Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Si do të jetojmë së bashku?

Si do të jetojmë së bashku?

Kemi nevojë për një kontratë të re të hapësirës – deklaron Hashim Sarkis në hapjen e tekstit kuratorial të Bienales së Arkitekturës së Venecias 2020, e cila iu bashkua një axhende botërore të shtyrë për më vonë. Këto fjalë i drejtohen një konteksti ndryshimesh botërisht të përjetuara, që nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale e deri te ato të përditshmet që hasen në çdo nivel shoqëror si pabarazitë ekonomike dhe populizmi. Arkitektët në mbarë botën ftohen që ta modelojnë hapësirën e kësaj kontrate në termat e një mënyre të re të jetesës personale, politike dhe ambientale. Në këtë format atyre iu sugjerohet të bashkëpunojnë me filozofë, artistë, shkencëtarë, urbanistë dhe qytetarë, të cilët do t’i japin formë të ardhmes.

M’u kujtua pikërisht këto ditë se titulli i sivjetshëm i Bienales së Arkitekturës është Si do të jetojmë së bashku dhe nën dritën e ngjarjeve të fundit të pandemisë, këto fjalë dhe ky titull bëhen profetikë.

Si do të jetojmë së bashku në botë dhe me botën? Paradoksalisht mbyllja e këtyre ditëve më çon në ëndërrime për bashkësinë. Hapësira ku jetojmë është vetëm një dhe është e përbashkët. Ka kohë që është e tillë, që kur distancat u shkurtuan dhe ndërlidhja u bë thelbi ynë. Koha është e njëjtë për të gjithë, ajo nuk vjen më me vonesë as te ne. Si koha ashtu edhe pandemia.

Do të duhej ta rimendojmë mbijetesën e tanishme dhe gjithashtu skenarët e nesërm. Mundet që t’i mbyllim më fort dyert e të ngrejmë mure më të larta, mundet që kufijtë të bëhen të pakalueshëm, mundet që të kthehemi mbrapsht në kohë dhe të heqim dorë nga gjithëpërfshirja. Mundet edhe të vazhdojmë si më parë, me indiferencën e zakonshme por me duar më të pastra.

Idealisht në fshatin tonë global mundet edhe që të bëhemi një, i huaji dhe ne sepse të tillë edhe jemi prej kohësh. Mjafton ta pranojmë.

Sipas Frojdit unheimlich është gjendja me të cilën mund të provojmë ta përshkruajmë këtë dyzim, i huaji dhe i afërmi, ata dhe ne. Unheimlich është errësira dhe mjegulla nga ku fillon e del në pah i panjohuri, një frikë e hershme që dalëngadalë sa vjen e afrohet, bëhet më familjare derisa zbulohet duke ardhur në dritë. Ajo që jetonte në pandërgjegje zhvishet nga ëndrra dhe bëhet tmerrësisht e prekshme.

Në të njëjtën mënyrë po duket se në këto kohë ka marrë trajtat e reales diçka që mendohej e largët dhe si rrjedhojë e errët, një legjendë e fshehtë dhe e paprekshme, afërsia e së cilës është e padurueshme.

Si do të jetojmë së bashku tani dhe më vonë?

Pashmangshmërisht kjo mund të jetë dilema e këtyre ditëve të karantinës, fjalë kjo, që ashtu si pyetja e mësipërme, formulohet për herë të parë në Venecia. Karantinë etimologjikisht vjen nga quarentena ne dialektin venecian (quarantina italisht) dhe është periudha dyzetditëshe që ekuipazhet e anijeve së bashku me udhëtarë, kafshë dhe mall prisnin të izoluar në afërsi të ishullit Santa Maria di Nazareth para se të kishin çfarëdolloj kontakti me qytetin dhe banorët.  Gjithashtu dyzet ditë mund të ishte koha e inkubimit të sëmundjeve ngjitëse edhe në shekujt e kaluar. Në fakt një virus është diçka e lashtë, ai vjen nga e shkuara, madje mund të themi se viruset janë po aq të hershëm sa edhe jeta mbi tokë. Kjo është diçka e njohur, dhe është pikërisht ky afrimitet, që i jep trajtat e unheimlich kësaj gjendjeje duke e bërë thellësisht traumatike në përmasa botërore.

Do të shtoja se traumës së përbashkët i bashkëngjitet edhe leksiku i këtyre ditëve, i cili nuk bën gjë tjetër veçse të ngrejë tension dhe panik. Lufta dhe armiku, metafora këto të përdorura rëndom nga mediat dhe qeveritë, për të përshkruar situatën nuk janë fjalët e duhura. Nuk jemi në kohë lufte, por në pandemi. Nuk ekziston një armik i padukshëm por një virus. Le t’i japim kësaj situate emërtimin që i takon dhe të respektojmë masat e nevojshme pa patetizma të tepërta kombëtare të heroizmit, kundër betejave dhe luftërave inekzistente.

Dhe së fundmi le ta mendojmë hapësirën e karantinës si një vend nga ku do të mund të lindin vetëdija mbi shoqëroren dhe personalen, ide mbi të përbashkëtën dhe ndoshta mbi kontratën e re të hapësirës.

Aty ku secili më në fund do të arrijë ta kuptojë peshën e veprimeve dhe të mosveprimeve të veta.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.