Bashkimi Europian kërkon më shumë pavarësi nga ndikimi i SHBA-së, por shtetet anëtare kanë mospajtime për çështjen e sigurisë.
Gjatë presidencës së Donald Trump-it, europianët qenë të detyruar të vetëreflektojnë, gjë e cila solli përfundimin se Europa, siç e ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel, “duhet të marrin fatin në duart e veta”. Me fjalë të tjera, të bëhet më e pavarur nga Shtetet e Bashkuara.
Por si mund ta arrijë këtë Europa dhe në cilat aspekte të fatit të saj? Debati sillet rreth dy koncepteve: ‘autonomisë strategjike’ dhe ‘sovranitetit europian’. Që të dy konceptet janë të mjegullta dhe, për sa kohë që janë përdorur këmbyeshëm, janë të dallueshme dhe u përmendën si përgjigje ndaj dy aspekteve të ndryshme të politikave të administratës së Trump-it.
Koncepti i autonomisë strategjike u shfaq si përgjigje ndaj paqartësisë së krijuar nga zgjedhja e Trumpit lidhur me garancinë e kahershme amerikane për sigurinë e Europës, duke u përqendruar kryesisht në politikën e mbrojtjes dhe të ardhmen e NATO-s. Ai shpreh idenë se Europa – zakonisht, por jo gjithnjë, Bashkimi Europian – duhet të jetë më pak e varur nga Shtetet e Bashkuara për sigurinë e saj.
Ideja e sovranitetit europian u shfaq për shkak të tarifave mbi aluminin dhe importet e çelikut të vendosura mbi BE-në dhe Kinën nga admnistrata e Trump-it, dhe ndikimi i tërthortë mbi euopianët i sanksioneve të reja të vendosura mbi Iranin më 2018 – të cilat ish kryeministri suedez Carl Bildt i kritikoi si ‘sulm i jashtëzakonshëm’ ndaj sovranitetit europian. Ndonënse problematik si term, ai shpreh idenë se Europa – në këtë rast BE-ja – duhet të jetë më e pavarur nga SHBA-ja në politikat ekonomike.
Sidoqoftë, tash është bërë e qartë se BE-ja po ndjek idenë e sovranitetit europian pa autonomi strategjike. Kjo e fundit është ide shumë më përçarëse përbrenda BE-së se sa e para – përderisa autonomia strategjike ka shumë përkrahës në Francë, ajo kundërshtohet nga Polonia dhe nga shumë në Gjermani. Si pasojë, orvatjet për të zhvilluar nisma të mbrojtjes së BE-së kanë bërë shumë pak progres.
BE-ja është gjithashtu aktor shumë më i dobët në politika të sigurisë se sa në politika ekonomike, gjë që e bën autonominë strategjike qëllim jo shumë realist. Ndërkohë zgjedhja e Joe Biden-it si president të përkushtuar në NATO-n ka zvogëluar presionin mbi Europën për të arritur autonominë strategjike për të paktën katër vitet e ardhshme.
Por ndërkohë që vazhdon varësinë ndaj SHBA-së për çështjen e sigurisë, BE-ja dëshiron ta kundërshtojë në fushat si tregtia, investimet, energjia, dhe teknologjia – shtrohet pyetja se a do të pranojnë këto terma Shtetet e Bashkuara? Disa në administratën e Biden-it, posaçërisht europianistët, e shohin marrëdhënien transatlantke si qëllim në vetvete dhe duan ta përforcojnë atë.
Por të tjerët, veçanërisht ata që janë të fokusuar të arrijnë qëllimet amerikane gjetkë nëpër botë, e shohin marrëdhënien në terma më instrumentalë – vetëm si mekanizëm për të arritur ato qëllime, dhe prandaj do të jenë të gatshëm të bëjnë më shumë presion mbi BE-na që të harmonizojë qëndrimet me ta.
Kina është çështja më e rëndësishme. Me zgjedhjen e Biden-it, ka shpresa për qasje të re transatlantike karshi Kinës. Por BE-ja, e udhëhequr nga Merkel, vazhdoi krye në vete me nënshkrimin e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për Investime (CAI) me Kinën edhe pasi kërkesave të Këshilltarit të ri për Siguri Kombëtare Jake Sullivan për të “mbajtur konsulta me partnerët tanë europianë për brengat tona të përbashkët rreth ‘praktikave ekonomike’ të Kinës”.
Se BE-ja u ngut të nënshkruante CAI-n, kjo zemëroi anëtaret e ekipit të Biden-it, por reagimi përbrenda BE-së ishte se nuk kishin nevojë të kërkonin leje prej SHBA-së për të nënshkruar marrëveshje investimesh me Kinën – me fjalë të tjera, pohim i qartë i sovranitetit ekonomik.
Rusia është gjithashtu e rëndësishme. Instinkti i disave në administratën e Biden-it është që të punohet për së afërmi me Gjermaninë dhe, mbi të gjitha, me Merkel-in e cila gjatë viteve të aministratës së Obama-s është parë si aktor kyç europian në përgjigjën e koordinuar ndaj krizës në Ukrainë.
Megjithëkëtë, Gjermania po shtyn pëpara gazsjellësin NordStream 2, të cilin e kundërshtojnë fuqishëm disa anëtarë të administratës së Biden-it. Administrata e Trump-it sapo ka paralajmëruar sanksione të reja. A do të bëjë presion administrata e Biden-it mbi Gjermaninë duke përkrahur ose zgjeruar këto sanksione? Apo do t’ia falë Gjermanisë me qëllim të ruajtjes së marrëdhënieve të mira?
Se a do t’i lejojë BE-së administrata e Bidenit të luajë me dy palë karta, duke vazdhuar të varet në SHBA-në për sigurinë e saj ndërkohë që e kundërshton në raport me Kinën dhe Rusinë, varet nga ajo se cili fraksion do të formësojë më vendosmërisht politikën e jashtme.
Në njërin krah do të jenë europianistët, përfshi ndoshta edhe Sekretarin e ri të Shtetit Anthony Blinken. Në krahun tjetër do të jenë strategjistët si Kurt Campbell, koordinatori i ri i lartë për politikën e Indo-Paqësorit në Këshillin për Siguri Kombëtare.
Por figura vendimtare mund të jetë Jake Sullivan. Ndonëse ka shkruar së bashku me Campbell-in mbi garën strategjike me Kinën, zyrtarët nga BE-ja – dhe veçanërisht Gjermania – do të shpresojnë se do të mbajë anën e europianistëve.
***
Artikulli origjinal në Chatham House
Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.