“Seksi shitet” mori formë njerëzore/statusore në Facebook me publikimin e rezultateve të anketës MICS. Anketa që monitoron situatën e grave dhe të fëmijëve, u administrua në Kosovë gjatë 2014-2015, u publikua në tërësi javën që shkoi. Kjo anketë, edhe pse sigurisht çuditi shumë, përmbante statistika shumë interesante, disa brengosëse, disa pozitive, mbi gjendjen e grave dhe të fëmijëve në Kosovë, statistika këto, përtej numrit të vajzave 15-24 vjeç që janë aktive seksualisht. Sidoqoftë, seksi shitet, ose në këtë rast ishte mungesa e seksit që shitet, dhe tek ne. Lajm kryesor ishte kjo statistikë, e cila tregon se 91.1% të vajzave të anketuara të kësaj moshe që janë të pamartuara janë përgjigjur se nuk kanë qenë asnjëherë seksualisht aktive. Kjo shifër për burra është 54.4%. Implikimet e këtyre statistikave dhe mënyrës sesi ne reaguam, nuk kam çka t’i shtoj asaj që ka thënë Hana Marku.
Sidoqoftë, duke u kthyer kah e rëndësishmja dhe relevantja, kjo statistikë, në një raport mbi 300 faqësh, me statistika shumë më të rëndësishme, do të duhej të kalonte pa u diskutuar, ose së paku pa u diskutuar në këtë masë dhe me kaq intensitet.
T’i kthehemi fëmijëve. Vetëm 88.1% e fëmijëve që lindin në Kosovë regjistrohen zyrtarisht, rreth 12% mbesin të paregjistruar në sistemet zyrtare. Statistikat e anketës MICS tregojnë se numri i fëmijëve, të moshës 24-35 muaj që kanë marrë vaksinat e rekomanduara sipas imunizimit në Kosovë deri në moshën 1 vjeçare janë 78.5%. Kjo statistikë duhet të na tërheqë vëmendjen, se 21.5% e fëmijëve kanë ngelë prapa në imunizim, që i bën ata të prekshëm nga sëmundjet e infektimet. Nuk është numër i vogël dhe nuk janë çështje për t’i lënë pa diskutuar. E si disiplinohen fëmijët në Kosovë? Statistikat e raportit tregojnë se 61.4% e fëmijëve 1-14 vjeç kanë përjetuar agresion psikologjik ose ndëshkim fizik gjatë muajit të fundit. 61.4% e fëmijëve! Pse nuk po reagojmë për këtë statistikë brengosëse në të cilën tregohet se shumica e fëmijëve tonë i ekspozohen ndonjë forme të dhunës si formë disipline? E kur jemi te dhuna, pse nuk po reagojmë për statistikat se sa e pranueshme është dhuna bashkëshortore? Përqindja e grave që mendojnë se bashkëshorti i tyre ka të drejtë t’i godasë apo t’i rrahë nëse ato dalin pa i treguar atij, nëse i neglizhojnë fëmijët, diskutojnë me bashkëshortin, refuzojnë seks, ose, e djegin ushqimin, është 32.9%. Kjo shifër për burrat është 14.9%. Këto përqindje rriten edhe më tutje nëse kategoritë që “arsyetojnë” dhunën zgjerohen në kategori edhe më banale, si nëse bashkëshortja nuk kujdeset për prindërit e bashkëshortit –42.4% të grave e arsyetojnë këtë dhunë. Rreth 22% të burrave pajtohen. E di që kjo është diskutuar kur u siguruan këto statistika pa dalë raporti i plotë, po shtrohet pyetja, pse tash nuk na u dukën më problem këto statistika, vetëm pse i kemi diskutuar para disa muajsh? Se jo, kinse nuk mbesin relevante, e më me rëndësi është virgjëria e 90% të grave të pamartuara deri në moshën 24 vjeçare. Këso statistika duhet të na hapin sytë dhe të na brengosin para se të lejojmë të ndodhin tragjedi si ajo e Zejnepe Bytyqit. Po më me rëndësi virgjëria!
Në anën tjetër, raporti jep statistika për një fushë tjetër shumë të rëndësishme, që është arsimi. Brengosëse është se vetëm 31.1% të fëmijëve nën moshën 5 vjeçare kanë 3 apo më shumë libra të fëmijëve. Shpresëdhënëse është se nënat e këtyre fëmijëve janë të angazhuara në aktivitete që promovojnë mësimin dhe përgatitjen shkollore, e brengosëse është se baballarët janë të angazhuar rreth 6-7 herë më pak. Kur i dekonstruktojmë statistikat e arsimit të ulët dhe të mesëm, shohim ku janë mangësitë në sistem, përparësitë, dhe ku duhet intervenuar. Rreth 99.6% të fëmijëve që fillojnë klasën e parë të shkollës fillore arrijnë klasën e fundit të shkollës fillore. Tranzicioni në shkollën e mesme prej shkollës së lartë fillore është 91.5%, që na tregon se një numër i konsiderueshëm i nxënësve nuk vazhdojnë shkollën e mesme, dhe kjo është ajo ku ka vend për përmirësim dhe ku mund t’i kanalizojmë fjalët dhe veprat për të përmirësuar numrin e nxënësve që shkojnë dhe që përfundojnë shkollën e mesme. Shpresëdhënëse e statistikave të arsimit është pariteti gjinor, sidomos në klasat e ulëta, ku numri i vajzave dhe i djemve të regjistruar krijojnë paritet gjinor prej 100%. Ky numër zvogëlohet në klasat më të larta, mirëpo statistika nuk zbret nën .96 apo 96%.
Shpresëdhënëse është se këta të rinj, për aktivitetet seksuale mbi të cilat po flasim, përdorin kompjuterin mbi 90% gjatë vitit të fundit, e po ashtu dukshëm mbi 90% kanë përdorur edhe internetin. Një vend si ky i yni duhet t’i gëzohet faktit të nivelit të penetrimit të internetit, e informatave të panumërta që mund t’i marrim aty, tek rinia.
Statistikat përdoren e abuzohen dhe interpretohen ashtu si i konvenon atyre që janë duke i raportuar, mirëpo, me shumë pak mendim kritik mund të fokusohemi në statistikat që me të vërtetë kanë rëndësi, e jo në ato që janë triviale, dhe me gjasë, duke e njohur mentalitetin tonë, edhe të pavërteta. Statistikat e MICS, mund t’i shfrytëzojmë për të hapur debate publike për gjëra me të vërtetë qenësore, dhe për të krijuar dhe implementuar politika të cilat i adresojnë brengat që ky raport i nxjerr në pah. Të merremi me virgjërinë tonë në shfrytëzimin e statistikave për të mirë, e jo për skandal, në vend se me statistikat për virgjërinë.