Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Shkollim për punësim, jo për Diploma

Ilustrimi: Big Eye

Shkollim për punësim, jo për Diploma

Zhvillimi i aftësive profesionale në Kosovë është i mangët dhe kjo vërehet nga mungesa e forcës së kualifikuar punëtore për punë profesionale si mekanik, elektricist, etj. Kosova ka rekord në numër të papunëve, të studentëve e të diplomuarve, kurse në anën tjetër mungesë të punëtorëve të kualifikuar. Kjo mospërputhje në mes kërkesës për punëtorë dhe ofertës është rezultat i problemeve në sistemin arsimor, praktikave të sektorit privat, mekanizmave rregullues të tregut të punës, si dhe aspektit kulturor të shoqërisë ku edukimi akademik mbivlerësohet, kurse aftësimi profesional nënvlerësohet dhe nënçmohet.

Aftësimi profesional në Kosovë kryesisht është i identifikuar me shkollat e mesme të aftësimit profesional të cilat janë pjesë e ministrisë së Arsimit dhe të cilat për nga natyra e operimit nuk kanë dalluar shumë nga shkollat e tjera dhe kanë pasur mungesë të praktikës në punë, mungesë të materialeve punuese, profesorë të pakualifikuar dhe kurrikula që nuk përputhen me nevojat e tregut. Si të tilla këto shkolla janë identifikuar kryesisht si shkolla të kualitetit të dobët ku pranohen vetëm nxënësit e dobët, dhe kjo ka ndikuar që për shumë vite imazhi i shkollave të aftësimit profesional në Kosovë të bjerë në nivel ku prindërit t’i konsiderojnë këto shkollat vetëm si opsion të fundit dhe jo si karrierë për fëmijët e tyre.

Përveç prishjes së imazhit të shkollave të aftësimit profesional, hapja masive e universiteteve publike të reja dhe atyre private ka ndikuar që nxënësit të orientohen në karrierë akademike pavarësisht mundësive të pakta për punë. Promovimi i fakulteteve është bërë nga qeveria, kryesisht për qëllime politike dhe si formë e lehtë e “rehatimit” të rinisë së papunë, sepse regjistrimet në fakultet statistikisht ulin numrin e papunësisë pasi që studentët nuk regjistrohen si të papunë kur llogaritet shkalla e papunësisë në nivel vendi. Edukimi akademik për shtetin është shumë më i lehtë dhe më kosto deri në 3 herë më të ulët në krahasim me aftësimin profesional, pasi që për shkollim akademik përveç mësimdhënësve dhe hapësirave nuk kërkohet diçka tjetër, kurse aftësimi profesional kërkon materiale, makineri, hapësira dhe pajisje speciale që janë më të kushtueshme.

Për moszhvillim të aftësimit profesional një pjesë të fajit e ka edhe vetë sektori privat, i cili do duhej të ishte partner i shkollave të aftësimit profesional dhe të ofronte punë praktike si formë e aftësimit. Qendrat e aftësimit profesional në vendet e zhvilluara gjysmën e mësimit e zhvillojnë në ambientet e kompanive private si punë praktike, por kompanitë private përveç që duhet t’i hapin dyert për ofrimin e punës praktike, duhet edhe të ofrojnë kushte që puna praktike t’i shërbejë aftësimit profesional. Puna praktike nuk është shfrytëzim i fuqisë punëtore për kryerjen e funksioneve të thjeshta, për të cilat nuk kërkohet kualifikim, p.sh. nuk është punë praktike nëse një praktikant punon në sportel të shitjes dhe aty mbahet për periudhë 1 vjeçare, kur krejt mësimet nga ajo pozitë i merr për 1-2 javë. Kjo praktikë është thjesht keqshfrytëzim i praktikantëve duke i paguar minimalisht ose duke mos i paguar fare.

Në Kosovë kemi shumë shembuj ku kompanitë marrin praktikantë, por qëllimi nuk është aftësimi profesional por thjesht shfrytëzimi i praktikantëve si fuqi e lirë punëtore. Këto praktika kanë dëmtuar rëndësinë e vërtetë të punës praktike, e cila duhej të kishte për qëllim aftësimin profesional, dhe kanë humbur besimin tek punëkërkuesit që praktika në punë është rrugë drejt aftësimit ose karrierës.

Shkollat e aftësimit profesional janë jashtëzakonisht të popullarizuara në Evropë dhe mendohet se kanë pasur ndikim kryesor në zhvillimin e industrisë Evropiane dhe në numrin e ulët të papunësisë. Modeli Gjerman i shkollave duale për aftësim profesional është duke shërbyer si model i cili po implementohet në shumë vende tjera. Në Kosovë me përkrahjen e organizatave ndërkombëtare po promovohen shkollat e aftësimit profesional dhe modelet Gjermane të edukimit duale por investimet janë shumë të vogla gjë që tregon se së paku qeveria e Kosovës nuk e ka prioritet zhvillimin e shkollave për aftësim profesional.

Sidoqoftë, ndryshimi duhet të fillojë tek familjet dhe prindërit, të cilët duhet t’i eliminojnë paragjykimet për profesione të caktuara. Jo të gjithë mund të bëhen mjekë, avokatë, e ekonomistë, tregu i punës është i tejmbushur me profesione, me kualifikime universitare. Jo të gjitha kualifikimet arrihen përmes universiteteve, p. sh. disa kualifikime që arrihen përmes qendrave për aftësim profesional janë të barasvlershme me kualifikime universitare, pra qendrat për aftësi profesionale nuk janë nivel i ulët i kualifikimit, por vetëm mënyrë tjetër e përgatitjes për tregun e punës dhe për profesione të caktuara. Se sa të rëndësishme janë punët profesionale tregohet edhe me nivelin e pagave që punëtorët me kualifikime profesionale marrin, në shumë raste i tejkalojnë pagat e punëtorëve me diploma universitare.

Kalimi i fokusit nga sistemi i shkollimit akademik në shkolla për aftësim profesional kërkon më shumë se investime në infrastrukturë të shkollave ose implementim të modeleve Gjermane të shkollave duale për aftësim profesional, kërkon diçka që Kosova e ka “pikën më të dobët”, e kjo është puna ekipore dhe bashkëpunimi mes institucioneve respektivisht sektorit privat, shkollave të aftësimit profesional, odave ekonomike dhe qeverisë për krijimin e legjislacionit dhe rregullimit të tregut të punës. Nëse nuk ka bashkëpunim mes institucioneve dhe nuk zhvillohen kurrikulat sipas nevojave të sektorit privat, atëherë shkollat për aftësim profesional shumë lehtë mund të bëhen vetëm një trend i ri për marrje të diplomave që nuk sigurojnë punësim.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.