Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Si t’i kap?sh kujtimet e reja?

Si t’i kap?sh kujtimet e reja?

I dashuri Jeton,

Hello nga “ana tjetër”. Kam ndier nevojën të të përgjigjem, respektivisht që përmes këtij opinioni ta hap dialogun si  pjesë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Unë, ndryshe nga ti, nuk e kam problem të shkruaj për murin, urën, trenin apo “Asociacionin” e famshëm, sepse besoj se këto janë temat për të cilat duhet të gjejmë “common ground” i cili do të na bashkojë, e jo të na ndajë. Por t’i lëmë këto mbase për ndonjë bisedë në të ardhmen sepse para së gjithash dëshiroj të të njoftoj me serbët.

Ne, serbët, jemi ashtu si ju shqiptarët, para së gjithash njerëz të cilët e pinë kafen e tyre të mëngjesit (disa kafen turke apo të shtëpisë, megjithëse jemi italianizuar dhe pimë makiato, espresso, nes, e kështu me radhë), na pëlqen birra dhe ca gjëra të forta në çdo pjesë të ditës e të natës. Ballafaqohemi me problemet e njëjta si shqiptarët, luftojmë me papunësinë e madhe dhe bëjmë akrobacione gjimnastikore që t’i paguajmë të gjitha faturat apo kreditë. Ashtu sikur shqiptarët, prindërit serbë mundohen t’ia dalin në krye për t’i siguruar mjetet për shkollimin e fëmijeve të tyre.

Serbët e Kosovës nuk do të duhej të ishin të largët, sidomos pasi që janë këtu dhe jetojnë mu pranë teje, aty përtej “urës” e cila nuk kalohet fizikisht duke e kaluar në këmbë, por kalohet duke u përpjekur që për një moment të jesh pjesë e jona dhe ta kuptosh përse na duhet ura, muri, Asociacioni, dhe përse lista serbe nuk bashkëpunon (edhe pse për këtë çështje kam qëndrim diametralisht të kundërt me ty). Pse dëshirojmë të barikadohemi, të izolohemi e të kërkojmë njëfarë Asociacioni? Sepse jemi destruktivë, jetojmë në të kaluarën, nuk e pranojmë realitetin, ndërtojmë shtet brenda shtetit? Jo, asnjëra nga këto… ka shumë arsye më të thella të cilat pasqyrohen në atë se ende jemi të diskriminuar dhe të privuar nga të drejtat. Ndoshta do të mendosh se po e teproj por faktet flasin ndryshe.

Jam i vetëdijshëm se narrativat në lidhje me serbët e Kosovës janë të tilla që shumica e shqiptarëve nuk mund të na perceptojë si pjesë të zgjidhjes, si fqinj… por na sheh si problem, si pjesë e shtetit tjetër nga i cili Kosova nuk mund ta fitojë “pavarësinë” e plotë. Në këtë botë perceptualisht të ndryshme zhvillohet dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në fokus të të cilit nuk janë serbët dhe shqiptarët por interesat e ndryshme të shumë palëve. Palët të cilat i arrijnë “marrëveshjet” të cilat i quajnë historike, dhe pastaj kthehen nga Brukseli, pështyjnë njëri-tjetrin në media dhe i përçajnë komunitetitet të cilat tashmë janë mjaft të përçara. Dorën në zemër, në krejt këtë proces nuk shoh kurrfarë dialogu, shoh se këto tema, siç thua edhe ti, na ndajnë, dhe besoj se edhe ky dialog i yni përmes opinioneve është më domethënës, sepse përmes tij po përçojmë ndjenjat tona, qëndrimet e argumentet tona, dhe nga kjo përpiqemi t’i kuptojmë këto dy botët perceptualisht të ndryshme.

Problemi qëndron në faktin se edhe ne në këto shkrime tona anojmë nga disa kujtime jo-fort-pozitive siç është lufta, vrasjet, bodrumet, granatat, bombat e NATO-së, aeroplanët, shpërnngulja, humbja e shtëpive, ndarja nga familja dhe miqtë, 17 marsi, udhëtimet me përcjellje të KFOR-it, autobusët e NIS ekspresit, Gorazhdevci, Stari Gacka… dhe i përdorim ato për përçarje të mëtutjeshme dhe arsyetim të qëndrimeve dhe perceptimit të njëri-tjetrit.

Ke thënë se ka nevojë për ndryshmime dhe pajtohem me këtë, por si të arrihet deri te ato ndryshime është përgjigje njëmiliondollarëshe; si të detyrohen elitat që të punojnë sinqerisht për arritjen e atyre ndryshimeve? Veten e konsideroj pjesë të elitës, jo në kuptimin “elitist”, por në kuptimin se mund të ndikoj në ndryshime në shoqëri, dhe besoj se secili prej nesh mund ta bëjë këtë. Ato “elita” qytetare, gjegjësisht vetë ne, do të duhej të ishin mjaft të guximshme t’u bënin ballë narrativave të cilat na ndjekin, duke e shikuar njëri-tjetrin në sy dhe duke pranuar se ka pasur krime, masakra, vrasje, dhunime, djegie të shtëpive. Ky është vetëm fillimi i dialogut të njëmendtë në të cilin, nëse dëshirojmë të arrijmë deri te “normalizimi” i marrëdhënieve, duhet të sillemi me përgjegjësi dhe me guxim, të ballafaqohemi me të kaluarën dhe të flasim qartë, zëshëm dhe në mënyrë të hapur për këtë, e jo të dalim në rrugë dhe t’i lartësojmë “heronjtë” kur të jenë shpallur politikisht të pafajshëm.

Qëndrimi im është që secili që ka marrë pjesë në çfarëdo krimi duhet të përgjigjet për të, e që nga fillimi i aktivizmit tim qytetar këtë qëndrim e kam mbajtur publikisht, kam qenë i akuzuar nga populli im se jam tradhtar, i paguar nga të huajt, “Sorosist” dhe shumë e shumë gjëra të tjera.  Por, unë jam vetëm dikush që beson se ballafaqimi me të kaluarën është pjesë e rrugëtimit që të çon te normalizimi. Megjithatë, për diçka të tillë na duhet trimëri, e unë atë nuk e gjej te shumë kolegë të mi, te shumë miq, shokë, si te serbët ashtu edhe te shqiptarët. Para një muaji deputeti i Kuvendit të Kosovës e kërcënonte hapur një komunitet se do të spastrohet etnikisht nëse nuk lirohet Ramush Haradinaj . Ajo deklaratë, e cila në vetvete është skandaloze, është vetëm pasqyrë e asaj që shumë njerëz mendojnë por nuk mund ta thonë publikisht. Ajo që për mua është –  dhe që do të duhej të ishte edhe për ty – edhe më skandaloze, është se publiku kosovar nuk e ka dënuar atë deklaratë, se shoqëria civile nuk ka reaguar, nuk ka dalur në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e Daut Haradinajt nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe para dy vitesh kur Ministri për Diasporë deklaroi se serbët në Kosovë kanë më shumë të drejta se shqiptarët dhe se për këtë arsye shqiptarët largohen nga Kosova. Përsëri ka munguar reagimi i shoqërisë civile e cila me dyfytyrësi deklarohet si mbrojtëse e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.

Megjithatë, pajtohem me ty, temat duhen hapur një nga një, dhe atë temat të cilat janë të rëndësishme për të dy komunitetet, të flitet hapur për to, të provohet  në mënyrë konstruktive të shkëmbehen qëndrimet, argumentet, mendimet dhe frikat të cilat sigurisht secili prej nesh i ka.  Unë jam i gatshëm për një dialog të tillë, dhe besoj se edhe ti je i gatshëm.

Koha ka kaluar moti, dhe mendoj se kemi pritur shumë gjatë, ka mbetur veç çështja se sa të guximshëm jemi të pushojmë së qeni ata të cilët kanë pritur.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.