Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Si të komunikojmë me fëmijët që nuk mund të flasin?

Ilustrimi: Big Eye

Si të komunikojmë me fëmijët që nuk mund të flasin?

Aftësitë e kufizuara të fëmijëve janë sfidë e jashtëzakonshme në radhë të parë për prindërit e tyre, e pastaj edhe për mësimdhënësit dhe shoqërinë në tërësi. Pas identifikimit të fëmijës si person me aftësi të kufizuara, janë prindërit ata të cilët ballafaqohen të parët me këtë sfidë. Padyshim, përjetimi i një ngjarjeje të tillë është një kthesë e pashmangshme në jetën e çdo prindi dhe anëtari të familjes.

Natyrisht, mungesa e edukimit lidhur me specifikat e aftësisë së kufizuar, e bën edhe më të vështirë pranimin e realitetit të ri. Në këtë kontekst, pavarësisht nga lloji apo niveli i kufizimit të aftësive, duhet të theksohet dhe të njihet fakti që fëmijët me aftësi të kufizuara paraqesin sfidë dhe vështirësi me të cilën duhet të ballafaqohen familjet e tyre.

Në anën tjetër, duhet gjithashtu të theksohet që, në shumë raste, niveli i stresit mund të reduktohet dhe kualiteti i jetës të përmirësohet për fëmijën dhe familjen. Kjo mund të arrihet nëpërmjet përdorimit të teknikave dhe teknologjisë së dizajnuar për këtë qëllim. Një teknologji e tillë janë edhe paisjet speciale dhe alternative për lehtësimin e komunikimit, të njohura si “paisjet AAC”  (ang: Augmentative and Alternative Commnication Devices).

Çka janë dhe për çka shërbejnë paisjet AAC?

Paisjet AAC mund të përdoren për t’i plotësuar disa lloje të nevojave komunikuese. Personat me aftësi të kufizuara të komunikimit kanë mundësi të shprehin mendimet e tyre, të përçojnë mesazhin që ata e kanë për bashkëbiseduesit, të bëjnë të ditura nevojat apo dëshirat që ata i kanë, si dhe të shprehin emocionet e tyre tek të tjerët.  Në këtë mënyrë, me gjithë pengesat e mundshme në komunikimin oral, idetë e tyre do të kenë një zë. Ky zë do artikulohet nëpërmjet përdorimit të paisjeve AAC.

Pra, pajisjet për lehtësimin e komunikimit janë një alternativë e cila ndihmon edhe në rastet më të rënda kur komunikimi është tejet i vështirë. Këto paisje kanë dizajn special dhe janë të ndërtuara për të plotësuar nevojat e atyre që kanë vështirësi në komunikim apo që nuk mund të komunikojnë aspak me të tjerët në mënyrë të pavarur. Varësisht nga lloji dhe niveli i dëmtimit të komunikimit, pajisjet AAC janë mjet i cili shërben si ndërmjetësues në komunikim. “Ndihmues special siç janë fotografitë dhe simbolet në tabelat komunikuese, si dhe pajisjet elektronike janë në dispozicion për të ndihmuar njerëzit të shprehin vetveten. Kjo mund ta ngrejë interaksionin social, performancën në shkollë dhe ndjenjën e vlerësimit të vetes.” (American Speech-Language-Hearing Association). Duke pasur parasysh të gjitha këto dobi që njerëzit mund t’i kenë nga përdorimi i këtyre pajisjeve, shoqëria kosovare duhet medoemos të fillojë me procesin e avancimit të kësaj fushe edhe në Kosovë. Në veçanti, inkoorporimi i pajisjeve të tilla në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës do të ishte tepër domethënës për nxënësit me nevoja të veçanta komunikuese dhe për familjet e tyre.

Përdorimi i Pajisjeve AAC në shkollat e Kosovës

Ideja e përdorimit të pajisjeve ndërmjetësuese për lehtësimin e komunikimit mund të jetë mjaft e re dhe ende e panjohur në mesin e mësimdhënësve dhe hartuesve të kurrikulave në Kosovë. Në këtë kontekst, mbase një fushatë vetëdijesuese do të ishte faza e parë drejt avancimit të kësaj çështjeje. Pas kësaj, universitetet publike do të duhej të punonin në ofrimin e kurseve speciale për pajisjet AAC. Por, duke parë urgjencën e implementimit të këtij projekti, unë do të sugjeroja që të fillohet me trajnimin e mësimdhënësve të edukimit specialë mbi mënyrën e shfrytëzimit të pajisjeve AAC dhe dobitë që ato sjellin në jetën dhe kualitetin e mësimnxënies së fëmijëve me nevoja të veçanta komunikuese. Këto trajnime bazike do të mund të fokusoheshin në pajisje të thjeshta komunikuese, siç janë tabelat komunikuese me simbole ose me fotografi, apo përdorimi i pajisjes “switch” e cila nëpërmjet klikimit përçon mesazhe të shkurta e të thjeshta. Ndërkohë, do të ishte e udhës që të punohet në projekte afatgjata të cilat do të ndihmonin në inkoorporimin e pajisjeve komplekse elektronike – të cilat përbëjnë një nivel shumë më të avancuar të komunikimit. Natyrisht, meqenëse pajisjet e tilla elektronike janë speciale dhe të dizajnuara për t’i plotësuar nevojat specifike të komunikimit, edhe kostoja e tyre është mjaft e lartë. Por, edhe dobia e tyre është shumëfish më e lartë. Imagjinoni një individ të shtrirë në karrocë, pa mundësi të artikulimit të fjalëve dhe pa mundësi të lëvizjes së kokës apo të gjymtyrëve (rrjedhimisht pa komunikim joverbal përmes gjesteve). Pastaj imagjinoni se me çfarë vështirësish komunikimi përcillet një rast i tillë.

Prindërit, familjarët, moshatarët dhe rrethi nuk mund t’i kenë të qarta mendimet, nevojat, apo dëshirat e tij/saj. Në njëfarë mënyre, kur nuk ka nivel të duhur të kujdesjes, këto pengesa në komunikim kanë si pasojë shkëputjen totale të individit me gjithë botën.

Lehtësimi që do të sillte sajimi i çfarëdo lloj komunikimi do të ishte tejet i vlefshëm për fëmijët. Me këtë rast, nuk dua të them që pajisjet AAC janë perfekte dhe zëvendësuese të plota të komunikimit me fjalë, por dua të theksoj faktin që këto paisje e rrisin dhe e lehtësojnë dukshëm nivelin dhe kualitetin e komunikimit, gjë që është lehtësim i madh për të gjithë ata që kanë nevojë për to. Prandaj, shteti e ka obligim të përkujdeset për të gjithë qytetarët e vet, duke mos anashkaluar asnjë moment kosovarët me nevoja të veçanta komunikuese.

____________

Ky artikull është kontribut ndaj projektit USAID Transformational Leadership Program-Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorit dhe nuk i reflektojnë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të USAID TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.