Në një konferencë për media, ku Lidhja Demokratike e Kosovës bëri të ditur kandidaturën e znj. Vjosa Osmani për Kryeministre të Republikës së Kosovës,* kjo e fundit, në prani edhe të z. Mustafa e z. Haziri, deklaroi me një zë të thekur: “I garantoj qytetarit se asnjëherë nga sot nuk do të ndihen se s’kanë zë. Në veçanti, nënat, gratë, vajzat.” Ndërkaq, një ditë më pas, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ajo vetëm sa përsëriti këtë klishe të vjetëruar, duke insistuar “që, tash e tutje, gratë dhe vajzat e Kosovës nuk do të ndihen më që nuk kanë zë në Republikën e Kosovës.”
Në shikim të parë, kjo deklaratë e znj. Osmani mund të mos duket aq problematike. Megjithatë, po ta shqyrtojmë nga një perspektivë më radikale feministe, do të shohim se nuk ka deklaratë më anti-feministe sesa kjo që thotë znj. Osmani.
Pse po e them këtë?
Po e them sepse, duke thënë se do të jetë zëri grave, znj. Osmani, në mënyrë të implicite, po u thotë atyre që nuk kanë zë. Historikisht, siç dihet, gratë qenë shtypur ngase, sipas botëkuptimit të kohës, konsideroheshin të “paafta” për të artikuluar dhe deliberuar rreth çështjeve të drejtësisë dhe të padrejtësisë, të luftës dhe të paqes, të bukurës dhe të shëmtuarës, të moralit e pamoralit. Madje, ndryshe nga ata që justifikonin shtypjen e grave—apo, ta zëmë, të plebenjve në Romën e Vjetër mbi bazën e kësaj aksiome inegalitariane—znj. Osmani, me deklaratën e saj, shkon përtej kësaj, duke u mohuar edhe zërin. Të paktën, këta që arsyetonin shtypjen e grave apo plebenjve nuk mendonin se atyre u mungonte zëri (phōnē) – i cili, siç na mësojnë dhe mendimtarë të ndryshëm, presupozon thjesht indikimin e nevojave apo (pa)kënaqësive, po e folura (logos), në sensin e kapacitetit për të bërë dallimin ndërmjet të mirës dhe të keqes, të drejtës nga e padrejta, të moralshmes nga e pamoralshmja, e kështu me radhë. Madje, tek Politika e tij, Aristoteli, përkundër që avanconte tezën problematike se gratë e kishin vendin në sferën private, ku dhe burri apo babai ushtronte pushtetin e tij në mënyrë hierarkike e të pabarabartë ndaj grave, skllevërve, fëmijëve, mendonte se gratë, ndryshe nga skllevërit, zotëronin jo vetëm zërin por edhe të arsyetuarit praktik, paçka u “mungonte autoriteti” për të sunduar mbi pjesët e tjera iracionale. (Në këtë pikë, siç e dimë, Aristoteli ishte treguar më konservativ sesa mësuesi i tij, Platoni – i cili, megjithëqë në disa pasazhe denigronte pozitën e grave, prapëseprapë mendonte se, kur ishte në pyetje qeverimi apo luftimi, nuk ekzistonte asnjë dallim esencial ndërmjet burrave dhe grave, ndaj dhe gratë ishin po aq të thirrura për të udhëhequr dhe luftuar sa edhe burrat).
Përveç kësaj, problemi i dytë që arrij të identifikoj në këtë që thotë znj. Osmani – pra, “që, tash e tutje, gratë dhe vajzat e Kosovës nuk do të ndihen më që nuk kanë zë në Republikën e Kosovës” – është se, siç duket, është pikërisht znj. Osmani që nuk i paska dëgjuar zërat e grave, sepse gratë jo vetëm që kanë ngritur zërat por edhe kanë folur e rezistuar kundër pabarazive dhe padrejtësive sistemike kaherë (i.e., për dhunën seksuale, për vrasjet e grave, për pabarazitë në të ardhura dhe diskriminimin e vazhdueshëm në vendin e punës, për martesat e hershme, për mungesën e pronësisë, etj). Problemi i vetëm, natyrisht, është se partia e znj. Osmani, së bashku dhe me partitë e tjera që kanë qenë në pushtet, nuk kanë bërë asgjë substanciale për të luftuar pabarazitë dhe padrejtësitë gjinore – veço këtu disa aspekte formale që, dorën në zemër, më tepër kanë ndikuar në maskimin, natyralizimin, reprodukimin, ose përherësimin e tyre, sesa që kanë ndihmuar në luftimin e pabarazive dhe padrejtësive gjinore).
Dhe problemi i fundit, por jo për nga rëndësia, është se duke deklaruar se ajo do të jetë “zëri i grave,” znj. Osmani, në njëfarë mënyrë, po u thotë atyre: “E dini çfarë? Nuk keni nevojë të luftoni për të drejtat tuaja, sepse këtë punë do t’ua kryej unë; unë do të jem zëri i juaj.” Me një fjalë, “Flini!” Megjithatë, të gjitha të arriturat historike të grave, sikurse dhe dihet tashmë, janë realizuar si rezultat e përpjekjeve kolektive nga poshtë-lart, dhe jo si rrjedhojë i një gruaje të vetme, sado “karrierë të bujshme” që mund të ketë pasur ajo. Në këtë kuptim, gjëja e fundit që gratë kanë nevojë në këto momente është që dikush – qoftë burrë, qoftë grua – të bëhet “zëri i tyre.”
*Poshtëshënim: Përkundër bindjes së përgjithshme që dominon në Kosovë, mendoj se kandidimi i znj. Osmani nga klika e vjetër e LDK-së ka qenë një kurth i pastërt për të, për ta eliminuar politikisht nga gara e drejtimit të LDK-së. Unë po përmend vetëm dy arsye kryesore: së pari, z. Haziri, duke mos guxuar të garojë me të, dëshiron ta “shfrytëzojë” z. Kurtin për ta djegur atë si figurë politike. Dhe tjetra, por më e rëndësishme, duke rezervuar pozitat drejtuese në procesin elektoral, dyshoj shumë se ai dhe të tjerët do të angazhohen me gjithë mend për fitoren e saj, duke qenë se kjo do t’ua zbehte gjasat për të ardhur në krye të partisë.