Connect with us

Hi, what are you looking for?

Podcasts

Episodi 1: “Sfidat e BE-së” – Mysafir: Bernard Nikaj

Ka një energji kudo në shtetet e Ballkanit Perëndimor që, integrimi i tyre në BE është shansi dhe mundësia e vetmje që ky rajon të mbetet i qetë, të konsolidojë demokracinë dhe të zhvillohet ekonomikisht. Integrimi në BE për shtetet e këtij rajoni shihet si një “biletë njëdrejtimshe,’ i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. Megjithëse, BE mund ta lexojë ndryshe raportin me Ballkanin Perëndimor, e kaluara e trazuar në Ballkan ka bërë që shtetet e rajonit të kenë frikë të diskutojnë alternativat e integrimit.

Rajoni është i paaftë të qëndrojë i vetëm dhe jashtë BE. Kjo është përshtypja e zakonshme kur dëgjon deklarime publike të liderëve politike të gjashtë shteteve të Ballkanit. Por, nuk mbetet vetëm qëndrimi i liderëve politikë. Një pjesë e konsiderueshme e mediave të pavarura dhe njerëzve të shoqërisë civile në rajon, shprehin shqetësimin e tyre, që nëse rajonit i vonohet integrimi në BE, në Ballkan, shumë shpejt do të shohim regjime gjysmautoritare, demokraci jofunksionale dhe ekonomi të kontrolluara nga sturukturat e paligjshme. E gjithë kjo qasje e shteteve të rajonit, shihet si një lloj “kërcënimi” që këto vende i bëjnë BE-së që, nëse nuk do të marrim një dritë jeshile dhe të qartë të integrimit në Union, ne mund të shkaktojmë probleme në këtë pjesë të Evropës. Mirëpo, përkundër kësaj, duket se BE ka një agjendë dhe sfida tjetra në këtë fazë dhe se Ballkani nuk është në top prioritetet e Unionit.

Gjatë një bisede që zhvilluam për podcastin e parë “Rendi Botëror” me Bernard Nikajn, kuptuam një situatë ‘më të komplikuar’ në lidhje me atë se çfarë pritet nga BE në këtë periudhë dhe për më tepër çfarë mund të presin shtetet e Ballkanit Perëndimor përkitazi në procesin e integrimit. Nikaj ka qenë Ambasador i Kosovës në Bruksel për më shumë se katër vite, dhe ka qëlluar të jetë me mision atje, në kohën që BE po sfidohej nga e ashtuquajtura “kriza e refugjatëve,” referendumi dhe pastaj negociatat për daljen e Britanisë së Madhe nga Unioni, si dhe së fundi me krizën që e shkaktoi pandemia Covid-19.

BE ka qenë “projekt zgjerimi’ thotë ambasadori Nikaj dhe se kjo qasje nuk ka ndryshuar. Mirëpo, padyshim që krizat në Union kanë lënë gjurmë dhe se tash vendet anëtare po shohin mundësinë e mirë që të ndërmarrin disa veprime që kishin me i parandalu ‘gabimet’ që ishin bërë në të kaluarën. Zgjerimi i hovshëm në drejtim të Evropës Lindore, ka bërë që BE të marrë disa mësime nga ajo periudhë dhe se tash, kemi një kujdes me të shtuar të vendeve anëtarë të BE-së përballë vendeve aspiruese. Me gjithë reformat e ndërmarra, BE ende ka probleme për mënyrën sesi merren vendimet, e kryesisht ato që kanë të bëjnë me politikën e jashtme.

Përpara çfarëdo procesi zgjerimi, BE sot përballet me sfida të tjera globale, e për të cilat nuk është se ka treguar një qëndrim të unifikuar si Union. Raporti i komplikuar me Rusinë, pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina, pastaj rritja e vazhdueshme e Kinës në sistemin ndërkombëtar dhe implikimet që ka kjo rritje në vendet e BE-së, si dhe se fundi një raport jokonvecional i politikës së jashtme të SHBA-së, ka bërë që BE të mendojë në projeksione më afatgjate. Sipas ambasadorit Nikaj, deri para vitit 2014, kur edhe aneksohej Krimea, BE kishte ndërtu një raport me Rusinë, i cili nuk ishte armiqësor. Megjithëse gjërat kanë ndryshuar nga ajo periudhë, për shkak të varësisë energjetike që BE ka ndaj gazit rus, nuk mund të pritej përkeqësim i mëtejshëm. Në anën tjetër, Kina është një aktor i madh global, më të cilën BE është duke u sfiduar sesi t’i qaset rritjes ekonomike dhe influencës që ky shtet po krijon në gjithë kontinentin evropian. Për ta kuptuar rëndësinë e prezencës kineze në botë dhe rajon, BE, sipas Nikajt i referohet Kinës si “konkurrenti strategjik,” dhe se patjetër i duhet një konsolidim i raportit me ekonominë të dytë më të madhe në botë.

Mirëpo, sipas ambasadorit Nikaj, më gjithë problemet që BE ka brenda; kryesisht ato në vendimmarrjen, agjendat e ndryshme ndërmjet Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit, ndarjet rajonale, dhe blloqet e tjera që janë krijuar më kohë, shumica e vendeve anëtare mbështesin një zgjerim të Ballkanit Perëndimor në Union. Sidoqoftë, sipas Nikaj kjo, nuk do të thotë asgjë, nëse vendet e rajonit nuk ndërmarrin reformat e duhura për ta bërë anëtarësimin më të parashikuar dhe më të shpejtë. Nikaj sugjeron që vendet e rajonit në procesin e integrimit duhet të ndryshojnë politikën e “premtimeve të shumta dhe punëve të pakta.”

——–

Image

 

Ky podcast mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorëve dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.