Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

UP-ja dhe sindroma e mashtruesit

Ilustrimi nga Big Eye.

Në terma të zhvillimit psikoemocional të Erik Eriksonit, gjatë viteve të programit Bachelor përjetohet fundi i krizës së identitetit dhe fillon kriza e intimitetit. Në terma të Kosovës, ndërkaq, vend më sfidues sesa UP-ja për ta zgjidhur krizën e identitetit, nuk ka. Publiciteti i viteve të fundit rreth dështimeve të universitetit e ka ndrydhur vetëbesimin e studentëve dhe në njëfarë mënyre ka siguruar pasivitetin dhe heshtjen e tyre. Shumë mendojnë se ndoshta do të ishte më mirë të mos shkojnë fare, sesa të edukohen atje në këtë kohë dhe këto zhvillime.

Dikur pata thënë se UP-ja për studentët e angazhuar është vetëm trampolinë. Është një mekanizëm ku krijohet një notë e mirëfilltë mesatare, krijohen disa lidhje, hapen horizonte të reja dhe në fund, aplikohet për një bursë jashtë Kosovës. Ende e besoj këtë, vetëm se tani gjithashtu mendoj që ky proces lë pasoja te studentët në fjalë. Posaçërisht e lë një pasojë e cila në fushën e shëndetit mendor njihet si sindroma e mashtruesit (impostor syndrom).

Personi që përjeton këtë sindromë ndjen që suksesi i arritur apo mundësitë që i ka fituar, nuk i meriton vërtetë, por e “ka mashtruar rrugën e vet deri aty”. Disa mund të ndihen se “vetëm kanë qenë me fat” dhe në fakt, gjithçka është false dhe jomeritore.

Tani, pse të ndihemi kështu në UP? Sepse i dimë parregullsitë e shumta në proces të regjistrimit, zhvillimit të lëndëve, vlerësimit, etj. Ka një sistem që t’i jep 5 afate për ta marrë një notë (!!!), dhe ka lëndë për të cilat mësohet nga skripte 100 faqëshe. Por në UP ka studentë që nuk kanë mundësi financiare dhe të lëvizjes për të qenë në një shkollë tjetër më të mirë, por që janë të përkushtuar në lëmitë e tyre. Edhe këta, krejt suksesin do ta korrin përbrenda një sistemi problematik. Pyetja është, a janë vërtetë suksese, nëse arrihen në UP?

Ndonjëherë, për ta mposhtur këtë ndjesi (dhe derivatin e saj, disonancën kognitive), i bie që do ta mësosh skriptën 100 faqëshe, dhe gjithashtu do të piratosh libra tjerë të mirëfilltë mbi lëndën në fjalë, vetëm e vetëm për t’u siguruar që dija jote vlen.

Por këtë mund ta bësh vetëm me lëndë dhe me libra të caktuar. Nuk mund ta bësh me një universitet të tërë. Nuk mund ta “mësosh” UP-në “100 faqëshe” dhe pastaj të piratosh “diplomë” në universitete të mirëfillta. Këtu shfaqet sindroma e mashtruesit. Nuk mund ta sigurosh veten (apo të tjerët) që diploma që ke marrë është e vlefshme. Nuk mund të garantosh që nuk po mashtron. Ndoshta kur të punësohesh, mund ta dëshmosh cilësinë tënde me punë. Por deri në atë pikë vështirë të arrihet.

Dhe nuk është në pyetje vetëm diploma. Çdo herë, ama bash secilën herë që në media del një skandal i radhës për UP-në, qofshin edhe ato ë-jat e tepërta në kartëvizitën e një dekan(ë)i, një studenti në UP i thellohen dyshimet në aftësitë dhe kredencialet e veta, sepse i thellohet bindja në paaftësitë e institucionit që ia ofron ato.

E kjo pastaj çon te e keqja e madhe, te demotivimi, ku “nuk ia vlen” bëhet mantra e mungesave, e mosangazhimit, e dorëzimit. Sa qartë mund të shihet profecia vetëpërmbushëse kur për shkak se beson se UP-ja nxjerrë studentë të dobët, nuk angazhohesh më dhe shndërrohesh në një të tillë. Vetëm se nuk është komplet “vetëpërmbushëse”, kur janë të tjerët që vazhdimisht, skandal pas skandali, e nxisin atë.

Jo gjithnjë studentët do të shqetësohen nga sindroma i mashtruesit. Ata në fund do ta shfrytëzojnë këtë institucion bash si trampolinë dhe do të shkojnë në institucione dhe grupe tjera, ku vlerësohen, edukohen dhe trajtohen më mirë. K;shtu, degraduesit e UP-s; disi sikur u siguruan që ndryshimi i mundshëm nuk do të vijë kurrë nga studentët – ndryshimi “bottom up” – sepse trevjetëshi i tyre në kampus do të jetë vetëm transit.

Nuk do të ketë angazhim për të ndryshuar praktika universitare që të gjithë pajtohen se janë të gabuara. Nuk do të ketë dalje të mjaftueshme as në zgjedhje studentore. Nuk do të kërkohet llogaridhënie. Grupe të vogla kryengritëse do të ketë gjithnjë, por kultura e përgjithshme e studentëve është tepër e ndikuar nga opinioni i jashtëm se në UP thjesht nuk ia vlen. Dhe ndoshta “Një propozim modest për UP-në” bëhet mundësi reale.

Dhe sikur ajo të bëhej reale, edhe sindroma e mashtruesit do të bëhej e tillë. Imagjinoni diplomë nga një universitet i mbyllur.

Tërë këto skandale vetëm sa ia kanë përforcuar bindjen shumicës që përvoja universitare në UP është veç një pauzë prej jetës reale. Si rrjedhojë, studentët nuk e kundërshtojnë më këtë përvojë, gjysma e së cilës ju ikën prej duarsh derisa presin radhë të gjata në fotokopje dhe administratë.

Shkëndija për ndryshim e rektorit Zejnullahu ishte sado pak një shpresë. Dhe ajo përfundoi. Shkëlqimi dhe rënia e tij ishin shumë domethënëse, të dyja episodet e saj: Në UP më së shumti vuan ai që mëton të bëjë diçka, dhe në fund, dëshpërimisht dorëzohet.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.