Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Viti i fundit i Angela Merkel-it

Është turpëruese një kolumnë të niset me rrëfimin për parashikimin më të gabuar të jetës kur më 2005 shkrova për Financial Times lidhur me zgjedhjet e fundit në Gjermani: “koalicioni i gjërë i znj. Merkel … është thjesht një marrëveshje jetëshkurtër që s’do zgjasë më shumë se dy vite.”

Mund të kem thënë se “Znj. Merkel mund të dalë e mbaruar nga kjo mesele: një lidere që fillon fundin, në vend se të përfundojë fillimin e karrierës së saj.”

Kancelarja Angela Merkel tash ka nisur vitin e fundit të mandatit të saj të katërt dhe të fundit. Ka më shumë vite në pushtet se udhëheqësi i parë i Gjermanisë Perëndimore Konrad Adenauer (1949 – 1963). Varësisht sa do të marrë formimi i qeverisë pas zgjedhjeve të ardhshme në vjeshtën e 2021, ajo mund t’ia kalojë edhe Helmut Kohl-it (1982-1998), për t’u bërë liderja e pasluftës me jetën më të gjatë në shërbim.

Popullariteti i 66 vjeçares është ngritur bindshëm gjatë pandemisë, duke e bërë për së largu politikanen më të pëlqyer, ku gjermanët i japin nota të larta edhe qeverisë së saj. Siç theksoi një opinionist, ajo “po përcjell presidentin e tretë amerikan dhe të katërtin francez, kryeministrin e pestë britanik, e të shtatin italian.” Një sondazh amerikan i realizuar në 13 shtete, e paraqet Merkel-in si lideren më të besueshme në botë, larg homologëve të saj. Komentuesit e dëshpëruar amerikanë e britanikë kanë filluar ta quajnë “lidere të botës së lirë” (titull të cilin kancelarja thuhet se nuk e ka për merak).

Pra, ja kam huqur pa masë parashikimit tim. Kancelarën nuk më ka rastisur e as nuk do të kem rastin ta takoj, prandaj ky është vendi i duhur për të thënë: kërkoj ndjesë, znj. Merkel.

Pretendim mosbindës për famë

Marrë parasysh tërë këtë diapazon të gjërë të kapitalit politik, rrjedh pyetja: prej nga erdhi? Ç’do të bëjë me të?

Pretendimi i Adenauaer-it për madhështi ishte Westbindung – konsolidimi i republikës së re të gjermanoperëndimore në aleancën transatlantike. Willy Brandt (1969-1974) u orvat të bënte pajtimin me Evropën Lindore, madje duke rënë në gjunjë në Varshavë. Helmut Kohl-i dha markën gjermane për hir të valutës evropiane, dhe drejtoi të dy Gjermanitë drejt ribashkimit. Secili la postin kundër vullnetit dhe të njollosur: Adenauer, meqë kishte ndejtur për shumë gjatë; Brandt, pijanec i madh, për shkak të një afere spiunimi; mandati i Kohl-it u njollos për shkak të një skandali me financat e partisë. Prapëseprapë, të tre ishin kancelarë të shkëlqyeshëm.

Ndërkaq, pretendimi i Angela Merkel-it për një vend në analet e famës mbetet çuditërisht mosbindës. Nuk do mend se disa cene të paraardhësve të saj nuk janë pjesë të karakterit të saj. Ajo kandidoi për mandatin e katërt me ngurrim të madh, dhe hoqi dorë hijshëm nga posti i kryetares pas dy humbjeve rajonale të partisë më 2018; është shprehur kategorikisht kundër kandidimit për kryetare  të partisë, apo çfarëdo posti tjetër. Ajo ka namin e punëtores së palodhshme dhe të kontrollit absolut mbi lëndën e saj. Maturia dhe forca e karakterit nuk vihen në dyshim.

E megjithatë, qeverisja e saj është e mbështjellë nga paqartësia. Mbase, kjo për faktin se shumë prej arritjeve saj më të rëndësishme në detyrë janë shoqëruar me një anë të errët.

Në epoken e Merkelit Gjermania u ngrit prej “të sëmurit të Evropës” te ekonomia e katërt më e madhe në botë, me rritje të shpejtë të standardit të jetesës. Politikat e saj ekonomike qenë ashiqare pro biznes, por nuk arritën mjaft kur erdh puna te modernizimi teknologjik dhe infrastrukturor. Skandalet që prej “Dieselgate” te Wirecard, shpërfaqin një kulturë korporatash me plot të meta, dhe me rezistencë ndaj llogaridhënies që e bën ekonominë gjermane shumë të ndjeshme ndaj rrjedhjeve financiare të paligjshme.

Vendimi i Merkelit që Gjermania mos t’i mbyllë kufijt valës së madhe të refugjatëve në shtator 2015 qe një vepër e vërtetë humanizmi. Një e vepër e përgjegjshme, poashtu; çliroi nga presioni fqinjët shumë më të dobët. Shumë prej sosh që qendruan u integruan në shoqëri dhe në fuqinë punëtore. Por në fillim, qytetet dhe shtetet e patën të vështirë të adaptoheshin. Për ndaljen e vërshimit të imigrantëve, u desh një ujdi shumëmiliardëshe me presidentin Recep Tayyip Erdogan. Dhe kjo i dha shtytje Alternative für Deutschland (AfD), që nga një parti e djathtë e panjohur, të bëhet lidere e opozitës vetëm katër vite pas themelimit.

Besimtare e vërtetë

Nisma e kancelarës në mbështetje të Programit Evropian për Rimëkëmbje meriton një vend në librat e historisë – me gjasë e shpëtoi Bashkimin Evropian. Por, këmbëngulja e qeverisë për masat shtrënguese ndaj Greqisë gjatë krizës së eurozonës, dhe mosthirrja para përgjegjësisë e kristiandemokratit Viktor Orbán për kthimin e Hungarisë në demokraci joliberale, thelloi ndarjet europiane

Merkel-i është besimtare e vërtetë e aleancës transatlantike, megjithatë ajo nuk arriti t’i bëjë ballë presidentit Donald Trump dhe deshtoi në mbajtjen e përkushtimeve të Gjermanisë në fushë e mbrojtjes. Ngurrimi për të thirrur në emër dhe kundërshtuar ndërhyrjen ruse dhe kineze në hapësirën europiane – përpjekjet për të vendosur dominim dhe për të prishur kohezionin në Perëndim – e kanë dobësuar BE-në në kohë të vështira.

Kur kancelarja është në element, tregohet lidere mendjehollë dhe empatike me aftësi për të nxjerrë qëllimin e përbashkët nga përçarja – siç bëri në shumë samite të BE-së e G-7 dhe gjatë pandemisë. Të qeverisësh një Gjermani të ndarë me tri koalicione të gjëra qeveritare (njëri me Demokratët e Lirë pro biznes) është arritje në vetvete. Megjithatë, ajo do të mbahet mend poashtu për ngurrimet e saj dhe inkrementalizmin acarues [doktrinë e ndryshimeve shoqërore-poitike të përshkallëzuara]. Duke i shtyrë kristiandemokratët e saj të qendrës së djathtë drejt modernizimit, margjinalizoi partnerët e koalicionit, socialdemokratët e qendrës së majtë, dhe la vakum në anën e djathtë të partisë së saj, që u mbush sakaq nga AfD-ja.

E admiruar por e vetmuar

Në fund, pas një jete politike të eliminimit mjeshtëror të rivalëve, ajo gjendet pa një trashëgues/e të kënaqshëm. Pra, kancelarja e gjen veten si liderja me jeten më të gjatë në shërbim në Europë, pak a shumë po aty si vendi i saj; e admiruar, por e vetmuar.

Ku e lë kjo trashëgiminë e saj? Gjestet e mëdha nuk janë stil i Merkel-it; mundet edhe që t’ia gjuajë pasardhësit/es disa çështje politike si Nord Stream 2 ose beteja për 5G-në. Sidoqoftë, zgjedhjet amerikane mund t’i japin një zgjedhje vendimtare: të rindërtojë ura mbi Atlantikun, apo të kërkojë strehim në Lindje. Dua të vë bast te e para.

Por prapë, keni arsye të mos i besoni parashikimeve të mia.

****

Artikulli origjinal në: Brookings.

****

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorëve dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.