëdijshëm sesi gara për pushtet, ka grumbulluar së fundmi njërëz me pikëpamje të ndryshme politike dhe ideologjike. Ka përafruar ata që bënë “luftë politike” si dhe ka grumbulluar jofunksionalitet politik. Të gjitha këto ngjarje, janë mbështjellur me lloj-lloj ligjërimesh politike, të cilat nuk kanë historicitet të veçantë dhe për më tepër, nuk kanë kauza politike, të cila do të sfidonin gjithçka dhe do të shndërroheshin në “raison d’etre”.

Pra, nuk kemi një entitet politik, që do të ishte arsye kryesore për funksionalizimin e jetës publike dhe të vepruarit së bashku si shoqëri. Jemi një shoqëri thuajse e paplotë, në kuptimin Clastresian, ku gjithnjë orvatemi të mbushim mungesën e institucionit, duke u zhytur në përvoja të dhimbshme. Ende nuk e kemi tejkaluar sfidën që zbraps kulturën politike, e cila na përfaqëson gjithmonë më kot dhe për këtë fajtor në masë të madhe janë subjektet e pushteteve politike që na kanë shoqëruar të këto vite.

Si shoqëri, jetën publike e shohim shumë të kufizuar, sepse subjektet që kanë prodhuar pushtetet politike e kanë stimuluar këtë kufizim. Gjithashtu, kanë materializuar pothuajse çdo gjë, duke minimizuar potencialitetet, të cilat edhe pse në miniaturë, kanë arritur të prodhojnë entitete politike të pavarura. Këto entitete politike, në kuptimin material, si legjitimues të pushtetit dhe në atë moral, si përjashtues të tij, kanë prodhuar një gjendje kaosi në jetën politike, gjegjësisht, përfaqësimin politik.

Sot, është fare e lehtë të përfaqësohesh politikisht, por tepër e vështirë të përfaqësosh mendim politik, ngase mungesa e tij, ka prodhuar refuzim dhe izolim të theksuar nga bashkësia politike, pavarësisht sa të qenësishme janë arsyet e tij.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.