Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Vriteni poetin

Ilustrimi: Big Eye

Vriteni poetin

***

Ta themi troç. Politikanët tanë nga të dyja anët e kufirit janë kodosh. Të tillë çfarë ishin dhe çfarë janë, nuk i shërbejnë askujt pos egove të tyre të trashura nga lakmia, pushtetit të ndyrë që kanë dhe pse jo, njëri tjetrit. Të gjithë, të paktën asshtu më duket, e kanë rinjohur veten e tyre shumë vonë dhe rinjohjet e vonshme për pasojë kanë stërgjatjen e ambicies dhe përpjekjen për përmbushje. Dhe në këtë mënyrë të gjithë këta adoleshentë të çuditshëm, kalojnë kufirin e çdo arsyeje dhe shkërdhejnë çdo durueshmëri njerëzore. Ata e prishin edhe nervin e kalit të harlisur për jetë. Të filozofojmë pak në këto ditë, si gjithmonë të zhurmshme. Sipas njërës prej eseve të mrekullueshme të Kunderës, kombet që janë të vogla kurrë nuk njohin ndjesinë e lumturisë në atë gjendje që janë ngase sipas tij të gjitha këto kombe janë kalimtare brenda çasteve historike, ekzistenca e tyre është e diskutueshme kundruall kombeve që të fshijnë nga faqja e dheut. Ndërsa mua ma ha mendja se një komb i vogël kundruall lirisë së tij gjithmonë krijon lider fanatik, që parapëlqejnë arrogancën dhe mësimin nga libri i dhelprës.

Nga një komb i vogël, në të shumtën e herave, lindin politikanë të vegjël. Sa për këta që janë bash të tanët, se emrat nuk marr mundin t’i përmend, nuk kemi as se çfarë dreqin të themi. Që nga paslufta e kanë dëshmuar se nuk janë asgjë tjetër pos përfitues të zakonshëm. Pos zaptues hapësinor dhe të pandershëm. Që nga paslufta janë zhytur thellë e më thellë në krim. Në afera të fëlliqura. Shoqëria është e vdekur klinikisht dhe çdo individ ka humbur funksionin. Ose është në kërkim të saj. Ose më keq se kaq. E ka ngatërruar. Prandaj në këto situata politike në të dyja anët dhe brenda dy gjendjeve të tensionuara për jetesë normale, nuk më bën zëri për të thënë nëse jam kosovar ose shqiptar.

Në këtë gjendje të pashpresë gjithmonë kënaqem kur them jam asgjë. Nuk kam pse të krekosem para asnjërës. Nuk kam pse të rri e të pres para derës së anjërës. Një atdhe që nuk të bën nder dhe një shoqëri e sëmurë, nuk i nevojitet askujt. Të jesh asgjë duket sikur është më e pëlqyeshme megjithëse mësuesit tanë nacionalistë të historisë dhe vetë historia çohen peshë duke ngritur lart duart e tyre emblematike. Por ja që gjakun e derdhur e kam frikë që nga viti 98-të. Në mes dy vendeve jo-normale e të liga politikisht, nuk ka vend pë pretendentët e normalitetit. Aq më pak nëse as politikisht nuk janë të zgjuar. Megjithatë për të mos kundërshtuar marrëveshjen e fshehtë të detajeve, jam qytetar nga Republika e Turpit. I palumtur dhe përgjithnjë poet.

***

Nuk jemi asgjë tjetër pos viktima të mjera politike,
Gjendur nën identitete të llojllojshme shtypëse,
Që e hamë në dhëmbë ekzistencën e tjetrit.
Nuk ka më asnjë shtysë për një poezi të re,
Asnjë dashuri njerëzore, për ditën që po vjen,
Kemi mbetur në fushën e zjarrtë të ferrit logjik,
Mbështjellur me flamujt tanë të dhunës
Dhe me bërtimat tona të heshtura, në drejtim të
Qiellit mbushur me pamflete ideologjike.

Ndëshkuar të jemi të ndryshëm për aq sa
Jemi ndëshkuar të jemi të njëjtë.
Të vrarë nga arma e nevojës.
Të shpuar nga thika e lavdisë.
Të turpëruar para luftërave.
E gjithë çfarë jemi është gjithçka çfarë
Nuk është tjetri dhe gjithë çfarë është
Tjetri, nuk është ajo që duam ne.
Çdo atdhe është i përdalë,
Nëse fëmija i bukur,
Brenda gjoksit të tij
Të përvëluar,
Vetëvritet.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.