Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Sinjalizuesit e keqpërdorimeve nuk mbrohen por degradohen

Termi “Sinjalizues” apo “Bilbilfryrës” (Whistleblower) u referohet individëve që punojnë në institucionet publike apo private, të cilët raportojnë padrejtësitë si: shkeljet e ligjit, keqpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin.

Këta persona përbëjnë një shtyllë të rëndësishme për interesin publik.

Megjithatë, sinjalizimi i keqpërdorimeve ndodhë rrallëherë, sepse punëtorët frikësohen se identifikimi i sinjalizuesve nga partia, klani apo grupi, mund të rezultojë me degradim në pozitë apo edhe me largim nga puna.

Ta sakrifikosh mirëqenien personale për të mirën e përgjithshme duhet guxim dhe mbi të gjitha dashuri për vendin dhe shoqërinë. Andaj, me plot kuptimin e fjalës, personat e tillë janë heronj të shtetit.

Me gjithë rregullimin ligjor për mbrojtjen e sinjalizuesve, zbatimi i ligjit në fuqi mbetet ende shumë larg, duke i rrezikuar direkt personat që tentojnë të mbrojnë integritetin e institucioneve publike dhe private, për të mirën e përgjithshme.

Mbrojtja ligjore e sinjalizuesve

Kosova, deri në vitin 2009, nuk ka pasur ligj që merret me mbrojtjen e personave që raportojnë/denoncojnë shkeljet që ndodhin nëpër institucione publike dhe private. Ndërsa, nga 2009 deri më 2019, ka qenë në fuqi Ligji nr. 04/L-043 për mbrojtjen e informatorëve, i cili ishte i varfër për nga përmbajtja dhe i mangët për nga mbrojtja reale për denoncuesit.

Më 2 janar 2019, hyri në fuqi Ligji 06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, i cili avancon mbrojtjen e sinjalizuesve dhe detyron institucionet publike e private lidhur me çështjen e sinjalizimit.

Ky ligj e përkufizon sinjalizimin si “raportim apo shpalosje e informacioneve për një kërcënim apo cenim të interesit publik në kontekstin e marrëdhënies së vet të punës në sektorin publik apo privat.

Të gjitha institucionet publike që kanë mbi 15 punëtorë dhe ato private që kanë mbi 50 punëtorë, janë të detyruar që të caktojnë zyrtarin për sinjalizim.

Një nga çështjet më të rëndësishme të mbrojtjes së sinjalizuesve është konfidencialiteti, andaj zyrtari i ngarkuar si përgjegjës për sinjalizim brenda institucionit publik apo privat është i detyruar që të dhënat dhe gjithçka tjetër lidhur me sinjalizuesin t’i mbajë konfidenciale.

Mbrojtja e sinjalizuesve në praktikë

Në dukje të parë, duke marrë për bazë infrastrukturën ligjore dhe nënligjore, Kosova mbron sinjalizuesit, por në praktikë gjendja qëndron ndryshe.

Përderisa në ShBA, përveç mbrojtjes që sinjalizuesit marrin, ata shpërblehen me para të majme për raportimet e tyre në interes të publikut, në Kosovë rreziku për hakmarrje është shumë i madh, sepse zakonisht konfidencialiteti nuk ruhet dhe të dhënat zbulohen.

Rrjedhimisht, në vend se të mbrohen dhe të shpërblehen, sinjalizuesit në Kosovë janë cak i hakmarrjes dhe kërcënimit.

Ndër betejat ligjore që janë duke u zhvilluar kundër sinjalizuesve janë: RTK kundër Fadil Hoxhës dhe Fondi për Sigurime Shëndetësore kundër Alban Pozhegut.

Në rastin e parë, sinjalizuesi është degraduar në pesë shkallë më poshtë, në një pozitë që nuk përshtatet me specializimin e tij. Ndërsa, në rastin e dytë, sinjalizuesi është larguar nga puna.

Në të dyja rastet, sinjalizuesit që kanë raportuar keqpërdorime dhe abuzime në institucionet ku punojnë kanë qenë cak i hakmarrjes nga drejtuesit e këtyre institucioneve.

Legjislacioni penal në Kosovë sanksionon veprën penale të hakmarrjes, duke mbuluar edhe pjesën e sinjalizimit, bazuar në Nenin 388 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, por organi i ndjekjes (Prokuroria) është në gjumë sa i përket luftimit të kësaj dukurie kriminale.

Mangësitë ligjore dhe problemet praktike

Legjislacioni aktual nuk përmban asnjë kriter lidhur me përzgjedhjen e zyrtarëve të sinjalizimit. Pra, çdo punëtor brenda institucionit, pavarësisht kredencialeve personale, mund të caktohet përgjegjës për sinjalizim.

Kjo kompetencë e hapur, pa kufizime për udhëheqësit e institucioneve, ka krijuar mundësinë që në pozita të tilla të vendosen njerëz “të besueshëm” të tyre, pa integritet dhe të paaftë për ta kryer këtë detyrë ashtu siç e kërkon ligji.

Problem tjetër është mungesa e hapësirës së punës. Sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), zyrtarët e sinjalizimit nuk kanë kushte teknike të punës për të ruajtur konfidencialitetin, sepse të njëjtit nuk kanë zyrë të veçantë për ruajtjen e dosjeve të sinjalizimit dhe ngarkesa në një zyrë me dy apo më shumë persona – ku shpeshherë vendosen edhe zyrtarët për sinjalizim – e bën të rrezikshme mundësinë që të kenë qasje personat e tretë. Andaj, për arsye praktike, punëtorët hezitojnë të sinjalizojnë.

Një problem tjetër thelbësor është se në shumë institucione punëtorët nuk e dinë as cili është personi përgjegjës për sinjalizim. Përveçqë nuk publikohen në uebfaqe zyrtare emrat e tyre, punëtorët nuk njoftohen as përmes email-it se kush është zyrtar për sinjalizim.

Kaq mund të thuhet për gatishmërinë e institucioneve që ta avancojnë këtë pjesë, duke luftuar keqpërdorimet dhe abuzimet. Kjo tregon mungesë të gatishmërisë edhe nga institucionet përgjegjëse për mbikëqyrje të Ligjit për Sinjalizim, që janë: Agjencioni për Parandalimin e Korrupsionit për sektorin publik dhe Inspektorati i Punës për sektorin privat.

Andaj nëse autoritetet e Kosovës do të fokusoheshin më shumë në forcimin e sinjalizimit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, do të kishte më pak korrupsion dhe abuzime, ndërsa më shumë integritet në institucione, ruajtje të parasë publike dhe së mirës së përgjithshme.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.