Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Teoria e Marrëdhënieve Ndërkombëtare për të dashuruarit: një udhëzues për Shën Valentin

Nesër është dita e Shën Valentinit. Si një shërbim për publikun, unë dua t’i rikujtoj lexuesve të revistës “Foreign Policy” për njohuritë e rëndësishme që mund të ofroj teoria e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (MN) për njerëzit që kanë rënë në dashuri.

Si fillim, çdo partneritet romantik është në thelb një aleancë dhe aleancat janë një ndër konceptet thelbësore në Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Aleancat sjellin shumë përfitime për anëtarët e tyre (përndryshe përse do t’i formonim ato?) por siç e dimë, ato ndonjëherë reflektojnë pasione irracionale dhe pashmangshëm e kufizojnë autonominë e secilit anëtar. Shumë teoricienë të MN besojnë se institucionalizimi i një aleance e bënë atë më efektive dhe më të qëndrueshme, por kjo gjithashtu është edhe arsyeja se përse bërja më formale një marrëdhënie dashurore është një hap domethënës që duhet të merret në konsideratë me kujdes.

Sigurisht, teoricienët e MN gjithashtu kanë paralajmëruar se aleatët jo rrallë përballën me rreziqe të dyfishta, atë të braktisjes dhe zënies në kurth: sa më shumë që kemi frikë se partnerët tanë mund të na lënë në baltë (braktisin), aq më shumë ka gjasa që t’i lejojmë ata të na tërheqin në detyrime që fillimisht nuk i kishim parashikuar (zënia në kurth). Kur e gjeni vetën duke marrë pjesë në ri-takimet e shkollës së mesme të partnerit tuaj, ose duke udhëtuar çdo vit tek prindërit e saj/tij për darkën e Falënderimeve, atëherë do e kuptoni se çfarë dua të them.

Realistët prej kohësh kanë argumentuar se sistemet bipolare janë më të qëndrueshmet. Andaj, nëse njeri nga ju që jeni të dashuruar po mendoni që të shtoni më shumë aktorë kryesor në sistem, ju lutem ta ri-konsideroni këtë gjë. Siç shumica prej nesh mësojmë në ndërkohë, përpjekja për të modifikuar një marrëdhënie romantike në një renditje multi-polare zakonisht shpie në kriza dhe nganjëherë në luftë të hapur. Sigurisht se kjo nuk është gjë e mirë për stabilitetin e aleancës.

Teoria e MN gjithashtu na paralajmëron se ndryshimet në ekuilibrin e fuqisë janë të rrezikshme. Ekziston një paralajmërim i qartë këtu: ka më shumë të ngjarë që marrëdhëniet të kenë probleme nëse statusi apo fuqia e një partneri ndryshon në formë rapide. Pra, avancimi në punë i partnerit, për të cilin rast keni festuar së bashku, përgjithësisht mund të jetë gjë e mirë, por ka të ngjarë të ndryshoj pritjet dhe t’ju detyroj ju dhe partnerin tuaj të bëni ndryshime serioze. E njëjta gjë vlen edhe nëse njëri nga ju pushohet nga puna. Si përfundim: kërkohet shumë durim dhe dashuri për të përballuar një ndryshim të madh në baraspeshën e fuqisë brenda një marrëdhënie.

Edhe marrëdhëniet më të mira kanë momentet e tyre të vështira, sigurisht, sepse edhe qeniet njerëzore që e duan thellësisht njëri-tjetrin mund të kenë vështirësi të kuptojnë se çfarë dëshiron personi tjetër dhe përse po vepron ashtu si po vepron. Teoricienët e MN kanë shkruar shumë gjëra të mençuria në lidhje me keq-perceptimin dhe është mirë që disa nga këto elemente të merren në konsideratë. Për shembull, ne priremi të shohim sjelljen tonë si të kufizuar nga rrethanat tona, ndërsa sjelljen e të tjerëve i’a atribuojmë cilësive dhe dëshirave të tyre. “Unë jam duke e bërë këtë sepse duhet ta bëjë, por ai po vepron në këtë mënyrë sepse i tillë është!” Ky lloj perceptimi i anshëm është një recetë e fuqishme për spiralen e konfliktit, diçka për të cilën teoricienët e MN na kanë paralajmëruar prej kohësh. Ndodh një mosmarrëveshje e vogël dhe përpjekja e secilit person për të mbrojtur pozicionin e tij/saj fillon të duket si një sulm agresiv dhe i pajustifikueshëm. Dhe, kështu zbulojmë një tjetër koncept thelbësor të MN: përshkallëzimin.

Shpresoj që në këtë pikë disa lexues po tundin kokën në shenjë pajtimi. Kjo gjë më sjell tek një koncept veçanërisht i dobishëm në MN: paqësimi. Termi është denigruar padrejtësisht që nga Munihu, por kjo është një strategji kritike për të ruajtur çdo marrëdhënie romantike. Dhe, nëse nuk më besoni mua, pyesni gruan time e cila më bëri të shkruaj këtë paragraf.

Andaj, ndoshta të mësuarit e disa teorive të MN në të vërtetë mund të ndihmoj jetën tuaj dashurore. Nëse kjo ndodh dhe nëse jeni me fat të gjeni personin e duhur, mund edhe të vendosni që të institucionalizoni marrëdhënien tuaj duke u martuar.

Dhe pastaj, të dy ju mund të vendosni të mobilizoni resurset tuaja dhe të rrisni rrjetin tuaj të aleancës – shembull, të keni fëmijë – ose përmes metodës tradicionale ose duke i adoptuar. Nëse e bëni këtë do t’ju duhet të mësoni një grup krejt të ri të koncepteve të MN si: parandalimi, detyrimi, “taktikat e sallamit” dhe tej-përkushtimi. Por, ky është një grup tjetër problemesh dhe mbase do të pres deri në Ditën e Baballarëve që të shkruaj për to.

***

Artikulli origjinal në: “Foreign Policy”, i publikuar në datën 13 Shkurt, 2009.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.