Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Zgjedhjet si liri

Zgjedhjet janë mënyra e vetme e pranueshme për të marrë pushtetin në demokraci dhe e drejtë themelore politike. Varësisht sa e qëndrueshme është e drejta e qytetarëve për të zgjedhur qeverinë e tyre – si normë në vetvete dhe në përcaktimin e vlerave politike si parakushte të lirisë e shtylla të sistemit politik – demokracitë evoluojnë nga demokraci elektorale në ato liberale. Kosova është demokraci elektorale dhe vend gjysmë i lirë. Ndonëse këtu pushteti merret me zgjedhje, autoritarizmi në parti politike e në qeverisje i ka shndërruar ato në mjet për të legjitimuar dy paradigma që e ruajnë amullinë ekzistuese: ‘stabilitokracinë’ dhe ‘sigurizimin’. Për autoritarët, ‘stabilitokracia’ nënkupton se mposhtja e amullisë ekzistuese përmes zgjedhjeve kërcënon stabilitetin politik. Ata gjithashtu i ‘sigurizojnë’ zgjedhjet duke pretenduar se mposhtja e kësaj amullie përmes zgjedhjeve kërcënon sigurinë, madje vet shtetin me zhbërje.

Shtet-ndërtimi në Kosovë akoma nuk ka sjellë stabilitet të njëmendtë politik përmes demokratizimit të qëndrueshëm të bazuar në rregulla e institucione jopersonale. Kjo shpalos tre paradokse. Së pari, sa më të shpeshta zgjedhjet, aq më jostabile janë qeveritë që dalin prej tyre, e rrjedhimisht aq më e pasigurt e ardhmja. Së dyti, pluralizmi është nominal, pasi që në zgjedhje garojnë shumë parti politike, pak të dallueshme në programe e në mënyrën e funksionimit. Së treti, shteti i brishtë është aq i gjithëpranishëm sa që shpesh është e paqartë ku fillon e ku mbaron ai vis-à-vis opozitës politike, shoqërisë civile, tregut e individit.

Shumica e partive politike tashmë për një kohë të gjatë udhëhiqen ose kontrollohen nga themeluesit e tyre. Shumica e tyre i rezistojnë reformimit të sistemit zgjedhor, duke filluar nga transparenca e financimit të tyre, ndonëse e pranojnë se është reformë me prioritetet për integrim në BE. Shumë ndërmarrje publike e institucione të pavarure mbahen nën kontroll politik përmes emërimeve të larta, ose paralizohen fare. Faktikisht politizimi e klientelizmi në institucione publike e treg, dhe forma të ndryshme të kushtëzimit të votuesve, janë normalizuar. Është normalizuar edhe politizimi e polarizimi aq i skajshëm i parlamentit sa që mezi arrin të miratojë ligjet bazike sa për të shmangur falimentimin e shtetit.

Zgjedhjet në Kosovë kanë implikime serioze për lirinë individuale. Liria individuale vis-à-vis institucioneve politike është liri nga, ose ‘liri negative’, dhe liri për të, ose ‘liri pozitive’. E para kërkon evitimin e politikave që kufizojnë lirinë individuale, dhe është kritike për fuqizimin politik të individëve. E dyta kërkon ndërmarrjen e politikave për të krijuar parakushte që mundësojnë gëzimin e lirisë individuale, dhe është kritike për barazinë e të drejtave politike.

Së pari, paradigma e ‘stabilitokracisë’ dhe ajo e ‘sigurizimit’ kufizojnë ‘lirinë negative’ pasi që i shtyjnë qytetarët të përkrahin ‘të keqen më të vogël’, jo të përzgjedhin mes programeve politike. Ato gjithashtu kufizojnë ‘lirinë pozitive’ pasi që bëjnë që liria e veprimit politik të kufizohet në parandalimin e së keqes së quajtur destabilizim politik dhe pamundësojnë rotacionin e vërtetë të pushtetit, i cili është, nga ana tjetër, test kritik i demokracisë. Prandaj, për t’i dhënë kuptim lirisë së zgjedhjes në zgjedhje, qytetarët duhet të çlirohen nga frika se zgjedhjet vetëm mund ta ruajnë amullinë ekzistuese ose ta përkeqësojnë gjendjen.

Së dyti, programet e partive politike janë në thelb pothuaj të padallueshëm mes vete dhe portretizojnë një të ardhme hipotetike ideale, pa politika konkrete për të arritur atë duke mposhtur paradigmën e ‘stabilitokracisë’ dhe atë të ‘sigurizimit’. Ato shpesh janë përplot retorikë abstrakte dhe thjesht proklamata fushatash parazgjedhore vetëm sa për të fituar vota. Premtimet joreale jashtë kontrollit të tyre si vendimmarrës politikë janë edhe më të pazbatueshme në koalicione qeverisëse ideologjikisht jokoherente. Ato gjithashtu tregojnë se partitë politike i shmangen mposhtjes së këtyre dy paradigmave, madje edhe përmes ‘gënjeshtrave të sinqerta’: premtimeve aq të paarritshme sa që premtuesit janë të pavetëdijshëm se po thonë të pavërteta.

Programet e partive politike kufizojnë ‘lirinë negative’ pasi që shkurajojnë fuqizimin politik të individëve, duke synuar vetëm fitimin e votave në zgjedhje të njëpasnjëshme, me pak qeverisje mes tyre. Programet e partive politike pa politika për të mposhtur paradigmën e ‘stabilitokracisë’ dhe atë të ‘sigurizimit’ kufizojnë edhe ‘lirinë pozitive’ pasi që kjo ua kufizon qytetarëve opsionet që çojnë në plotësimin e nevojave të tyre të jetesës. Prandaj, për t’i dhënë kuptim konkurrencës së lirë politike në zgjedhje, qytetarët duhet të çlirohen nga besimi në ‘gënjeshtra të sinqerta’ parazgjedhore për të sjellë shtet të së drejtës, barazi e jetë të dinjitetshme. Sa më yshtëse që tingëllojnë ato, aq më hipokrite del qeverisja pasuese përderisa partitë politike në pushtet u shmangen politikave konkrete për të mposhtur këto dy paradigma brenda tyre dhe në institucione publike.

‘Lirinë pozitive’ e kufizon edhe kultura e kultit të liderit te partitë politike pasi që ua kufizon qytetarëve hapësirën për pjesëmarrje politike. Kulti i liderit duket si simptomë e dekadencës së transicionit nga ‘partia-shtet’ në ‘parti-lider-shtet’, me dallimin e vetëm që në vend të një partie tani ka shumë syresh, pa dallime thelbësore mes vete në këmbënguljen e tyre për të përjetësuar paradigmën e ‘stabilitokracisë’ dhe atë të ‘sigurizimit’ me në qendër zgjedhjet si, kinse, zeitgeist i vetëm i demokracisë. Si të tilla, zgjedhjet e partitë politike, e bashkë me to shteti partiakisht i politizuar skajshëm, janë simptoma të një paradigme tjetër që ruan amullinë ekzistuese: simulimit të demokracisë.

——–

*Pikëpamjet e shprehura janë vetëm të autorit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.