Connect with us

Hi, what are you looking for?

Podcasts

Episodi 8: “Politika e SHBA-së ndaj Ballkanit dhe Kosovës.” – Mysafire: Vlora Çitaku

Më 4 Nëntor 2020, vetëm një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në ShBA, kur rezultati i atyre zgjedhjeve ishte i paqartë, kryeministri sloven, Janez Jansa, i kishte uruar fitoren Presidentit Trump. Ishte, ndoshta lideri i vetëm në botë që me aq nguti u pozicionua në mbështetje të Donald Trump. Mirëpo, nuk zgjati shumë kohë, dhe rezultati i zgjedhjeve tregoi që në fakt, fitues ishte Joe Biden. Histori të ngjashme nga liderët ballkanik kemi parë edhe në të kaluarën. Kujtojmë këtu, deklarimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama më 2016 dhënë për CNN, ku thoshte “larg qoftë të fitojë Donald Trump.” Pastaj, lideri serb Ivica Dacic kishte kërkuar nga serbo-amerikanët që të mbeshtetnin Donald Trump në zgjedhjet e 2020. Dhe i fundit, ishte deklarimi i Albin Kurtit, ku përmes një video-incizimi, bënte thirrje që shqiptaro-amerikanët të votonin Joe Biden.

Ky interesim dhe kjo ngarkesë kaq e madhe e liderëve ballkanik, në lidhje me zgjedhjet në ShBA, pa dyshim që ka një shpjegim historik në lidhje me angazhimin amerikan në Ballkan. Në tri dekada, janë administratat amerikane ato që kanë dhënë fjalën e fundit pothuajse për secilin proces të rëndësishëm në Ballkan. Paqja e Dayton (1995), Marrëveshja e Rambouillet (1999), pastaj krijimi i shtetit të Kosovës, duke vazhduar me anëtarësimin e tri shteteve të Ballkanit Perëndimor në NATO, të gjitha këto procese do të ishin të paimagjinuara për rolin vendimtar të ShBA-së.

Sidoqoftë, edhe përkundër këtij angazhimi prej dekadash të ShBA-ve në Ballkan, çështjet në rajon mbesin të hapura. Serbia vazhdon të luftojë shtetësinë e Kosovës, në mënyrë edhe me agresive sesa në vitet e para të pas pavarësisë. Dialogu që është lehtësuar nga Bashkimi Evropian në dhjetë vitet e fundit, nuk tregoi rezultate të mjaftueshme. Ndërkohë që, brenda vetëm pak muajsh, një angazhim shpejt-e-shpejt i administratës Trump, bëri që Kosova dhe Serbia më 4 Shtator 2020, të dakordohen për një sërë çështjesh të karakterit ekonomik. Megjithëse frytet e një dakordësie priten të shihen në muajt e vitet në vijim, edhe njëherë u dëshmua që vetëm një përfshirje e drejtpërdrejt amerikane në Ballkan mund të lëvizin gjërat me hapa të përshpejtuar.

Presidenti Biden po bën dy muaj prej që ka marrë detyrën si presidentti i 46 i ShBA-ve. Për të analizuar mbi prioritetet në politikën e jashtme amerikane dhe për mundësinë e përfshirjes së administratës së re në dialogun Kosovë-Serbi, në këtë podcast kemi të ftuar Vlora Çitakun. Ambasadorja Çitaku ka shërbyer në një varg pozitash politike në Kosovë, si: deputete, ministre e Integrimeve Evropiane, ushtruese e detyrës së ministres në Ministrinë e Jashtme të Kosovës dhe në pesë vitet e fundit ka shërbyer në cilësinë e ambsadorës së Kosovës në Washington DC. Po ashtu, një pjesë e diskutimit fokusohet edhe mbi politikën e jashtme të Kosovës, specifikisht raportet bilaterale me shtete të veçanta, si dhe rëndësia e njohjes nga Izraeli dhe lidhja e marrëdhenieve diplomatike më këtë shtet.

Sipas Çitakut, Kosova dhe Ballkani pikë së pari duhet të menaxhojnë pritjet për administratën e re. Pandemia dhe problemet ekonomike që rrodhën në vitin e fundit, bën të mendojmë që, të paktën, në këtë periudhë, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të dimë se çfarë të presim nga presidenti Biden.

Megjithatë, Çitaku thekson që administrata Biden i ka bërë të qarta prioritetet e saj në politikën e jashtme. Ndër prioritetet e para të Biden është “rikthimi i ShBA-ve në institutionet, mekanizmat dhe iniciativat multilaterale, pastaj një shqyrtim i marrëveshjes së Iranit, mirëpo jo një rikthim blanco, por një rinegocim…, një sfidë tjetër e madhe, mbase më e madhja në afatgjatë, është edhe raporti me Kinën.”

ShBA ka një interes po ashtu, që të ndërtojë një raport të shëndosh me Bashkimin Evropian si tërësi, e jo më shtetet anëtare. Kjo qasje, mund të shihet edhe si një përpjekje e administratës Biden për t’ia lënë BE-së problemet evropiane. Mirëpo, Çitaku, vazhdon të besoj që BE, e vetme, do të ketë problem që të zgjidh çështjet e hapura që ka. Përfshirja e drejtpërdrejt e Washingtonit është qenësore për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve që ekzistojnë në Evropë. Në këtë kuptim, Çitaku thotë që edhe “Kosova duhet shumë kujdesshëm të navigoj në këto ujërat e reja të gjeopolitikës.”

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.