Në shkrimin e kaluar fola për mënyrat se si mund të përmirësohet programi qeveritar pa shtuar kostot. Aty thashë se mënyra kryesore si të përmirësohet programi është përmes ndërthurjes dhe integrimit (mainstreaming) të gjashtë fushave në sa më shumë sektorë të politikëbërjes: Të mirat publike, Industrializimi, prodhimi dhe eksporti, Meritokracia, Diaspora, Bashkëpunimi me Shqipërinë, dhe Interneti.
Gjithashtu theksova se duhet njohur fakti se disa fusha ndërlidhen ngushtë me njëra tjetrën duke krijuar nyje (neksuse) të politikave publike siç është vetë ballafaqimi me pandeminë. Këtu do të flasë për disa politika konkrete në fusha të ndryshme që mund të ndryshohen pa kosto (e ku disa mund të kenë kosto të vogla e disa tjera mund të jenë edhe fitimprurëse).
Pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike
Së pari, sa i përket ndihmës direkte për familjet që kanë humbur kryefamiljarin ose burimin e financimit, si pasojë e humbjes së jetës nga pandemia, kjo mund të bëhet duke shpërndarë pako me produkte vendore. Kjo është në linjë më qëllimet për të forcuar industrinë vendore. Një opsion tjetër përfshinë edhe teknologjinë e lartë ku jepet një kartelë që mund të përdoret për shpenzime vetëm për produkte vendore, sipas modelit jugkorean. Kjo mund të ketë edhe zbatim afatgjatë për skema të ndryshme sociale.
Te rimëkëmbja ekonomike, krijimi i vendeve të reja të punës dhe zhvillimi ekonomik,të krijohet një fond përmes të cilit shteti investon si investitor engjëll (angel investor) në biznese të reja (start up). Kjo mund të bëhet përmes ICK-së dhe poashtu si pjesë e një fushate për ta nxitur edhe kapitalin privat të veperojë në këtë mënyrë.
Pra për biznese të reja që konsiderohen me interes për shtetin, shteti mund të investojë dhe të bëhet bashkëpronar. Sa i përket zhvillimit rajonal, mund të formohen më shumë agjenci të zhvillimit rajonal, si dhe euroregjione ku përfshihen zonat e shteteve tjera, siç do të mund të ishte një euroregjion për zhvillimin e turizmit të alpeve shqiptare.
Politikat fiskale
Sa i perket politikave fiskale, në vend të ngritjes së pragut të pagës që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, mund të lihet pragu aty ku është, por të zvogëlohet shkalla e parë e tatimit në një përqindje simbolike. Kjo bëhet për shkak se është me rëndësi që sa më shumë njerëz të jenë të përfshirë në rrjetin tatimor, për qëllime të shtetndërtimit. Gjithashtu duhet të konsiderohen tatimet në eksport të lëndëve të para, tatimi i pasurisë, dhe tatimi i tokës bujqësore për të nxitur prodhimin e kulturave profitabile.
Investimet kapitale për zhvillim
Te planifikimi i integruar duhet zhvilluar indeksin e treguesve vendorë të zhvillimit në bashkëpunim me sektorin akademik. Sa i përket pikës ku thuhet se do të themelojmë Bankën Zhvillimore të Kosovës, këtu mund të themelohet edhe fondi zhvillimor si diçka e përkohshme e që mund të bashkëjetojë me bankën më vonë. Ky do të shërbente për intervenime më të shpejta për t’u ballafaquar me pandeminë dhe përmirësuar kohezionin social me investime në zona multientike si pjesë e strategjisë së dialogut të brendshëm.
Dalim te pika ku programi thotë “të sigurohemi që kapitali i mërgatës sonë të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune”. Përveç emetimit të bonove të thesarit të dedikuara për mërgatën, duhet studiuar mënyrat e mundshme të konvertimit të pagesës për sigurim në pagesë që shkon në një fond të mërgatës. Kjo gjë mund të bëhet në konsultim me diasporën dhe ky fond do të mund të drejtonte investimet në fusha që përcaktohen bashkë me diasporën (siç është për shembull turizmi kulturor).
Sa i përket zhvillimit të politikave industriale dhe tregtare, mund të përpilohet një Marrëveshje e madhe (Grand bargain) mes industrisë, shtetit dhe shoqërisë civile (sindikatave). Kjo marrëveshje nënkupton ndihmën e shtetit për industrinë, në këmbim të vendeve të punës të sigurta dhe me paga të mira si dhe pagimit të tatimeve.
Teknologjia e bujqësia
Me fokus në sektorë të veçantë, ka potencial për zhvillim më të shpejtë te zhvillimi i infrastrukturës dhe kapaciteteve të TIK duke zgjeruar shërbimet e internetit të Telekomit (broadband), si dhe duke nxitur prodhimin i hardware-it në vend, në linjë me promovimin e prodhimit vendor.
Dihet tashmë potenciali i sektorit për outsourcing dhe duhet fokus më i madh në lehtësimin e këtij fenomeni. Dhe në sektorin e mbrojtjes duhet të ketë një fokus më të madh te mbrojtja kibernetike duke krijuar një departament të ngjashëm me DARPA-n amerikane i cili edhe do t’i ndihmonte sektorit TIK.
Kurse në sektorët si bujqësia, pylltaria dhe zhvillimi rural, duhet të promovohet agro-pylltaria, duke ditur resurset ekzistuese në vend. Poashtu duhet të mirren iniciativa për t’i shpallur persona ligjorë resurset si lumenjtë, malet, pyjet e kullosat e përbashkëta, me qëllim të mbrojtjes më të lehtë si nga degradimet ashtu edhe nga ndryshimet klimatike (kjo lidhet edhe me fushën e mjedisit).
Kurse, tek zhvillimi rural, duhet përfshirë edhe ndihma për industri rurale, që në këtë fazë mund të jetë zgjerimi i kapacitetit përpunues të produkteve bujqësore. Kurse sa i përket sektorit të energjisë duhet të lehtësohet qasja në tregun energjetik të prodhuesve të energjisë alternative.