Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kosovo Dispatch

Udhëpërshkrimi i Miljo Ambien – Pjesa 4: Shqiptarët diskretë

Flasin pandalë për seksin…sa tregime të panumërta, me zgjuarsi e dredhi halucinante, me rreziqe e triumfe të denja heronjsh.

Kudo, jeta personale, sidomos pjesa që ka të bëjë me seksin, është më diskrete. Ka qenë dhe mbetet edhe pas ardhjes së mediave sociale.

Megjithatë, krahasuar me Perëndimin, për aq sa kam vërejtur, kjo anë diskrete gëzon territor shumë më të madh e më të vështirë në mesin e shqiptarëve.

Lexuesi mund të gjejë arsye të indinjohet nga sjellja ime e paskurpullt e përdorimit të rasteve personale, emocionit njerëzor, për të shkruar; çfarë egoizmi! Mund të gjejë arsye edhe për ta vënë anën time morale në pikëpyetje: ç’njeri na qenka ky që përzihet paturpësisht në kësi historish! Me atë rrezik, në mbrojtje timen, po nënvizoj vetëm që tradicionalisht, në profesionin tim, mundohemi të kuptojmë fenomenet shoqërore përmes rastesh që i trajtojmë ose me të cilat familjarizohemi. Fati e vlera e tyrë është tjetër gjë ashtu siç është edhe interpretimi.

Femrën e parë shqiptare me të cilën kam fjetur e kam njohur në udhëtimin tim të dytë në Kosovë, më 2011, në Gjilan. Një asi mbrëmje ku dikush me të cilin ke dalë e njeh dikë që vjen rastësisht ose që e ka tabjat të dalë po aty, e që gjithashtu shoqërohet edhe me dikë tjetër. Sepse shqiptarët, sidomos femrat, shumë rrallë dalin vetë. Nuk kisha ndonjë pritje të entusiazmuar ngaqë kishim folur, por, përkundër faktit se pyetjet e saj të jepnin përshtypjen e një interesimi të vogël, ajo prapë më dukej më shumë e rezervuar. Biseda u çel vetëm në ditët vijuese përmes mesazhesh, telefonatash, pas një vizite të saj në kryeqytet për një punë tjetër e hajt rrugës edhe një kafeje me mua, pas më shumë mesazhesh, telefonatash.

Vinte shpesh më vonë dhe e shpenzonim pjesën më të madhe të ditës në shtëpinë time. Shumë seks, ose gati gjithë kohën seks, që ajo e pëlqente si unë. E kishte pasur një të dashur, vetëm atë, natyrisht. Përtej seksit, pjesën më të madhe të kohës e kalonte për kujdes. Askush nuk duhej të merrte vesh, askush nuk duhej të na shihte. Aq shumë tregime të gatshme për t’i recituar, në formë justifikimi, në rast se do të hasnim rrugës diçka, dikë, papritur. Gjëra të këtilla.

Në ditë të këqija, gjithçka ndodh të të duket penguese: plot njerëz të trashë, institucione të dobëta, ushqim që të helmon, ajër i ndotur. Ama, femrat janë aq të bukura, janë shpëtim i vërtetë!

Femra model kryeqytetase, model sipas konstrukcionit social, është e qasshme për ta njoftuar. Nëse ke durim, që domethënë të dalësh shpesh në vendet e njëjta dhe pak a shumë të sillesh me rutinën e njëjtë, mundesh edhe të krijosh një platformë për ta njohur. Fatkeqësia ime është se unë nuk jam mashkulli model sipas konstrukcionit social vendës. Për femrat e këtilla është pak cheap të më jepen edhe nëse u pëlqej. Përveç tjerash, fundi i fundit unë jam auslander dhe më i moshuar. Kështu që, përkundër gjithë kënaqësisë, edhe ajo më dënoi me një dozë diskrete. Shoqëria e saj nuk ishte e sigurt, muhabetet tona në prani të të tjerëve ndonjëherë ishin dromca absurdi, sjellje që, po nuk e kuptove kontekstin, të duken të njerëzve të dalë mendsh a të sëmurë ndërlikimi. Sidomos kur ajo i fliste me tërë rregullsinë e zakonshme, një minutë a ca mbrëmjeve, djalit model, ku i dihet ndoshta burrit, për të. E prapë nuk zëvendësohet me asgjë kapela e saj, lëkura e saj, e qeshura e saj, aftësia e saj për të të kuptuar.

Ndërsa ajo kurrë nuk do të divorcohet prej burrit. As ai prej saj. Të tjerët, të paktën shumica e tyre, nuk e dinë, por sa fals më duket ajo skena e kapur për duarsh, ajo buzëqeshje në formë ngërdheshjeje, ai diskurs kinse krejt i rregullt bashkëshortor. Çfarë filmi i përkryer të ngjan parasysh. Ç’është e vërteta më bëhet më tepër i këtillë, meqë ndjej një lloj xhelozie, ngase përndryshe rrëfimet e këtilla nuk më janë aspak të panjohura. Dhe, mbi të gjitha, prapa në dhomën time të gjumit ajo vetë ma deshifron gjithë falsitetin, shterpësinë.

Oh, sa tregime të panumërta të këtilla vetëm se me zgjuarsi e dredhi haluçinante, me rreziqe e triumfe të denja heronjsh, kam dëgjuar prej meshkujve. Disa syresh i kam parë me sytë e mi.

Seksi është shumë diskret për shqiptarët e ata, meshkuj e femra, flasin pandalë për të.

Në studimet e personalitetit disa e shohin dhënien e tepruar pas seksit si një temel prirjeje fashiste.

Në rastin tonë, në asnjë mënyrë nuk do të shkoja aq larg. Ama do të më pëlqente pak më shumë hapje. Konstruksionet e ashpra shoqërore, zakonet, e të tjera, të sfiduara. Si dhe paramendoni gjithë ato aventura, gjithë atë inteligjencë, pak më në dritë…

 

______

*Dr.Sc.Miljo Ambien (pseudonim) drejton një kilinikë analitike në shtetin e Michiganit. Është shqiptaro-amerikan i gjeneratës së tretë. Udhëtimet e viteve të fundit në hapësirat e banuara me shqiptarë në Ballkan e kanë frymëzuar të shkruajë. Atë e mahnit identiteti i brishtë i shqiptarëve – që përpiqet ta kuptojë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.