Sponzorizuesi i ligjeve, e lë veten pa ligj
Dhjetë vite pas aprovimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku përcaktohet se Qeveria e Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë, i njëjti ende nuk është nxjerrë. Ligji për Qeverinë ishte pjesë e strategjive legjislative, por asnjëherë nuk u aprovua në Kuvend.
Duke pasur parasysh që ende nuk ka Ligj për Qeverinë, si dhe faktin që Kushtetuta nuk e përcakton numrin e ministrive, vendimi për numrin e ministrive, si dhe përbërjen e Qeverisë në tërësi, mbetet në kompetencën e Kryeministrit.
Duke bërë një analizë të të gjitha Qeverive të pasluftës, vërehet qartë se secila veç e veç, shumë më tepër përfaqësonte interesat e subjekteve politike që formuan koalicione për krijimin e Qeverisë, sesa interesin e shtetit apo qytetarëve të vendit.
Me miratimin e Rregullores së UNMIK-ut 2001-19, mbi degën ekzekutive të Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse (IPVQ), Qeveria e Kosovës kishte Kryeministrin dhe nëntë ministri. Vite me radhë u shënua rritje në kabinetet qeveritare.
Qeveria 2004- 2007 ka përfunduar me pesëmbëdhjetë ministra, një zëvendëskryeministër dhe tridhjetë zëvendësministra. Ndërkohë, Qeveria në periudhën 2007- 2010, kishte tetëmbëdhjetë ministra, dy zëvendëskryeministra dhe tridhjetë e gjashtë zëvendësministra.
Në mandatin 2010- 2014 ishin njëzet ministra, pesë zëvendëskryeministra dhe tridhjetë e nëntë zëvendësministra. Kabineti qeveritar i cili përbëhej nga Isa Mustafa, kryeministër, në periudhën 2014- 2017 kishte tre zëvendëskryeministra, njëzet e një ministri, përfshirë këtu dy ministra pa portofol dhe rreth pesëdhjetë zëvendësministra.
Qeveria e fundit, Haradinaj, ka njëzet e një ministra, pesë zëvendëskryeministra dhe rreth tetëdhjetë zëvendësministra. Duhet cekur se numri i zëvendësministrave asnjëherë nuk bëhet publik, sepse bazuar në marrëveshjet politike, sa herë nevojitet të bëhet sistemimi i ndonjë kuadri me profil të lartë, ata emërohen si zëvendësministra. Sa i përket madhësisë së Kabinetit Qeveritar të tanishëm, Kosova prin jo vetëm krahasuar me vendet në regjion, por edhe më gjerë, sidomos nëse kemi parasysh madhësinë e shtetit.
Nëse gjithë kësaj, ia shtojmë edhe numrin e madh të këshilltarëve dhe së fundmi, numrin e koordinatorëve dhe zyrtarëve të tjerë, e tërë kjo përbërje e Qeverisë është një kosto e lartë për buxhetin e Kosovës. Këtu hyjnë pagat, mëditjet, transporti, reprezentacioni, shpenzimet për telefon, etj.
Mungesa e vullnetit politik për të miratuar ligjin për Qeverinë, është kritikuar edhe në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën.
Duke pasur parasysh që Qeveria aktuale është e përbërë nga shumë subjekte politike, është paraqitur nevoja për të kënaqur apetitet e secilit subjekt veç e veç, sa i përket ndarjes së posteve.
Vlen të theksohet, sidomos, numri shumë i madh i zëvendësministrave, ku edhe pse emërimi i tyre është dashur të bëhet në koordinim me ministrat e secilit dikaster, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Shumicës së ministrave, emrat e zëvendësministrave u janë servuar pa u konsultuar fare me ta.
Kjo pasqyrohet edhe në punën e ministrive, ku mungon plotësisht komunikimi në mes të disa ministrave dhe zëvendësministrave të së njëjtës ministri. Një shembull i tillë është rasti i moskomunikimit të Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, me zëvendësministrin e të njëjtit dikaster, Gjergj Dedaj. Për këtë çështje, është deklaruar publikisht zëvendësministri, Dedaj. Kjo ndikon negativisht në efikasitetin e punës së Qeverisë, si dhe në ndarjen e përgjegjësive.
Gjithashtu, Kryeminstri, në bazë të kompetencave të tij, ka mundësi të shkarkimit të ministrave, e që është vështirë të realizohet pa marrjen e pëlqimit të partnerëve të koalicionit. Kjo zbeh rolin dhe fuqinë e vetë Kryeministrit.
Numri i zëvendësministrave gjatë një mandati qeverisës, zakonisht është rritur në heshtje prapa syve të publikut, dhe kjo ka ndodhur, gjithnjë, bazuar në kërkesën e ndonjërit nga partnerët e koalicionit, sa herë që është paraqitur nevoja për sistemimin e ndonjë kuadri të lartë partiak. Kjo ka rezultuar me atë se shumica e zëvendësministrave nuk i dinë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në Qeveri. E njëjta vlen edhe për zëvendëskryeministrat.
Sa i përket shpenzimeve buxhetore, shpenzimet për paga dhe mëditje janë rritur në vazhdimësi.
Sipas të dhënave të Institutit GAP, derisa në vitin 2007, Ministritë ndanin 10% të buxhetit për paga dhe meditje, më 2013 arritën deri në 40%. Shifra kalon 3 milionë euro në Qeverinë e tanishme, duke përfshirë edhe mëditjet për këshilltarë dhe staf përcjellës.
Një numër kaq i madh i ministrive, jo vetëm se nuk e bën një Qeveri funksionale dhe produktive, por përkundrazi vetëm sa e vështirëson punën e Qeverisë, në përmbushjen e objektivave të veta. Disa nga ministritë do të duhej të shkrihen në mes vete, që do të ndikonte jo vetëm në produktivitet, por edhe do të kursente buxhetin e Republikës së Kosovës.
Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal mund të funksionojnë si një ministri e vetme. Ministria për Inovacion, që është një ministri e re, sa për të rehatuar disa militantë partiakë, në përshkrimin e vet, ka shumë kompetenca që i takojnë Ministrisë për Tregti dhe Industri. Në fakt, ky është dyfishim i shërbimeve të njëjta, dhe në vend të kësaj ministrie, do të mjaftonte ekzistenca e një Departamenti për Inovacion, në kuadër të Ministrisë për Tregti dhe Industri.
Një pengesë tjetër është mosarritja e konsensusit në mes të subjekteve politike për reformë zgjedhore, pasi që kishim zgjedhje të njëpasnjëshme, ende pa u ndryshuar Ligji për zgjedhje.
Hartimi dhe miratimi i Ligjit për Qeverinëështë nevojë urgjente dhe për këtë duhet të ketë vullnet politik. Ligji do t’i vendoste kornizat e funksionimit të Qeverisë.
Është e pakuptimtë që sponzorizuesi i shumicës dërmuese të ligjeve në Kosovë, e ka lënë veten pa ligj.
Mirëpo, vetëm nxjerrja e Ligjit për Qeverinë, pa një qasje serioze dhe pa një analizë të detajuar për numrin e ministrive të domosdoshme për funksionimin e mirëfilltë të një shteti, nuk do të sillte rezultat.