Artikull origjinal i shkruar nga Behxhet Haliti për Rilindjen.
Në qendrën sportive «Vojvodina» të Novi-Sadit, sot, edhe zyrtarisht filluan manifestimet e shënimit të Ditës së Rinisë. Pos shfaqjeve teatrore, programeve muzikore «Pioinerët për pioinerët» dhe «Të rinjtë për të rinjtë» , pastaj punëtorive krijuese figurative të pionierëve, rok koncertit etj., sot u mbajt edhe forumi rinor me temën: «Brezi i krizës – kriza e brezit» . Mbrëmë, gjithashtu në QS «Vojvodina» u mbajtën disa manifestime para përgatitore. U hap ekspozita e krijuesve të rinj figurativë të KSA të Vojvodinës dhe u bë promovimi i shprehjes meditore të manifestimeve të Ditës së Rinisë. Në forumin rinor që u mbajt me titull pune: «Brezi i krizës – kriza e brezit» , morën pjesë të rinjtë dhe të rejat nga mbarë vendi, nxënësit, studentët e punëtorët më të mirë ekonomistët, politkologët, inovatorët, artistët e sportistët më të dalluar të vendit, të cilët, si u tha, në këtë kohë krize më së shumti i duhet shoqërisë sonë socialiste vetëqeverisëse.
Të rinjtë dhe të rejat nga mbarë vendi, duke folur në temën «Brezi i krizës – kriza e brezit» u munduan të japin përgjigje në dy çështje kryesore: ky brez ka lindur me krizën është shkolluar dhe ngritur intelektualisht me krizën dhe sot pret punë me krizën, por nuk është në krizë dhe cili është brezi i ri i viteve të 80-ta.
Sipas pjesëmarrësve të këtij forumi rinor, kriza është prezente gjithkund me ne e në ne, por të rinjtë nuk duhet ta pranojnë atë si pjesë të tyre. Edhe pse tek një numër i të rinjve ekziston bindja e papërspektivë dhe nihilizmit, si u tha, çelësin kryesor të daljes nga kriza duhet kërkuar te mospranimi i gjendjes ekzistuese dhe te lufta më e madhe e rinisë për të dëshmuar identitetin e vet me punë e angazhim krijues. Kriza, sipas të rinjve, nuk mund të jetë alibi për mospunën tonë. U theksuan posaqërisht fjalët e Titos se nuk ka asgjë të paarritshme nëse njeriu dëshiron të arrijë diçka.
Rinia nuk duhet vetëm të presë ndihma nga Partia e nga shteti për t’i realizuar qëllimet e veta, por duhet të angazhohet bashkë me to për kërkimin dhe dëshmimin e identitetit të vet në kuadër të shoqërise sonë.Kjo është kohë e rinisë dhe duhet të shfrytëzohet deri në maksimum, sepse të rinjtë nuk kanë kohë tjetër.
Biseda spontane, shumë joformale e të rinjve në forumin rinor, ngërtheu në vetvete edhe shumë tema interesante për të rinj: prej papunësisë, si problem shoqëror, social e politik përmes politikës banesore, mundësisë që i riu të dëshmohet e deri te koha e lirë e të rinjve. Nga biseda dolën edhe teza shumë interesante, sikur ajo e një të riu se sot është rrezik të jesh i aftë dhe rrezik të jesh i ri, sepse është vështirë të të pranojnë si të tillë ata që nuk u konvenon kjo. Një i ri tha se ai nuk ka kurrfarë lidhje me krizën, sepse ata që kanë harxhuar dikur harxhojnë edhe sot, e ata që kanë punuar dikur punojnë edhe sot, prandaj brezi i ri me çdo kusht duhet të luftojë për atë që do të thotë dalje sa më shpejt dhe sa më e suksesshme nga kriza, e cila është sot, por nuk është edhe ardhmëri.
Neve, të rinjve, tha një diskutues më shumë na konvenon një periudhë e fortë e krizës prej 3-4 vjetësh, se sa ndonjë krizë e butë që do të na percillte dyzetë apo pesëdhjetë vjet.
Gjatë këtyre ditëve, në Vojvodinë do të mbahen edhe shumë manifestime komunale e krahinore, kurse nga manifestimet e karakterit federativ duhet përmendur «Mitingun e paqes» që do të mbahet më 14 maj në vendshpërthimin e Frontit të Sremit dhe rok-koncertin e hapur «Rinia ‘88» që do të mbahet më 21 maj në Paliq e në të cilin do të marrin pjesë grupet më të mira muzikore nga mbarë vendi ynë.
—-
Ky tekst është pjesë e nismës RI-RILINDJA – një shfletim digjital i historisë përmes faqeve të Rilindjes, gazetës kryesore të Kosovës në shekullin e kaluar. Faza pilot e këtij projekti është zbatuar nga Free Libre Open Source Software Kosova në bashkëpunim me Sbunker dhe Bibliotekën Hivzi Sulejmani, si dhe me mbështetje nga Ipko Foundation dhe Presidenca e Republikës së Kosovës.
Fillimisht e kemi digjitalizuar vitin e parë të së përjavshmes ‘Rilindja e Javës’, që është botuar çdo të dielë nga 14 shkurti i vitit 1988. 30 vjet më vonë, Sbunker sjell artikuj të përzgjedhur nga kjo periudhë me synim të ndërtimit të urave lidhëse mes diskursit të sotëm dhe atij të dikurshëm.