Kosova është prej vendeve që e ka shfrytëzuar më së miri atë që studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare e quajnë unipolariteti amerikan. Kosova, si një vend i okupuar e i vogël, me ekonomi të rrënuar të bazuar në ndihmat e mërgimtarëve, me një ushtri guerile jo të rregullt siç ishte UÇK-ja dhe përballë një prej ushtrive më të forta të Evropës, ia doli të çlirohet dhe të bëhet shtet. Sigurisht që kjo erdhi si rezultat i ndërhyrjes amerikane dhe pozicionit të saj mbizotërues në sistemin ndërkombëtar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe fillim vitet 2000. Por që pas shpalljes së pavarësisë, kur Kosova u njoh nga shumica e shteteve të botës, Kosova ka hyrë në një rreth vicioz sa i përket subjektivitetit ndërkombëtar dhe përfundimit të statusit të shtetit të kontestuar dhe kjo lidhet ngushtë me rrethanat dhe konfigurimet e sistemit ndërkombëtar të tanishëm që dallojnë ndjeshëm me ato të viteve ’90 dhe fillimviteve 2000.
Studiues të shumtë tërheqin vëmendjen sa u përket ndryshimeve të konfigurimeve të fuqisë në sistemin ndërkombëtar viteve të fundit. Përderisa në Luftën e Ftohtë kishim një sistem që funksiononte në bazë të bipolaritetit mes ShBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, ku shtetet ishin me njërin kundër tjetrit dhe vice versa, sistemi ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë përkufizohet me unipolaritetin amerikan ku ShBA-ja ishte e vetmja “polici globale”. Logjika e funksionimit e Luftës së Ftohtë në sistemin ndërkombëtar është barrikadimi në kampin ideologjik të njërit lider (Amerikës), ose tjetrit (Rusisë). Nëse je me njërin kamp, je armik me tjetrin dhe bashkëpunimi i çfarëdo lloji mes kampeve është minimal. Si pasojë, të gjitha marrëdhëniet me botën e jashtme përcaktohen nga kampi ku një shtet është pjesëtar.
Kjo logjikë e të bërit politikë të jashtme, bashkë me Luftën e Ftohtë, përfundon në fillimin e viteve ‘90. Kurse, logjika e funksionimit të “Fundit të Historisë” përkon me kohën e unipolaritetit amerikan, ku pas fitores në Luftën e Ftohtë, ShBA-ja vjen në pozicionin e hegjemonit të vetëm real në politikën ndërkombëtare. Rrjedhimisht, edhe shtetet deri atëherë armiqësore futen në një proces të bashkëpunimit të ngushtë me ShBA-në si superfuqi e vetme.
Megjithatë, edhe kjo logjikë funksionimi përfundon në vitet 2000 me rikthimin e Federatës Ruse dhe hyrjen e Kinës në arenën e sistemit ndërkombëtar. Prej viteve 2000, sistemin ndërkombëtar e karakterizon multipolariteti i globalizuar ku barrikadimi në vetëm njërin pol nënkupton mosfunksionim me rregullat e lojës. Për këtë arsye shohim shtetet që “hanë me shumë lugë”, ku edhe pse një shtet është aleat ushtarak, politik e ekonomik me një superfuqi, bashkëpunon dhe kërkon horizonte të partneritetit me superfuqitë e tjera.
Në këtë kontekst, përderisa Serbia e luan lojën sipas rregullave aktuale, duke u përshtatur në një sistem ndërkombëtar ku mbizotëron përsëri multipolariteti në trajtë të globalizuar, Kosova mbetet e ngujuar në perspektivën e ngushtë të logjikës së Luftës së Ftohtë dhe logjikës së “Fundit të Historisë” së viteve ‘90. Në njërën anë, Serbia synon integrimet evropiane duke qenë madje përpara në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe ka bashkëpunim ushtarak e politik me ShBA-në dhe, në anën tjetër, ka partneritet ekonomik me Kinën e aleancë ushtarake e inteligjente me Rusinë. E gjithë kjo vërteton që Serbia, duke iu përshtatur rregullave të reja, gjë që nuk e kishte bërë në fund të shekullit të kaluar, është në avantazh sidomos në krahasim me Kosovën, por edhe vendet e tjera të Ballkanit.
Por, Kosova, duke qenë e ngujuar në logjikën e funksionimit herë të Luftës së Ftohtë e herë të “Fundit të Historisë”, ka hyrë në një rreth vicioz. Në këtë kontekst, për zgjidhjen e kontestimit të shtetësisë së Kosovës në horizont vërehen vetëm dy zgjidhje: autonomia e serbëve të Kosovës, që nënkupton bosnjëzim, dhe shkëmbimi i territoreve, që nënkupton hapje të plagëve të vjetra në Ballkan. Që të dy zgjidhjet vijnë si rezultat i këtij ngujimi dhe mosfunksionimit me rregullat e reja të lojës dhe që të dyja janë të këqija.
Përderisa armikja më e madhe e shtetit tonë, Serbia, ka një politikë të jashtme shumëdrejtimëshe, ku bashkëpunon ngushtë me ShBA-në, ka partneritet ekonomik e ushtarak me Rusinë, madje duke u futur në zonën e hegjemonisë ekonomike ruse të Bashkimit Ekonomik të Euroazisë (i cili synon të jetë kundërbalancë e BE-së), ka raporte të mira me Kinën dhe, megjithëkëtë, është përpara në integrimet evropiane në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kurse në anën tjetër Kosova, duke mos u përshtatur me rrethanat, është e humbur në iluzionet e politikës së jashtme njëdrejtimëshe dhe thellësisht ideologjike, Serbia është në avantazh. Avantazhi i Serbisë nënkupton disavantazhin tonë. Si rezultat është koha që Kosova ta zhvillojë një strategji të re të politikës së jashtme, duke menduar thellë e gjerë “jashtë kutisë” dhe duke i kuptuar rregullat e reja të lojës.