Policia e Kosovës duke patrulluar në Zveçan.
*Përgatiti: Fitim Gashi
Tensionet Kosovë-Serbi shpesh zhvendosen nga situatat brenda vendit në zhvillime përgjatë kufirit mes me Serbinë, duke përshkallëzuar mosmarrëveshjet për çështje territoriale dhe të sigurisë. Rasti i fundit që përfshin pretendimet e Serbisë se Policia e Kosovës ka kaluar ilegalisht vijën kufitare, e të cilat Kosova i cilësoi si dezinformata, është shembull i qartë i kësaj dinamike. Ndërkaq, spekulimet që qarkulluan pasi Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) morri kontrollin mbi Aeroportin e Dumoshit, afër kufirit me Serbinë, shtuan akuzat dhe kërcënimet për rrezikun e përshkallëzimit të situatës. Këto ngjarje reflektojnë qasjen e kohëpaskohshme të zhvendosjes së tensioneve nga brenda në kufi, duke e mbajtur atë në qendër të narrativave përplasëse.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi akuzoi Qeverinë e Kosovës se përmes Policisë po nxit provokime të qëllimshme ndaj Serbisë dhe komunitetit serb në veri të vendit. Ai pretendoi se forcat policore të Kosovës kanë kaluar, siç i referohet zyrtarisht Serbia, “vijën administrative” gjatë një aktiviteti afër zonës kufitare, në fshatin Çirkoviq, Leposaviq.
“Forcat policore të Kurtit po luajnë me zjarr. Provokimet e tyre të qëllimshme jo vetëm që destabilizojnë situatën në terren, por janë një përpjekje për të tërhequr NATO-n në konflikt. Ky është një veprim i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm”, tha Vuçiqi për televizionin publik serb. Madje, ai kërkoi nga SHBA-ja që të njoftojë Serbinë nëse ka të drejtë “kur thotë se Kurti personalisht urdhëroi provokimin dhe hyrjen e forcave të tij të armatosura në territorin e Serbisë”.
“Ai priste që këta individë të likuidoheshin dhe kjo të ishte arsyeja për ta përfshirë NATO-n në një konflikt me Serbinë”, deklaroi Vuçiqi. Ai paralajmëroi masa për, siç tha, të mbrojtur interesat e qytetarëve serbë në veri, duke e lënë të hapur mundësinë e kundërpërgjigjes në rast të përshkallëzimeve të mëtejshme.
“Herën tjetër, ne do të reagojmë në përputhje me rregullat e plota të shërbimit ushtarak”, tha Vuçiq.
Paraprakisht, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se Policia e Kosovës ka kaluar “vijën administrative”, por pa dhënë detaje se sa kilometra kanë hyrë në territorin e Serbisë.
Policia e Kosovës hodhi poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë për kalimin e vijës administrative, duke i cilësuar informata të rrejshme. Në një deklaratë të shpërndarë përmes rrjeteve sociale, nga PK-ja thanë se të gjitha operacionet i zhvillojnë brenda territorit të Kosovës dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
“Shkrimet e tilla, të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Andaj, këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë janë një dezinformacion i cili ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, shkruan në reagimin e PK-së.
Kjo nuk është hera e parë kur përmendet mundësia e konfliktit Kosovë-Serbi. Narracionet për një luftë të mundshme proklamohen kryesisht në periudha të tensioneve mes dy vendeve, derisa nuk kanë munguar as denoncimet e vazhdueshme nga ana e Kosovës për afrimin e ushtrisë së Serbisë afër kufirit. Ndërkaq, në qershor të vitit 2023, tre policë të Kosovës ishin arrestuar në kufi, për të cilët Serbia pretendoi se kishin kaluar vijën kufitare. Pas disa ditësh, policët u liruan nga autoritetet serbe.
Gjatësia e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është rreth 350 kilometra, ku mbi 50 për qind e saj kalon nëpër katër komunat veriore, të populluara me shumicë serbe.
Forca që garanton sigurinë përreth kufirit të Kosovës, KFOR-i, ka mbajtur qëndrim neutral lidhur me pretendimet e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë se Policia e Kosovës ka kaluar “vijën administrative”. Në reagimin e tij, KFOR-i as nuk e ka demantuar e as konfirmuar këtë pretendim, duke theksuar se situata përgjatë kufirit Kosovë-Serbi është e qetë dhe se ata vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibile dhe jemi të pozicionuar mirë për t’u përgjigjur për çdo skenar të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë shumëvjeçar që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, thanë nga KFOR-i.
Një tjetër zhvillim që nxiti reagim nga Serbia është vendimi sipas të cilit Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) merr nën kontroll Aeroportin e Dumoshit, i cili ndodhet në Podujevë, qytet kufitar me Serbinë. Ky aeroport, që më parë shërbente për nevoja civile, do të transformohet në një qendër strategjike për operacione emergjente dhe logjistike. Ministri i Mbrojtjes tha se ky hap forcon praninë e FSK-së në rajonin e Llapit dhe Gollakut, duke ofruar siguri shtesë për banorët e kësaj ane, si dhe mbështetje adekuate për reagime emergjente dhe për operacione në rast të emergjencave civile. Edhe pse ai nuk e përmendi Serbinë, analistë dhe politikanë serbë e cilësuan si provokim tjetër ndaj interesave serbë, duke ngritur shqetësime për mundësinë e shfrytëzimit të aeroportit për operacione ushtarake, për faktin se është afër kufirit me Serbinë.
Veprimet që lidhen me aspektin e sigurisë dhe ligjshmërisë në veri të Kosovës, sipas autoriteteve, po bëhen në kuadër të përpjekjeve për ta konsoliduar sovranitetin. Por ndërkombëtarët në disa raste, thanë se kjo ka ndikuar në perspektivën e normalizimit të marrëdhënieve, duke i cilësuar të njëanshme veprimet e Kosovës.
Përballë këtyre zhvillimeve, NATO-ja dhe Bashkimi Europian mbeten faktorë kryesorë për ruajtjen e stabilitetit. Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe rikthim në dialog, duke theksuar se zgjidhja e çështjeve të hapura duhet të bëhet përmes mjeteve diplomatike.
Tensionet mes dy vendeve po ndikojnë drejtpërdrejt në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili lehtësohet nga Bashkimi Europian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Diskursi polarizues po e bën gjithnjë e më të vështirë arritjen e pajtimit për rrugën përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, për të cilin ishin pajtuar Kosova dhe Serbia.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”