Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Sulmi terrorist i 24 shtatorit në veri vë në pah qasjen asimetrike të BE-së

Dështimi i takimit mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë më 14 shtator 2023 në Bruksel nuk ishte befasues. Nuk është pritur ndonjë progres i theksuar për shkak të disponimit të përgjithshëm negativ të të dyja palëve.

Në njërën anë, Serbia e mohon se ka bërë ndonjë marrëveshje me Kosovën dhe e ka bërë të qartë se interesi i saj nga procesi i dialogut është formimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (AKS).

Beogradi ka deklaruar disa herë që nuk është i interesuar ta zbatojë marrëveshjen dhe t’i kryejë obligimet e veta nga marrëveshja. Gjithashtu, Serbia ka shkelur marrëveshjen në disa raste, duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe duke votuar kundër në Këshillin e Europës.

Në anën tjetër, Kosova nuk ka treguar interes për zbatimin e formimit të AKS-së dhe kërkon që ajo të implementohet vetëm nëse ka garanci për njohje. Sipas Kosovës, AKS-ja pa njohje do ta rrezikonte direkt rendin kushtetues të Kosovës dhe do ta destabilizonte më tutje Ballkanin Perëndimor.

Për më tepër, Kosova është e frustruar me politikën e vazhdueshme të akomodimit të Serbisë nga Perëndimi, që nuk është ndryshuar edhe pas refuzimit të Serbisë që ta rreshtojë politikën e saj të jashtme me Perëndimin dhe t’i vërë sanksione Rusisë.

Serbia ka pasuar një politikë të suksesshme të balancimit midis Perëndimit dhe Rusisë, duke ruajtur neutralitetin ushtarak dhe duke zhvilluar bashkëpunim me të dyja palët, duke përfshirë shitjen e armatimit në Ukrainë. Kjo i ka mundësuar Serbisë të ketë një pozitë të fortë në negociata.

BE-ja ka tentuar ta joshë Serbinë me çdo kusht larg Rusisë, duke e shfrytëzuar dialogun Kosovë-Serbi në dëm të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, masat ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të jostabilitetit në veri vetëm sa e kanë shtuar këtë frustrim, ku roli i grupeve të mbështetura nga Serbia në jostabilitet është tashmë i njohur.

BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës pas trazirave të majit 2023 në lidhje me instalimin e kryetarëve të komunave në veri. Ato masa përfshijnë suspendimin e vizitave të larta, kontakteve dhe ngjarjeve, si dhe bashkëpunimit financiar.

Rishtazi pati një deklaratë të fuqishme nga parlamentarë europianë dhe diplomatë që bënë thirrje ndaj qeverive të BE-së, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe për ta rishqyrtuar politikën e tyre ndaj marrëdhënieve Serbi-Kosovë, duke thënë se politika e tanishme është joefektive për të adresuar tensionet dhe dhunën në rritje në rajon, gjë që si duket nuk ka pasur efekt.

Mungesa e dënimeve verbale ose masave ndëshkuese të BE-së dhe vendeve të tjera ndaj deklaratave të vazhdueshme të Serbisë kundër marrëveshjes dhe veprimeve destabilizuese tregon mungesën e një qasjeje kritike dhe proporcianale në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Edhe krizën e majit të vitit 2023 në veri të Kosovës duhet ta shohim në kontekstin e dështimeve të procesit të dialogut. Kjo krizë erdhi nga përpjekjet e Kosovës për të siguruar zbatim të njëtrajtshëm dhe të njëkohshëm të akordeve Bruksel-Ohër, duke theksuar mosgatishmërinë e Serbisë për t’i respektuar ato. Por, ende nuk ka një ndryshim thelbësor në qasjen e ndërmjetësuesit.

Edhe në reagimin e datës 19 shtator 2023 nga BE-ja shihet njëanshmëria, ku – përveç thirrjes për implementim të marrëveshjes nga të dyja palët – veçohet nevoja e themelimit të shpejtë të AKS-së.

Zhvillimet e fundit pasqyrojnë një deteriorim të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe mungesë të gatishmërisë nga palët për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura.

Ky përkeqësim i situatës u vulos përfundimisht më 24 shtator, kur Policia e Kosovës u sulmua nga grupe kriminale të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, zëvendëskryetari i Listës Serbe.

Deri më tash është kuptuar se dhjetëra persona kanë qenë të përfshirë në këtë sulm hibrid, që i ngjason marrjes së Krimesë nga Rusia me “njerëz të vegjël të gjelbër”. Policia ka gjetur sasi të mëdha armatimi në Manastirin e Banjskës, që u përdor si bazë nga ky grup.

Ky sulm nxiti reagime nga Perëndimi, të cilat e vlerësuan atë si sulm terrorist.

Gjatë një fjalimi televiziv, Vuçiq nuk është distancuar nga sulmi, por u ka ofruar mbështetje politike pjesëtarëve të këtij grupi. Po ashtu, Serbia ka shpallur një ditë zie për terroristët e vrarë gjatë sulmit. Kjo e bën edhe më të qartë mungesën e gatishmërisë në Serbi për normalizim me Kosovën.

Përfundimisht, akti terrorist i 24 shtatorit i ka deligjitimuar të gjitha thirrjet dhe presionet mbi Kosovën që ta implementojë njëanshëm marrëveshjen dhe të fillojë me krijimin e AKS-së.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit duket se i ka dhënë goditje vdekjeprurëse dialogut. Tashmë jemi në një gjendje stagnimi dhe ka bllokim të dialogut. Nëse nuk ndryshohet qasja dhe nuk adresohet njëanshmëria e procesit, situata mund të vazhdojë të përkeqësohet.

Kosova nuk ka plane ta bëjë implementimin e njëanshëm të marrëveshjes dhe nuk e pranon një plan sekuencimi që e vendos krijimin e AKS-së si prioritet, pa i kryer Serbia obligimet e veta nga marrëveshja për njohjen de fakto të Kosovës, ku përfshihet mospengimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kurse Serbia, në anën tjetër, nuk ka vullnet ta implementojë marrëveshjen dhe i injoron obligimet e veta që burojnë nga marrëveshja e arritur në Ohër.

Mund të pritet një periudhë mosangazhimi në lidhje me çështjen e implementimit të marrëveshjes. Eventualisht mund të ketë bisedime mbi çështjen e zgjedhjeve në veri, por edhe aty progresi nuk është i garantuar, sidomos pas sulmit të 24 shtatorit.

Inkurzioni paramilitar mund ta ndryshojë qasjen e Perëndimit ndaj dialogut. Mund të kemi kërkesa më me ngulm nga Serbia që t’i respektojë obligimet e saj dhe të mos jetë fokusi vetëm te presioni mbi Kosovën.

Deri më tash, reagimi perëndimor ndaj sulmit ka qenë i përzier, ku ka dënim për sulmin, por gjithashtu ka vazhdim të instinktit për t’i zvogëluar gabimet e Serbisë dhe për të bërë presion që të harrohen ato sa më shpejt dhe të vazhdohet me procesin e dialogut.

Përfundimisht, sulmi i 24 shtatorit i ka demaskuar premisat e dialogut që janë bazuar në supozimin që Serbia mund të konsiderohet partner në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Rrjedhimisht, kjo mund të rezultojë në forcim të pozicionit të Kosovës në negociata.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.