Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Zyrtarët publikë në Kosovë, “nën mëshirën” e Gjykatës Kushtetuese

Viti 2023 i priti zyrtarët publikë me dy ligje të reja që u aprovuan në Kuvendin e Kosovës: Ligjin për Zyrtarët Publikë,që rregullon të drejtat dhe detyrimet dhe marrëdhënien e punës të zyrtarëve publikë në institucionet e Kosovës dhe Ligjin 08/L-196 për Paga në Sektorin Publik, i cili rregullon parimet dhe rregullat për përcaktimin e pagës dhe shpërblimeve në sektorin publik.

Kryeministri Kurti vlerësoi miratimin e ligjeve si “hap të madh drejt reformës së administratës publike”, megjithatë përmbajtja e tyre hedh pikëpyetjen nëse këto ligje mund të konsiderohen si reforma apo regres.

Reagime dhe kritika lidhur me këto dy ligje ka pasur mjaft shumë, kryesisht nga partitë opozitare, shoqëria civile dhe Zyra e BE-së në Kosovë, si për fazën e konsultimeve publike gjatë hartimit të tij, ashtu edhe për përmbajtjen e ligjeve.

Sipas tyre, Qeveria nuk ka marrë për bazë asnjë sugjerim të tyre, madje nuk ka as arsyetime pse janë injoruar komentet e tyre. Kjo qasje nuk përmbush standardet minimale të konsultimit publik.

Si rezultat, deputetët e PDK-së kanë kontestuar Ligjin për Zyrtarët Publikë në Gjykatën Kushtetuese (GjK), ndërsa Ligji për Paga në Sektorin Publik ende nuk është kontestuar, me gjithë faktin se organizata IKD i ka bërë thirrje Avokatit të Popullit (si palë e autorizuar) për ta dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të sigurohet përputhshmëria e tij me Kushtetutën.

Mirëpo, ekziston një arsye pse partitë opozitare, përkatësisht deputetët e opozitës, nuk e kontestuan Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Kjo mund të jetë strategji politike e opozitës, duke pasur parasysh që me paga është bërë fushatë në vazhdimësi, andaj edhe kontestimi i këtij ligji – që supozohet se rrit pagat – mund të jetë i disfarvorshëm në kuptimin elektoral.

Me gjithë prapavijën politike, Ligji për Zyrtarët Publikë dhe Ligji për Paga në Sektorin Publik përfshijnë disa defekte serioze.

Defektet në Ligjin për Zyrtarët Publikë

Rregullimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë është një çështje mjaft komplekse, që duhet rregulluar në atë formë që të mos cenohet pavarësia e administratës publike dhe të mënjanohet politizimi i saj.

Në Ligjin për Zyrtarët Publikë ekzistojnë nene të cilat kanë mungesë serioze të harmonizimit dhe shfaqin kontradikta mes dispozitave ligjore.

Përderisa Neni 46.1 specifikon qartë se mandati për pozita të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues është katër vjet me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë (pra, më së shumti dy mandate – tetë vjet), Neni 46.7 përcakton se pas përfundimit të mandatit dytë i njëjti mund të konkurrojë për të njëjtën pozitë që e ka mbajtur.

Ky nen, përveçqë cenon administratën publike, hartimi i tij në këtë formë tregon mungesë serioze të profesionalizmit nga sponsorizuesit e këtij ligji.

Kjo dispozitë minon ambiciet e profesionistëve të punësuar në administratë publike për ngritje në karrierë dhe hap rrugë për politizim me këto pozita. Shërbimi civil është shërbim i përhershëm dhe si i tillë duhet trajtuar.

Për profesionistët që kanë menduar të krijojnë karrierë në administratë publike, qëndrimi në këto institucione nuk do të shihet si mundësi, andaj rezultati do të jetë krijimi i një administrate shtetërore të dobët, joprofesionale dhe politike.

Defektet në Ligjin e Pagave në Sektorin Publik 

Ligji i Pagave në Sektorin Publik, i dekretuar nga presidentja me datë 4 janar 2023, pritet të hyjë në fuqi më 5 shkurt. Deri më tash ky ligj nuk është kontestuar nga asnjë palë e autorizuar (Kuvendi, Qeveria, Presidenti dhe Avokati i Popullit) në Gjykatën Kushtetuese.

Ndonëse supozohet se i njëjti do t’u rrisë pagat shumë sektorëve – mbi të gjitha do t’i nivelizojë ata – është mjaft e dyshimtë nëse ky nivelizim do të përcillet duke u bazuar në parimet e drejtësisë dhe barazisë.

Kanë mbetur edhe disa ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, por të prekurit e këtij ligji, pra zyrtarët publikë, ende nuk e dinë se sa do të jetë paga e tyre.

Neni 9.1 i këtij Ligji përcakton: “Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit. Përcaktimi i vlerës së koeficientit bëhet në pajtim me legjislacionin për menaxhimin e financave publike.”

Kjo dispozitë është në kundërshtim me parimin e parashikueshmërisë dhe cenon sigurinë juridike. Sipas kësaj dispozite nuk do të ketë stabilitet të pagave, sepse varësisht prej Ligjit për Buxhetin, koeficienti mund të ndryshojë vazhdimisht dhe po ashtu edhe paga.

Një problem tjetër në këtë ligj është fakti që duke u munduar të krijohet barazi është krijuar pabarazi.

Mund të arsyetohet dallimi në paga të stafit politik në nivelin lokal (kryetar komune, drejtor komunal, këshilltar komunal), mes kryeqytetit në njërën anë dhe qyteteve të tjera në anën tjetër, varësisht nga numri i banorëve që përfaqësojnë.

Megjithatë, nuk arsyetohet fakti që me të njëjtin standard të vazhdohet edhe me nëpunësit civilë që punojnë në komuna. Ky dallim mund të shihet në Shtojcën 10.7 të ligjit në fjalë, ku pagat e zyrtarëve të kategorive të njëjta, pavarësisht se natyra e punës që bëjnë është krejtësisht e njëjtë, kanë koeficient të ndryshëm.

Volumi dhe ngarkesa e punëve administrative mund të jetë më e madhe ta zëmë në Komunën e Prizrenit sesa në Komunën e Hanit të Elezit, por duhet pasur parasysh që kapacitetet janë më të mëdha, me burime njerëzore dhe personel më shumë.

Arsyeshmëria e ngarkesës në punë në Prizren nuk është argument, sepse në kategorinë e njëjtë në Prizren mund të jenë pesë me numër, ndërsa në Hanin e Elezit është vetëm një. Është normale dhe e pritshme që një komunë më e madhe të ketë personel administrativ më shumë në çdo kategori, sesa një komunë më e vogël.

Ky standard për nëpunësit civilë mendoj që bie ndesh me parimin “Pagë e barabartë për punë të barabartë”.

Si përfundim, këto dy ligje shumë të rëndësishme për zyrtarët publikë do të duhej të përgatiteshin në konsultim me të gjithë akterët relevantë (opozita, shoqëria civile, Zyra e BE-së në Kosovë, mes të tjerash,) në mënyrë që të minimizohen lëshime të tilla që kanë pasoja afatgjata.

Por, si duket, logjika e arrogancës së numrave është duke mbizotëruar kundër logjikës për hartim profesional të legjislacionit, i cili bazohet në arsyeshmëri dhe në respektim të standardeve të konsultimit publik.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.