Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ra ky mort e u pamë. Po ku janë të fortit se?

Jeta e përvujtur e Zejnepes nuk na befason se e shohim  dhe e njohim çdo ditë në çdo instancë të shoqnisë sonë “moraliste”. Më e trishtueshme se jeta dhe vdekja e saj është tragjedia që shpalos një rast i tillë kur na përplas para syve atë çka ne refuzojmë ta besojmë. Kjo tragjedi shpalos atë çka ne urrejmë ta shohim kur lexojmë opnionet e zërat e mendjeve të ndritura të kanunxhive të pshtjellë me petkun e intelektualëve. I quaj kanunxhi të kamoflluar në intelektual sepse me heshtjen e tyre dhe injorimin e rasitit të Zejnepes së shkretë na zbuluan atë se çka na refuzuam të besonim. Na zbuluan që patriarkalizmi në masë të madhe vetëm ka ndryshuar qime, është larë e zbutur me laps e me letër, por ka mbetet ujk i vjetër.  Pra, kjo tragjedi nuk shpalos vetëm vuajtjen e një gruaje nga dora e një burri abuziv e kriminel, kjo tragjedi shpalos një kafshatë që nuk kapërdihet.

Moralet e dyfishta, hipokrizinë, injorancën e analistëve e kemi shumë vështirë ta kapërdijmë sepse prej tyre një injorim të tillë thjeshtë nuk e presim.  Kot u solla e u pështolla portaleve tona, kot kërkova opnion, reagim, zë e shkrim prej trurit tonë mashkullor briliant që nuk resht së na impresionuari me shkrimet e tyre alla “fast food” të politikës. Kërkova edhe te faqet e atyre “feministave” që na impresionojnë me shkrimet për lideret botërore, për femrat revolucionare që ndryshuan histroinë, për femrat model e femrat e forta.

Ku i kemi të fortit tanë, të pavarurit, mendjehapurit, Evropianët e rinjë e kanunxhitë e vjetër? Kur ajo jetonte, shteti nuk pati kohë t’i ndihmoj sepse abuzimi në familje është problem i çiftit, e tash që ajo ka vdekë pishtarët e evropianizmit nuk gjejnë kohë t’ia kushtojnë një reagim të fortë e të mirëqëndisur që do t’i bënte abuzuesit t’u vijë turp nga ekzistenca e tyre. Analistët tanë mendjendritur e sypatrembur, shpeshherë avokatë të të drejtjave të njeriut, e dinë që në mesin e lexuesve, shokëve e bashkëpuntorëve të tyre ka abuzues e dhunues të grave sepse është dukuri e zakonshme në shoqninë tonë e ata na janë përhapur gjithandej. Po pse nuk ua japin një mësim të mirë?! Mos nuk po e shohin të rëndësishme apo ndoshta ju pengon të flasin tema të tilla sepse në thelb kanë qelb partiarkal e shtypës ndaj vetë grave në jetën e tyre?! Jo nuk e besoj që pishtarët e Kosovës Evropiane kanë mentalitet të tillë e aq më pak kur ata me aq zell shkruajnë për femrat lidere e revolucionare, kur i kuotojnë ato, apo kur marrin pjesë në marshe kundër kancerit të gjirit.

Truri ynë mashkullor i ndritur e i pavarur, aq i hapur është diku e ne do ta gjejmë në ndonjë postim prej dy rreshtash në mediat sociale. Aq, dy a tri rreshta për Zejnepen e Dianën, një poezi për nanën dhe nja dy ofendime për deputetet tona sa herë që ato guxojnë të bëjnë ndonjë çirrje apo akt që “nuk i ka hije” femrës. Kaq nga truri i pavarur, kritik i atëdhedashësve tanë që harruan që shtetit nuk bëhet i fortë nëse është i gjysëm, pa ju dal zot femrave me pushkë a me pendë. Le të thonë edhe që femrat e zonja nuk kanë nevojë për t’u dalë zot askush, le të arsyetojnë hipokrizinë e tyre të kamuflluar aq bukur në fotot familjare, por mos të mendojnë që ne nuk i shohim moralet e dyfishta të qenësisë së tyre. Mos të mendojnë që mbuloja nuk po i zbulon e mos ta gënjejnë veten që ne shohim mendje kritike e shpirt revolucionar në ta. Po pra, se vërtetë situata është aq kritike sa duhet revolucion për të prodhuar një shkrim për Zejnepen e gjorë që nuk pat as babë as shtet, e as bashkëqytetar t’i del zot në jetë a vdekje.

Zejnepe e Diana janë mijëra qytetare të kësaj republike, që kërkojnë hapësirë më shumë sesa një lajm televiziv prej një minuti, një shkrim në kronikën e zezë apo një status në rrjetet sociale. Ato kërkojnë zgjim, reagim, vetëdijësim mbarëshoqëror për të thënë se nuk janë raste të izlouara, nuk janë aksidente. Historitë e tyre të dhimshme janë fenomen shoqnor për t’u adresuar nga të gjithë, e më s’pari nga më të fortit e më të pavarurit, opnionistët e analistët, zërat tanë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.