Teksa shpërfaqen shtresat e pabarazisë sociale në Kosovë, dëgjoj deklarata shqetësuese prej rinisë, që për realitetin e hidhur , nuk prezantojnë përjashtime, por fenomene. 10,908km² sipërfaqe, 100 908 000 rrema fashistë që nuk na bëjnë favor në këto kohë të vrazhda.
Të mburresh se je lindur në një territor të caktuar dhe përtej krekosjes të tentosh të degradosh ‘mjeranët’ e lindur pak kilometra larg – janë themelet përmbi të cilat u ngritën krijesat më të përbindshme që baltosën konceptin e barazisë. Përveç që s’ka argumente që do të justifikonin pabarazinë, disa prej folësve në video-n e ‘djegstë’ me bujë, që mbase rastësisht ndodhi në Gjakove, thanë shkarravina mburravece që nuk më lanë as hapësirë të ndihem keq, sepse ata e thanë: janë rritur në kushte të mira, kanë pasur mundësi edukimi, kanë pasur rroba kur ka ardhë dimri, kanë pasur para të blejnë libra, thjesht kanë pasur luksin që të mendojnë… edhe atë, padrejtësisht mbrapshtina.
Por, kanë pasur edhe mure hermetike dhe alienim prej pjesës tjetër të shoqërisë, prej bashkëmoshatarëve të tyre që s’kanë pasur kohë të merren me llastimet e lezetshme të fëminisë e as s’e kanë pasur hallin kryesor identifikimin e të ndryshëmve, sepse admiruesit e origjinës “sheherlije” kanë qenë të paprekshëm, shtypës që as me kajtë nuk t’kanë lanë. Po, katundarët e pakulturuar kanë qenë duke mbjellë arat, gjersa sheherlinjtë paskan qenë duke mbjellë fashizëm. Po, katundarët kanë qenë duke rritë djem e vajza të shatit e pendës, deri sa sheherlinjve iu paska ndarë ‘përgjegjësia’ elite që të na përndrisin me sofizma. Sheherlinjtë paskan qenë nxanë duke dëgjuar Mozartin, e katundarët duke u shurdhuar nga trumpetat e shtypjes.
I sa shkon Mozarti me një gotë verë të kuqe, pranë dritares t’qendrës t’shehrit… Duke parë çka? Njerëz lypsarë në rrugë, njerëz kokulur e pavullnet, asfalte që mbulojnë bukën e gojës që na u vodh. Shih, sa kandshëm me e ndezë televizorin që dobësohet përditë, e që shkon në antagoni me trashjen e shtypjes e shkeljes. Sa e ëmbël duhet të jetë oaza, e sa e ëmbël dehja prej stiropori – se e mira individuale mund të jetë partikulare, e ndarë, e palidhur e e pavarur prej të mirës së përgjithshme.
Dhe ne vendojmë kufij, sepse është telash dhe e papranueshme që të çelemi përpara ngjyrave, ne vendojmë beton, sepse druajmë që dikush na e shkundë sigurinë. Ne betonojmë gotën e verës rreth e rreth dhe pijmë derisa na dhemb barku, sepse më mirë me bark të trazuar nga mbidoza sesa ndarja dhe bashkëjetesa me ‘katundarët e fëlliqur e barkthatë’. Mandej, ku dijnë katundarët se çka është vena. Natyrisht që nuk dijnë, se fuqishëm ‘sheherlinjtë’ verë e mish i kanë deponuar në tepricat e tyre… që prishen, shtrembërohen – paralelisht me mendësinë, barazinë.
Me dy euro në xhep, rinia u krekoska për rrënjët. Po, sepse rinia s’paska pasur kohë të mësojë për ‘purifikimet raciale’ që kanë sakatosë dynjanë. Rinia s’paskësha dëgjuar për kohën kur njerëzit kanë pasur uniformën me vija dhe damkën “I vrarë” në ballë. Rinia nuk e ditka se qytetarë e katundarë jemi të rrahur e të shtypur, e se shtypja s’bën selektime, e se bajraktari për zgjidhjen e telasheve joselektive nuk mund të jetë selektiv. Problemi na atakon të gjithëve, e zgjidhja na takon të gjithëve.
Rinia e oazave, me syze dielli e krahë falsë s’paska fluturuar as në qiell e as në tokë. Po një drejtim do marrim, se as katundari e as qytetari s’mundet me fluturu, dikur do biem në Tokë e do na duhet të shkelim, të rrokemi, e të bashkëjetojmë.
Sa më herët aq më mirë.
Katundarë e sheherli, kthehuni në Tokë.